EKSKLUZIVE/ “Si luajta pa para në Korçë dhe çmenda portugezët”, ish-futbollisti Qose: Ju tregoj kur u fut miu në fushë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2020 | 20:56

EKSKLUZIVE/ “Si luajta pa para në Korçë dhe çmenda portugezët”, ish-futbollisti Qose: Ju tregoj kur u fut miu në fushë (E PLOTË)

E mbani mend Rigels Qosen? Ish-sulmuesi i Skënderbeut, Dinamos dhe Partizanit në kampionatin shqiptar, që jeton dhe punon prej vitesh në Amerikë. Bomberi i viteve 1990-2000, një idhull për tifozët korçarë, kulmin e vet e pati me Dinamon, e megjithatë dashurinë më të madhe e ka pasur për ekipin e vendlindjes. Ai fitoi një titull kampion me blutë e kryeqytetit në vitin 2002, ndërsa më pas luajti me Partizanin.
Rigels

Në vitin 2007 emigroi në SHBA dhe sot punon si trajner moshe në dy akademi. Ish-sulmuesi foli ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke u rikthyer pas në kohë për karrierën e tij dhe pengjet që ka pasur, por pa lënë mënjanë komentet për Skënderbeun aktual dhe futbollin shqiptar.

107096517_897230950798985_8638479317760509446_n

Rigels, me çfarë merreni sot në SHBA?
Unë jam trajner me moshat dhe punoj konkretisht në dy akademi të ndryshme, “Long Island Rough Riders” dhe “East Coast Soccer Club”.

Dikur ishit edhe pjesë e një ekipi futbolli në Amerikë që kujtonte Skënderbeun dhe Shqipërinë…
Futbolli është pasioni im dhe dua t’ua transmetoj fëmijëve duke i bërë ata ta duan këtë lojë të bukur. Pasi luajta për një vit si profesionist dhe më pas me ekipe amatore, e ndërpreva futbollin e luajtur. Kam bërë disa ndeshje me Skënderbeun këtu në SHBA. Gjithashtu në 2009, në Nju Jork u zhvillua një minikampionat botëror, me ish-lojtarë profesionistë, ku unë isha kapiteni i “NYC Albania”. Pas shumë ndeshjeve ne përfunduam në finale me Irlandën. Arritëm ta fitonim trofeun dhe unë mora çmimin lojtari më i mirë i turneut. Kemi pasur gjithashtu një ftesë speciale nga kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Majkëll Blumberg, i cili personalisht na dorëzoi trofeun në një nga ambientet e bashkisë, duke na ofruar gjithashtu një tur special në ambientit e brendshme të institucionit. Kjo ishte një nga emocionet e veçanta këtu në Amerikë, duke përfaqësuar në njëfarë forme Shqipërinë në rang ndërkombëtar dhe që gjithashtu simbolizonte fundin e karrierës sime si futbollist.
Skenderbeu festa e golit
A e keni ndjekur këto kohë Skënderbeun?
Patjetër që po. Mundohem të gjej kohën për të parë ndeshjet e Skënderbeut, edhe pse orari është ndryshe këtu në Amerikë dhe unë jam i zënë në fundjavë. Por, përpiqem të mos humb asnjë ndeshje të ekipit të zemrës.

Ishte Skënderbeu ekipi që bëri historinë në vitet 2015 dhe 2017 në futbollin shqiptar apo mund të ketë pasur një kulm tjetër?
Në verë të vitit 2015 unë kam qenë në Shqipëri dhe i pashë të gjitha ndeshjet që Skënderbeu luajti nga stadiumi. Kam kaluar emocione të mëdha duke bërë tifo për një ekip që bëri gjithë Shqipërinë krenar me paraqitjet e tij në Europë.

Si e pritët dënimin nga UEFA?
Jashtëzakonisht keq. Skënderbeu e bëri të njohur futbollin shqiptar dhe bashkoi të gjithë tifozët e Shqipërisë. Niveli i lartë bëri që dhe kampionati të shikohej si prurje të lojtareve me cilësi. Gjithashtu, u mbarua kompleksi i stërvitjes për moshat dhe bëri çdo fëmijë të ëndërrojë për t’u bërë futbollist. Pas dënimit të Skënderbeut duket se shpresat u prenë. Shpresoj që Skënderbeu të rifitojë sa më shpejt statusin

102445289_281670846208172_9167854062386373569_n

Cili ka qenë momenti më i bukur i karrierës suaj në Shqipëri?
Gjatë karrierës sime kam pasur shumë momente të bukura, por mendoj që shpallja kampion i Shqipërisë me ekipin e Dinamos në sezonin 2001-2002 është moment i veçantë për mua. Gjithashtu, një vit më vonë, po me ekipin e Dinamos, fitova Kupën e Shqipërisë.

Po ai që ju ka mërzitur pa masë…?
Ka qenë sezoni 2000-2001, kur isha te Skënderbeu dhe ramë në Kategorinë e Dytë (me sistemin e vjetër) dhe kampionati ishte me 2 faza. Në fazën e parë ishim thuajse të dalë nga kategoria matematikisht, vetëm pak pikë na mbanin në garë. Në fazën e dytë lojtarët korçarë që luanin me Ersekën, si Drita, Gjoka, Vila, Zyla dhe unë nga një ekip grek kemi luajtur pa rrogë vetëm për të shpëtuar nga rënia. U afruam shumë pas fitores në Lushnjë, por premtimet e gënjeshtërta dekurajuan ekipin dhe nuk ia dolëm. Ka qenë moment shumë i keq.

Ka pasur ndonjë episod qesharak, të cilin e keni përjetuar në fushë?
Në ndeshjen Brondbi-Dinamo, kualifikuese për Kupën e Kampioneve. Kam luajtur si mesfushor i djathtë dhe në një moment kur po bëhesha gati të ekzekutoja rivënien anësore dhe pashë një mi nëpër këmbë që po hynte në fushë dhe ndiqte topin. U mundova ta shtyja jashtë fushe me këmbë dhe dëgjova thirrje të tifozëve kundërshtarë që ishin afër. Ishte një moment i pazakontë dhe qesharak.

A ju kanë ofruar ndonjëherë lekë për të toleruar një ndeshje?
Në sezonin 1999-2000, para ndeshjes Skënderbeu-Tomori, kishte zëra që do të na shpërblenin në qoftë se toleronim në rezultat, meqenëse ne nuk rrezikonim. Unë isha kapiten atëherë dhe bashkë me lojtarët e ekipit vendosëm të luanim si gjithnjë, duke respektuar lojën dhe tifozët që e kishin mbushur stadiumin plot. Por për fatin tonë të keq pjesa e parë u mbyll 0-2 dhe tifozët tanë që thërrisnin “Tomori-Tomori”. Pjesën e dytë ne barazuam (unë shënova golin e dytë dhe tifozët ndërruan mendim e dëgjoheshin duke brohoritur “Skënderbe…”. Tomorit i kushtoi ajo pikë pasi doli barazim në fund të kampionatit me Tiranën dhe humbën finalen e “play off”-it.

Kush mendoni se është lojtari më i mirë korçar i historisë së Skënderbeut për ju?
Fatkeqësisht nuk e kam ndjekur Skënderbeun e hershëm që kishte lojtarë të Kombëtares, sepse nuk kisha lindur akoma (qesh). Pasi kam ndjekur Skënderbeun që fëmijë mendoj se lojtari korçar më i mirë që kam parë në ndeshje dhe stërvitje ishte Milutin Kërçiç. Ai ka pasur një elegancë të madhe me topin dhe një teknikë të admirueshme që i vinte shumë natyrshëm.

Cili është pengu juaj i karrierës?
Nuk e di nëse do të quhej peng, por gjithmonë kam pyetur veten se si mund të kishte shkuar karriera ime po të isha larguar nga Korça. Më janë bërë oferta të ndryshme vazhdimisht brenda dhe jashtë vendit. Dëshira e madhe për t’i shërbyer Skënderbeut më ka bërë që të mos largohem dhe të jepja kontributin tim për ekipin e zemrës.

Dhe cilin ekip keni refuzuar?
Një nga refuzimet që më ka ngelur peng, është në Portugali. Asokohe unë përfaqësova Shqipërinë U-16. Performanca ime bëri që pas asaj ndeshjeje ekipi portugez kërkonte me këmbëngulje të bëhesha pjesë e tyre. Për mua ishte e pakonceptueshme në atë moshë të re të bëhesha pjesë e një ekipi të huaj. Ky ka qenë një nga refuzimet e mia për të cilin mendoj se për moshën që isha mund të kishte ndryshuar komplet karrierën futbollistike timen. Megjithatë, jam i lumtur që kam dhënë kontributin tim maksimal ndaj Skënderbeut. Në fund të fundit, kam përfaqësuar ekipin e zemrës sime.

A mund të na e sqaroni edhe një herë historinë në Portugali?
Me kënaqësi. Ishte pas ndeshjes se parë në Portugali. Kam luajtur sulmues i vetëm me një formacionin 5-4-1 dhe kam vrapuar si i çmendur. Trajneri më tha të mos lija asnjë mbrojtës të kalonte gjysmën e fushës. Pas ndeshjes, pjesëtarë të federatës sonë më thanë që kisha një ofertë nga një ekip portugez e duhet t’i ktheja përgjigje të nesërmen. Nuk i mbaj mend detajet, se unë as që e mendoja ta pranoja. Isha vetëm 15 vjeç e dashuria për Korçën ishte e madhe. Dhe të nesërmen pas një nate pa gjumë, i thashë “jo”. Por, mbaj mend që kapiteni i U-16 së Portugalisë, Dani, pas një viti luante me Ajaksin dhe unë kapiteni i U-16 luaja me Skënderbeun në Kategorinë e Dytë.

Cili është goli më i bukur që e kujtoni ende edhe sot?
Gol i bukur për çdo sulmues është ai që kalon vijën e bardhë të portës. Por, unë do të veçoj golin tim të parë në një ndeshje zyrtare. Unë isha kapiteni i U-16 të Shqipërisë dhe ndeshja ishte kualifikuese e Europianit U16 kundër Portugalisë në mars të vitit 1993. E mbaj mend që topi po vinte shumë i lartë nga një kros dhe nuk mund ta gjuaja me kokë. E lashë të më kalonte dhe u ngrita në roveshatë me këmbën e majtë, duke e goditur në krahun e kundërt të portierit. Ishte një gol që i dha fitoren ekipit dhe unë e kujtoj me nostalgji.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"