EKSKLUZIVE/ “Shuplaka” e ish-kapitenit Beqiri: Partizani u çmontua vetë, krenari e tepruar e drejtuesve për… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2020 | 19:26

EKSKLUZIVE/ “Shuplaka” e ish-kapitenit Beqiri: Partizani u çmontua vetë, krenari e tepruar e drejtuesve për… (E PLOTË)

Ish-kapiteni i Partizanit, Ardit Beqiri, në një prononcim për “Panorama Sport” nxjerr në pah defektet e të kuqve. Sipas Beqirit, transformimi për keq ka ardhur për shkak të çmontimit që drejtuesit i bënë grupit që doli kampion. Këtë çmontim ai e çuan të kujdesshëm, si dhe krenaria e tepruar nga drejtuesit për të mos kthyer Skënder Gegën kanë bërë që Partizani të ketë luhatje të mëdha.

ardit beqiri

Beqiri fajin nuk e vë te reparte të veçanta, por te mënyra se si është ndërtuar skuadra dhe si po veprohet me një ekip kampion. Ish-kapiteni është i mendimit se Sormani nuk e meritonte të rikthehej para Gegës, por mbase ky i fundit nuk vjen nga fakti se nuk ka pranuar t’i bëjnë merkaton.

Për Beqirin Partizani duhet të ndiqte modelin e suksesit, jo me shpikjet që nisën me Lerdën. Sa i përket titullit, ai pohoi se Partizani i ka mundësitë, ashtu si edhe Tirana që ka gjetur trajnerin, të cilin nuk e dinte që e kishte, por favorit llogarit Kukësin.

Ardit, çfarë mund të na thoni me ecurinë e Partizanit në këtë sezon, ku luhatjet janë të çuditshme për një ekip kampion në fuqi?

Situata ku ndodhet, s’ka ardhur përnjëherë, ka nisur gradualisht, madje pa e kuptuar edhe vetë çmontuan me shumë kujdes çdo gjë të mirë nga ajo që kishin vjet.

Ku bazoheni?

Po marr rastet më të freskëta, nga dënimi i Malës te shitja e Asanit, që mund të sjellë ndonjë të ardhur financiare, por janë në perspektivë. Kështu që shitja e Asanit është si bast, ndonëse është lojtar i mirë, askush nuk mund ta parashikojë se si do të jetë ecuria e tij deri në verë. Nuk është shitje që të garanton financa direkt dhe e pranon si sakrificë. Gjërat nisën që në verë me largimin e Gegës, ku u mor vesh motivi se nuk do ta pyeste kush për merkaton. U fol më pas për ta riafruar Skënder Gegën, por klubi nuk e bëri një hap prapa për t’i zgjatur dorën e bashkëpunimit.

ardit beqiri

Por rikthyen Sormanin…

Zgjodhën një model për të rikthyer një trajner që ka lënë shije të mirë. Nuk diskutohet që Sormani është trajner i mirë. Por, Sormani nuk ka lënë shije më të mirë se Gega. Ndryshe është të kalosh një tur në Europë dhe ndryshe të  dalësh kampion, aq më shumë kur titulli mungonte prej 26 vitesh.

Nëse Gega do të rikthehej, pa dyshim që do të vinte me një status tjetër. Pavarësisht se situata nuk është më optimalja edhe për Gegën, pasi ekipi ka humbur shumë nga shkëlqimi i sezonit të shkuar dhe gjërat nuk janë bërë si duhet. Për mua është krenari e tepruar e drejtuesve që nuk kthyen Gegën, por s’dihet a do të pranonte edhe vetë Skënderi? Nëse do të kishin ndonjë projekt rikthimi apo suksesi, gjithçka duhet të niste nga ish-trajneri që i nxori kampion.

Sipas jush Gega, do të ishte i duhuri për rregulluar situatën? 

Nuk e kuptoj dot se pse drejtuesit e kanë këtë krenari të tepruar, të cilët pretendojnë të dalin kampionë sipas mënyrës së tyre. Kjo ishte edhe filozofia e Lerdës që iku, i cili u pa edhe në derbi ku kërkonte ta fitonte takimin sipas mënyrës së tij. Për mua kjo nuk është drejtë. Gjersa të kanë lënë në dorë një model suksesi, nuk është nevojshme të shpikësh gjëra të reja. Po munde që t’i shtosh ndonjë gjë formulës së suksesit që gjete, shtoja, por mos e ndrysho 100%. Te Partizani nuk e kishin sjellë për të shpikur gjëra të reja. Modeli i suksesit ishte ai i sezonit të shkuar: një ekip që i përputheshin interesat bashkë, fituan bashkë sigurisht me drejtimin e trajnerit dhe mbështetjen e klubit. Mjaftonte të vazhdohej ajo filozofi, dhe jo të shpikeshin gjëra të reja si në këtë sezon duke ndryshuar nga e para çdo gjë.

auto_auto_auto_auto_auto_auto_gega155146931515537704321554802314155683259015587956571559409808-770x433

Pjesë e ndryshimeve ishin afrimet në sulm, por të gjithë bashkë nga ata që erdhën në verë kanë shënuar dy gola në 19 javë kampionat… 

Këtë nuk mund ta përkthej dot, se a është problem i sulmuesve, i mënyrës së lojës që ka ndryshuar shumë tek ekipi, mënyra si vendosën, prurjet e reja? Nuk e di çfarë po ndodh. Siç u fol në fillim skuadra aktuale ishte më e fortë në letër se Partizani i sezonit të shkuar. Por, ekipi i vjetshëm ishte më i bukur për t’u parë në fushë dhe më rezultativ. Njerëzit ishin më të qartë për detyrat që do të bënin.

Si ish-mbrojtës, si e shpjegoni shthurjen e repartit defensiv në këtë sezon, pasi pëson më shumë se në të shkuarën?

Shthurjen nuk mund ta them, se nuk po pësojnë goleada. Thamë se problem janë kudo edhe në sulm. Gola kanë pësuar edhe vjet, madje në derbi pësuan të parët, por arrinin ta përmbysnin se funksiononte sulmi. Kur funksionon sulmi, nuk mbetet shumë barrë te mbrojtja, sepse i mbulohen gabimet.

Këtë vit nuk funksionojnë shumë gjëra te Partizani dhe në fund i ngelet mbrojtjes, pasi kur mundesh faji shkon te pjesa e pësimit të golit. Pra, nuk e shikoj shthurje të mbrojtjes, ndonëse ato golat me Skënderbeun ishin të evitueshëm. Tre gola janë shumë për një ekip si Partizani, pavarësisht daljes me karton të kuq të Brojës.

Partizani miqesorja

Kanë ngelur edhe pak orë nga mbyllja e merkatos së dimrit, sipas jush, çfarë mund të riparonte Partizani nëse do kishte ndonjë rast?

Për mua merkatoja e janarit asnjëherë nuk ka qenë vendimtare. Mbase me problemet që u kanë dalë mund të zgjidhnin diçka. Nuk e di sa decizive do të ishte, kur dihet se e shkuara nuk ka qenë e mirë në janar.

Para 6 javësh ishin të parët +4 nga Kukësi, ndërsa me pesë humbje dhe 1 fitore janë të gjashtët dhe – 7 pikë nga verilindorët. A mundet ta mbrojë Partizani titullin? 

Jo paqëllim e thashë se gjithçka nisi nga çmontimi i kujdesshëm që drejtuesit i bënë skuadrës, pa e kuptuar as vetë se çfarë po bënin. Çdo element pozitiv të titullit e çmontuan. Matematikisht e logjikisht dhe duke parë ecurinë e ekipeve të tjera, Partizani i ka mundësitë të dalë kampion. Problemi është mënyra se si është ndërtuar ekipi dhe si po veprojnë. Pastaj të mos harrojmë se është cenuar shumë edhe grupi, nuk është ajo harmonia që kishin vjet.

Mos ndoshta duhej vepruar siç bëri Tirana, që ekipin ia besoi Egbosë, një trajneri brenda familjes? 

Gjithmonë te klubet e mëdha duhet një njeri që të njohë mirë ambientin dhe mentalitetin. Nuk jam kundër trajnerëve të huaj. Edhe Lerda nuk ishte trajner i keq, por pati probleme nga ana karakteriale. Si teknik Lerda mund të quhet si një nga trajnerët më të mirë që ka pasur Partizani, por kur nuk harmonizohesh me ekipin, atë përfundim do kesh. Gega nuk shpiku ndonjë “bombë atomike”, thjesht e bëri grupin bashkë.

Tirana festa (1)

Për titull cilën shikoni këtë sezon dhe a mund të jetë viti i Tiranës, meqë ka edhe 100-vjetorin e themelimit të klubit? 

Mund të jetë viti i Tiranës, pasi njerëzit e lidhin edhe me 100-vjetorin. Nuk duhet të harrojmë se Tirana ishte në pikën e saj më të ulët para derbit me Partizanin. Sado që është një ekip i ndërtuar mirë, si është e mundur që në pesë javë të marrë rezultate pozitive. Pati ato probleme që pati, edhe mund të jetë viti i Tiranës dhe nuk është çudi po doli kampion, por unë e kam thënë me kohë, kur Kukësi ishte 5-6 pikë prapa kreut se ata janë ekipi për t’u pasur frikë.

Pse duhet pasur frikë Kukësi? 

Ajo që duket nuk mbulohet dot, pasi dihet cilësia që ka ky ekip. Por dua të them se akoma nuk e kemi parë Kukësin më të mirë. Kur gjithçka të jetë harmonizuar dhe të jetë Kukësi në shinat e veta pritet që të ketë më mirë. Ndërsa për Partizanin dhe Tiranën nuk mund të them se çfarë mund të japin më mirë në vazhdimësi. Tirana ka fituar trajnerin që e ka pasur brenda, por nuk e ka ditur. Ky është avantazhi i bardhebluve, gjetja e trajnerit, i cili njeh ambientin, situatat dhe vetë familjen. Egboja nuk është i ri te Tirana. Ai mund të jetë i ri si trajner i parë. Egbo ka 15-20 vjet që punon aty dhe prandaj quhet edhe tirons i vjetër. Nga ana cilësore dhe sportive që shikohet në fushë, unë them se Kukësi do t’i lodhë klubet e tjera duke e ndjekur

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"