EKSKLUZIVE/ Shtohen dilemat për rifillimin e kampionatit, dje pritej përgjigje zyrtare, por qeveria injoron futbollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2020 | 12:34

EKSKLUZIVE/ Shtohen dilemat për rifillimin e kampionatit, dje pritej përgjigje zyrtare, por qeveria injoron futbollin

Qeveria lë në ankth futbollin. Edhe pse prej 18 majit skuadrat kanë zbritur në fushë për të nisur stërvitjet, nuk ka ende një vendim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë për të dhënë OK-in për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare. FSHF ka planifikuar nisjen e Kategorisë Superiore më 3 qershor, por tashmë është shtuar ankthi për një vendim në ndryshim me interesat e institucionit të futbollit dhe klubeve.tirana partizani kridens meta

“Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në FSHF se dje është pritur një përgjigje zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë për miratimin e nisjes së aktiviteteve më 3 qershor. Mirëpo, autoritetet e kanë injoruar futbollin, duke mos marrë një vendim konkret.

“Të martën u mblodh Komiteti Teknik i ngritur prej pandemisë, por u vendos vetëm hapja e çerdheve dhe kopshteve në qershor, ndërsa për futbollin nuk u mor asnjë vendim. Jemi në një situatë pritjeje dhe deri afër fundjavës shpresojmë të kemi një përgjigje përfundimtare nga autoritetet”, treguan dje për gazetën burime zyrtare në institucionin e futbollit.

Ndërkohë, në ditët e fundit skuadrat e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë kishin planifikuar disa miqësore, por nuk i kanë zhvilluar prej mungesës së lejeve nga autoritetet. Madje burime në FSHF i thanë të martën gazetës se edhe arbitrat janë njoftuar që derisa të merret një vendim zyrtar, të refuzojnë kërkesat që mund të kenë për të shkuar në ndonjë ndeshje miqësore që mund të kenë planifikuar klubet. Një situatë deri diku absurde, sepse është vetë qeveria që pasi jep leje për të nisur stërvitjet, mban tashmë peng futbollin për ndeshjet.Kukesi-Skenderbeu 1-1

Nuk është çudi që të hapen skenarë të rinj për kampionatet në rast se deri në fundjavë nuk do të ketë një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë. Në këto momente FSHF dhe klubet nuk kanë interesa për shtyrjen, pasi kështu do të ngjishej edhe më tepër kalendari, ose në rastin më të keq, do të digjej Kupa e Shqipërisë. Gjithsesi, në FSHF besojnë se qeveria do t’ia hapë rrugën futbollit.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"