Ekskluzive/ Shqipërinë, apo Anglinë, Dede ka një apel për Brojën: Zgjidh me zemër, ngjyra kuqezi është…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2020 | 0:28

Ekskluzive/ Shqipërinë, apo Anglinë, Dede ka një apel për Brojën: Zgjidh me zemër, ngjyra kuqezi është…

Karantina e njerëzve në thuajse të gjithë botën, është marrë si masë për të frenuar shpërndarjen e Koronavrusit. E në një periudhë ku të gjithë janë izoluar edhe në Shqipëri, mungesa e futbollit i ka lënë vend nostalgjisë, kujtimeve, inateve për tituj të munguar apo për padrejtësi të pretenduara.

Dede

Mirëpo, një njeri që ka shijuar 21 trofe në fushë, përkatësisht nëntë tituj kampion, 7 kupa dhe 5 superkupa, e me 41 gola të shënuar si qendërmbrojtës, deklaron se verdikti i fushës duhet pranuar.

“Futbolli ka qenë më burrëror asokohe. Sigurisht me interferime të faktorëve të jashtëm, vështirë të pranohej humbja, por çfarë është luajtur të mbetet e tillë, të mos e rishkruajmë më historinë”, deklaron Nevil Dede, ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

DEDE 1

Ish-qendërmbrojtësi, aktualisht trajner i Kombëtares U-19, tregon ditët në karntinë pranë familjes, rekordet si një prej lojtarët e plejadës së artë të Tiranës dhe jo vetëm, si dhe analizon brezin e lojtarëve që do të jenë në pak kohë, kontigjent i Kombëtares A… Akuzat për tituj ndër vite? Dede driblon me shumë korrektësi dhe finesë për mendimin e secilit.

– Dede, Si jeni dhe si është përditshmëria juaj tani në Karantinë?

Fatmirësisht mirë. Tani si të gjithë, në shtëpi, duke zbatuar rregullat. Ka ndryshuar mënyra se si e jetojmë ditën dhe se si jetojmë në përgjithësi me shumë pak kohë për të dalë nga shtëpia. Por, nuk kemi se çfarë të bëjmë. Këto janë rregullat dhe do të përshtatemi. Le të shpresojmë që të ketë sa më pak dëme dhe të zgjasë sa më pak të jetë e mundur.

Dede

– Si është të bllokoheni në shtëpi, pa aktivitet sportiv. mbase palestër, vrapime apo edhe kalçeto të përjavshme?

Për çdo sportist, futbollist apo çfarëdo duhet të jetë shumë e vështirë kjo situatë. Aq e vështirë sa smund të thuhet. Kjo sepse secili ka një ritëm të tijin ditor, me disa që stërvite dy herë dhe të tjerë një herë në ditë, me orare të aktuara. Mbi të gjitha, sportistët kanë një konsum të madh energjish të shpenzuara me anë të stërvitjeve fizike, teknike, taktike nëpër ekipe. Në këtë periudhë, të gjitha këto mungojnë. Tani, maksimumi që mund të bëjë një sportist është një lloj përgatitjeje shumë e kufizuar brenda shtëpisë.

– Shpesh së fundmi jeni parë në rrjetet sociale pranë kuzhinës. Është diçka për vetë lojën dhe shakatë me miqtë, apo Dede vërtetë është prezent në kuzhinë dhe gatuan rregullisht?

Të jem i sinqertë, kur jam në shtëpi dhe sidomos në këtë situatë, nuk doja që të rrija gjithë ditën kot. Përveç profesionit tim dhe aktiviteteve që kam. Jam pjesë aktive në familjen time, pasi edhe kur kam qenë futbollist kam kaluar pak kohë me familjen. Edhe si trajner me një ekip, shumicën e kohës je larg shtëpisë. Në këtë situatë mendova të jem i dobishëm. Unë nuk gatuaj shpesh. Gatuaj rrallë dhe gjërat që më pëlqejnë. Pra me ato, unë dua edhe që të përcjell një mesazh që duhet të jemi të dobishëm, plus edhe pozitivitet apo edhe shaka e të qeshura mes shokësh nëpër rrjetesh sociale. Por nuk bëj namin që unë gatuaj çdo ditë (qesh…)

– Ndikimi do të jetë i madh dhe a mendoni se do të rikthehet futbolli me një nivel më të ulët pas kësaj pauze?

Gjithçka varet se çfarë do të vendoset, kriteret që do të jenë, por edhe koha që do të kenë në dispozicion ekipet që të fillojnë dhe të luajnë ndeshje. Shpresoj që të ketë kohën e duhur në dispozicion në momentin që do të fillojnë, pasi kanë pushuar në një periudhë të gjatë sa i përket kapacitetit fizik. Dhe është e vështirë që në një periudhë të shkurtër të përshtaten. Ju e dini që para çdo fillimi, ekipet kanë një periudhë kohe prej rreth 40 ditësh që nisin përgtitjet. Mirëpo tani është një situatë e veçantë dhe ka shumë faktorë që do të ndikojnë. Koha sa do të zgjasë, koha për sezonin e ardhshëm, pastaj futen në lojë faktorë të tjerë si sponsorë, e drejta televizive dhe elementet e marketingut si element financiar që do të kushtëzojnë.

Dede Tirana

– Dede, duke marrë të mirëqenë që askush nuk di të thotë kur do mbarojë kjo epidemi. Ju, jeni pro riluajtjes së kampionateve apo për verdiktet “në tavolinë”?

Të jem i sinqertë, verdiktet e tavolinës nuk më pëlqejnë. Për arsyen sepse është një garë. Po të aralelizojmë futbollin me sportin e atletikës: Është një garë e cila kur niset, duhet ta përfundosh dhe të shkosh në finish. NË bazë të kësaj logjike, nëse unë nuk shkoj në finish, është e vështirë që të vendoset në tavolinë. Megjithatë, di rastin e Belgjikës që e ka vendosur. Vret edhe në termat që janë të përcaktuar në rregullloren e sezonit apo në rregulloret standarte që sanksionojnë çdo gjë. Do të thosha që është edhe elementi tjetër: Kompromisi me të gjithë ekipet e një kategorie. Megjithatë kjo më duket prapë e vështirë që të arrihet një kompromis, sepse janë ekipet që do dalin kampion, që do dalin nga kategoria, që duhet të shkojnë në Europë. Pra ose do të jetë e paracaktuar më parë në rregullore, ose duhet të luhet kampionati. Kjo, për faktin se nuk ka siguri matematikore për verdiktet, titulli apo rënia nga kategoria.

– Me 21 trofe të fituar dhe 41 gola të shënuar në karrierë si qendërmbrojtës. Si e përkufizoni karrierën tuaj?

Tani që e kujton, të duket sikur është pak gënjeshtër, ka ikur (qesh…). Është si ajo shprehja me batutë: Koha juaj ka mbaruar. Do të thosha që mbaj mend 9 kampionate dhe ajo është e rëndësishme, që për momentin nuk besoj se i ka njeri. Referuar edhe trofeve total siç pyetët ju, nuk janë pak 21. Unë kam pasur fatin që të isha pjesë e ekipit të Tiranës dhe ka qenë një nga ekipet më të mira në Shqipëri. Ky është favor kur bëhesh fitues dhe të fitosh trofe. Mirëpo, duhet të jesh i mirë edhe që të marësh pjesë tek ai ekip fitues.

nevil dede

– Sidomos në këtë periudhën e fundit, Tirana është akuzuar shumë për favorizime. I referohem deklaratave nga ish pjesëtarë të Tomorit, apo edhe të Flamurtarit. Kaq e favrizuar ka qenë Tirana në ato vite?

Kjo nuk më takon mua të përgjigjem.

– Meqë keni qenë protagonist…

Nuk më takon mua të gjykoj. Kampionatin nuk e organizonte Tirana, e ka organizuar në Shqipëri gjithmonë FSHF me drejtues të ndryshëm në vite të ndryshme. Ndaj nuk më takon mua të gjykoj që ata e kanë shkelur rregulloren. Pasi nuk besoj që dikush merr guximin të shkelë rregulloret që janë të përcaktuara dhe të shkruajtura që pa nisur sezoni. Mirëpo, në këtë situatë kur të gjithë janë nëpër shtëpi, të gjithë bëhen nostalgjik dhe të gjithë kujtojnë: Po sikur ta kishim fituar ne kampionatin. Unë di që i ka fituar Tirana, dhe kupat e atyre i ka Tirana.

– 41 gola të shënuar?

Golat kanë qenë bonus akoma më i madh i imi. Unë zakonisht vetëm në goditjet standarde dhe vetëm në raste të rralla kam shënuar gola me aksion. Një nga armët më të forta që kam pasur unë, ka qenë loja në ajër.

– Dede, cili është titulli më i veçantë që keni fituar?

Do ta veçoj një, i cili besoj se ka qenë edhe më i vështiri. Titujt, edhe me Tiranën kanë qenë të vështirë, por ai me Elbasanin duhet kujtuar sepse të fitoje përballë Tironës në ato vite, ishte shumë e vështirë. Sa i përket kupave dhe superkupave, janë shumë realisht. Në kohën kur ne luanim futboll, nuk kishin ndonjë vlerë shumë të madhe, por tani mburresh për çdo lloj trofeu. Në kohën që kemi luajtur ne, kështu ishte futbolli, besoj edhe në Europë. Tani, edhe ju mediat jeni zhvilluar më shumë sa specifikoni çdo detaj dhe tani janë të rëndësishme edhe ato. Në kohën tonë, nuk kishin vlerën për ta quajtur tamam trofe, por thjeshtë si kupa.

dede2

– Pse?

Sepse ne te Tirana mërziteshim kur nuk dilnim kampion, edhe pse mund të kishim dalë në vend të dytë në kampionat dhe të kishim fituar kupën.

– Dede, a mund të keni edhe gol një të veçantë dhe të preferuar nga ata 41?

Një gol që kujtoj në Gjirokastër është realisht i tillë. Ka qenë periudha kur ne konkurronim me Teutën në mos gaboj, dhe ishte rregullorja që një fitore jashtë fushe vlente 3 pikë. Sa po përshtatej 3 pikëshi në futboll, pasi fitoret brenda fushe ishin ende 2 pikë. Mesa kujtoj, ai kampionat ka shkuar deri në javë të fundit dhe Partizani mundi Teutën në “Selman Stërmasi” dhe ne kemi fituar në fushën stërvitore “Skënder Halili”. Ai është një gol që ka pasur shumë vlerë për shkak të kampionatit.

– Ish-presidenti i Tirnës, Metush Seferi kujton në deklaratat e tij se “Tirana në ato vite ka vuajtur në transferta, pasi goditej me gurë, kishte edhe tentativa dhune brenda stadiumeve në qytete të ndryshme etj”. Ju si e kujtoni futbollin e atyre viteve?

Unë mendoj se ka qenë më burrëror. Nuk më takon mua që të flas apo të përcaktoj se çfarë ndodhte jashtë rrethimit të fushës, apo jashtë telave. Ajo është pjesë e shoqërisë dhe e atyre viteve të tranzicionit që kaloi Shqipëria derisa erdhëm në momentet ku jemi tani, ku besoj se jemi më të qetë dhe çdo njeri mundohet që të marrë atë që meriton, nëpërmjet meritave dhe aftësive që ka. Ishte më burrëror, kaq mund të them.

– Pse?

Sepse çdo gjë ndodhte vetëm brenda fushës dhe pastaj nuk kishte histori më jashtë fushe, të cilat mund të zhvillohen në mënyrat nga më të ndryshmet dhe shkojnë në kanale që nuk i pëlqejnë askujt.

dede

– Ama të futeni në fushë “në një rast si ai në Lushnje kur polici ju shante me fjalor banal kot fare”, citat ky nga zoti Seferi, besoj nuk e keni harruar…

Faktor i jashtëm. E thashë edhe më sipër. Polici nuk hynte brenda në fushë. Nuk mbaj mend kurrë të futej brenda fushës së blertë. Në 90 minuta brenda fushës unë mendoj se ka qenë futboll më burrëror, edhe pse nuk kishte këto kushte që kemi sot. Ishin më të këqija, sepse çdo gjë zhvillohet. Edhe shoqëria emancipohet edhe kushtet përmirësohen.

– Referuar deklaratës së zotit Seferi, ai shprehet ndër të tjera se në vitin 1995-’96 Tiranës i është anuluar një gol sipas tij i rregullt në Vlorë…

Është e vërtetë që ka ndodhur ajo histori. Metush Seferi ka një meritë që e ka drejtuar për shumë vite Tiranën dhe ka një meritë, pra që ka qenë ideatori i sukseseve në ato vite, kur shef klubi ishte Skënder Hyka. Seferi ka një meritë të veçantë.

– E kujtoni çfarë ndodhi, pasi ju latë ndeshjen të gjithë si lojtarë…

Po e kujtoj. Besoj gaboi arbitri anësor i cili vlerësoi ofsajd një gol. Unë në fakt them se nuk duhet të merremi shumë me këtë histori, se pastaj shkojmë tek ato mendimet për vitet e shkuara, siç mendojnë të tjerët që na mungon ky apo ai titull. Them se janë pjesë e lojës dhe duhet ta zbatojmë verdiktin e fushës. Nuk na vjen mirë që na e anuloi atë gol. Mua jo, sepse e kujtoj shumë mirë. Kujtoj edhe që u ulëm në fushë, nuk luajtëm për disa minuta dhe ndeshja u zhvillua më pas. Unë them që gabon arbitri, siç mund të gaboj edhe një lojtar, mund të gabojë një trajner me zëvendësimin apo formacionin. Gaboi edhe anësori dhe kaq.

– Kur thoni që ka qenë më burrëror i referoheni edhe atij rastit kur për shembull në Gjirokastër me presor Sulejman Memën i keni vendosur raftin derës sepse donin t’ju godisnin të gjithë ekipin?

Po ka ndodhur edhe kjo. Kanë ndodhur situata të ndryshme, pasi nuk pranohej kollaj rezultati. Nuk është një gjë e mirë, por nuk bën pjesë tek ajo që thashë se ka qenë më burrëror.

Dede trajner i Tiranes

– Do kishit ndonjë krahasim?

Po, doja të bëja një krahasim. Kemi fituar një finale kupe mes viteve 95 dhe 96. Të gjithë thonë se Tirana ka shënuar gol me dorë kundër Flamurtarit, atë të barazimit, por nuk është e vërtetë.

– Pse si është e vërteta?

Është krosuar nga kornia ai rast, kanë kërcyer dy lojtarë, Malko i Tiranës dhe një lojtar i Flamurtarit. Është karamboluar topi, ka rënë në dorë, ra në tokë dhe pastaj unë kam shënuar gol. Por kjo nuk do të thotë që është gol i parregullt. Pretendimi i Flamurtarit është që gloli të cilësohej i parregullt, por bëhet fjalë për një karambolim dhe e ka prekur Malko në këtë karambolim. Kur ju thashë që nuk është për t’u kthyer shumë pas në kohë, sepse njerëzit i shtrembërojnë pak historitë. Nuk është se ka ndodhur ndonjë gol si në finalen e vitit ’66 që Anglia ka dalë kampione bte dhe topi nuk është futur në portë, por tani nuk del Gjermania dhe të thotë se duam edhe ne një kupe bote tjetër.

– Referuar situatës aktuale, mund të zgjidhet varianti i vitit 1997, për të cilin ka edhe pretendime nga Vlora?

Mund të përdoret edhe versioni play off dhe play out. Çdo zgjidhje që nuk cënon garën, pra edhe kundërshtarët e tjerë, është e mirë. E mira sipas meje është që të përfundojë dhe e mira është të gjendet një e tillë që të mos i rikthehen të gjithë pastaj të shkruajmë historinë nga e pra. Historia shkruhet vetëm një herë kur ndodh. Pra të mos ndodhë si në rastet e Tomorit dhe Flamurtarit, por të gjithë ta pranojnë verdiktin për fituesit dhe humbësit.

Dede me Tiranen

– Sipas jush, ishte zgjidhja e duhur çfarë u bë në ’97 që Flamurtari të vinte të luante në Tiranë?

Atëherë, mesa mbaj mend dhe nuk e di nëse jam korrekt 100%, rendi ishte vendosur vetëm në Tiranë. Dhe, si play off edhe play out, u luajtën po në Tiranë, një në “Qemal Stafa” dhe një në “Selman Stërmasi”. Atëherë mbase kanë qenë të kushtëzuar shumë nga vendosja e rendit.

– Si trajner i Kombëtares U-19. Shihet që disa ekipe në kampionat zgjedhin të aktivizojnë të rinjtë, disa si strategji dhe disa nga halli. Si e gjejnë veten në kombëtare këta të rinj përballë bashkëmoshatarëve që stërviten në akademi dhe ekipe prestigjoze europiane?

Unë gjykoj se ka pasur hapësira për lojtarët e rinj në Superiore dhe Kategorinë e Parë dhe kjo mendoj se është një gjë shumë pozitive, flas para se të ndodhte kjo situatë e jashtëzakonshme me Koronavirus. E kam thënë dhe do e them gjithmonë që duhet sa më shumë mbështetje për të rinjtë në kampionat. Ti japim motiv atyre të luajnë dhe gjithashtu edhe klubeve për disa motive ekstra me idenë që sa më shumë lojtarë të rinj nga akademia në ekipet e para, aë më shumë lojtarë në Kombëtare dhe më pas reklamë më shumë etj. Pra një zinxhir i mirë marketimi që mund të fillojë edhe në Shqipëri. Pra që edhe lojtarët e akademive shqiptare, të lëvizin, të shiten, të kenë reklamën e duhur. Sepse në këtë mënyrë, edhe klubet fuqizohen edhe financiarisht.

– Vetëm ekipet e para?

Jo vetëm ekipet e para, por kush është i zjuar ato para i investon në akademinë e tij, Pra marrim rastin kur një lojtar i Tiranës, nëse do të shitet, ekipi jo vetëm t’i përdorë paratë për ekipin e parë, por një pjesë edhe ëpr akademinë. Ko do të ishte idealja. Referuar krahasimit, përafrohen shumë me bashkëmoshatarët që janë jashtë. Nëse ne do ta shohim në këtë këndvështrim, si klube, nuk kanë shumë ndryshime dhe niveli i tyre do të jetë i barabartë. Sigurisht, që ka raste që ka lojtarë që janë më të mirët dhe do të luajnë gjithmonë më të mirët, por ne kemi lojtarë shumë të talentuar në çdo qytet të Shqipërisë.

– Është e vërtetë që brezi aktual i Kombëtares po kalon shumë sulmues të taletuar, në raport me rolet e tjerë?

Ka shumë. Datëlindja 2001 kishte realisht kishte lojtarë shumë të mirë.

– Kush është sekreti për një trajner kombëtareje sipas jush?

Unë mendoj se për një trajner moshash, sidomos në nivelin e Shqipërisë, sekreti nuk është mburrja që një tajner përzgjodhi Muçin apo Armando Brojën. Pra, le të themi që “ata kanë dalë në televizor”, njihen, janë në klube shumë të mira dhe kushdo që të jetë trajneri do t’i grumbullojë, sekreti, sipas meje, është që të gjejmë sa më shumë talente dhe lojtarë cilësorë në qytete le t’i quajmë të vogla, mbase të thella apo ku nuk ka shumë masivitet. Këtë duhet të arrijmë.

E them këtë sepse një lojtar i Tiranës, apo i Çelësit, çdo trajner do ta marri pasi ai lojtar si të thuash vjen vetë dhe luan vetë. Është e vërtetë që brezi 2001 ka shumë sulmues të taentuar, si të thuash e kishte armën më të fortë këtë rol. Besoj që shumë shpejt do të jenë pjesë e ekipeve kombëtare U-21 dhe Kombëtares A.

– Kur dëgjoni Armando Brojën që tundohet në rast interesimi nga Anglia, çfarë mendoni?

Është jeta e tij personale. FSHF dhe ekipet Kombëtare të kësaj federate, e evidentuan këtë futbollist. Ai nuk duhet të harrojë ku ishte kur ekipi kombëtar shqiptar e thirri në Shqipëri që të luante dhe të përfaqësohej. Pastaj se çfarë do të zgjedhë, i takon zemrës së tij, zgjedhjes së tij dhe ndjenjave që ai ka. Nuk mund të them që më vjen mirë apo më vjen keq, ama, sigurisht që do të doja që çdo lojtar i mirë shqiptar, kudo qoftë nëpër botë, ë luajë për Shqipërinë.

– Dede, në të gjithë karrierën tuaj, kë veçoni si trajner?

Nostalgji, unë duhet të mendoj për ata që na kanë rritur. Një nga trajnerët e parë me të cilin kam punuar është Ilir Muça. Pastaj ka shumë emra, në një karrierë të gjatë dhe mbi 20 vite. E them këtë, sepse kështu ndodh edhe nëpër botë që të kujtosh vetëm ata që të kanë rritur pasi gjatë karrierës nuk është korrekte të thuash vetëm një dhe të harrosh të tjerët.

– Po bashkëlojtarë, kë veçoni më të mirin?

Më i miri nuk mund të them por ata me të cilët jam shoqëruar. Për shembull, te Tirona ka qenë Ard Mema dhe Devi Muka, në periudhën kur unë kam luajtur. Në Elbasan është Skerdi Bejzade. Janë shokë të mirë dhe kanë qenë edhe sportistë shumë të mirë.

– E keni një trajner që e ndiqni apo ndiqni filozofinë e lojës?

Më pëlqen një shprehje e Marten Olsen: “Në futboll të gjithë kanë të drejtë, por në fund fare përcaktohet ai që fiton”. Sepse ka trajnerë të ndryshëm. Kur unë fillova të bëhesha trajner, ne shohim dhe studiojmë shumë trajnerë. Në fund fare kam thënë që: Çfarë do të bësh nëse vetëm do kopjosh? S’do lësh asnjë shenjë. E rëndësishme është çfarë bën, çfarë ndërton apo çfarë bën diçka të re në futboll. Çdo trajner duhet të jetë vetvetja, të krijojë dhe të fantazojë. mBi të gjitha të tregojë imazhin e tij.

u19-1

– Kë zgjidhni, Mesin apo Ronaldon?

Të dy janë për t’u zgjedhur sepse përfaqësojnë gjër të kundërta: Njëri talentin dhe njëri atë se deri ku mund të arrijë njeriu me punë, motivim, dëshirë dhe me vullnet. Tjetri, ka lindur i tillë, është i bekuar i tillë dhe kaq. Kush bën zgjidhje është si puna e prindërve që thonë mes tyre në çift: Ka ngjarë nga ty fëmija, kur nuk i pëlqen një gjë. Ose ka ngjarë nga fisi im nëse më pëlqen kjo cilësi. Nuk është korrekte sipas meje të thuash se Mesi apo Ronaldo është më i miri. Edhe pse Mesi bën futbollin që se ka bërë askush. Kur ishte Maradona, thoshim është më i miri, por ja që gjërat zhvillohen.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"