EKSKLUZIVE/ Shqipëria me 2 çeçenë, Prizreni: Do të na ndryshojnë mundjen, synojmë medalje olimpike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2021 | 12:21

EKSKLUZIVE/ Shqipëria me 2 çeçenë, Prizreni: Do të na ndryshojnë mundjen, synojmë medalje olimpike

Islam Dudaev dhe Abakarov Zemilkhan janë dy mundësit nga Çeçenia, të cilët do të garojnë për Shqipërinë. Sportistët kanë bërë të gjitha procedurat dhe tashmë janë në pritje të pasaportës shqiptare, që do t’u hapë rrugën për të përfaqësuar flamurin tonë në aktivitetet ndërkombëtare.

mundje-770x470

Ndërkohë, Sahit Prizreni, president i Federatës Shqiptare të Mundjes, në një intervistë për “Panorama Sport” ka rrëfyer afrimin e këtyre sportistëve. Prizreni thotë se çeçenët do të rrisin cilësinë dhe konkurrencën në mundjen shqiptare, ndërsa me ta do të synohet zona e medaljeve në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Prizreni, si ju lindi ideja për të afruar sportistët nga Çeçenia?

Rusia është një nga vendet furnizuese më të mëdha në botë për mundësa dhe një nga ekipet më të mira për sa i përket cilësisë së sportistëve, kështu që menduam që të afrojmë 2 djem nga kjo superfuqi. Këtë dëshirë e kemi pasur prej kohësh, por një vit më parë menduam për ta bërë realitet.

Kemi evidentuar dy djem, të cilët kanë pasur një dëshirë shumë të madhe për të garuar për Shqipërinë. Në momentin që kemi marrë një konfirmimin edhe nga presidenti Ilir Meta, që këta sportistë mund të pajisen me pasaporta shqiptare, kemi filluar edhe procedurat. Siç e thashë këtë ide e kemi pasur prej kohësh, por më parë ka qenë e parealizueshme për shkak të kushteve dhe mundësive tona.

Si arritët që t’i zbulonit?

Dy sportistët i njoh personalisht dhe i kam parë nga afër në disa aktivitete ku kanë garuar. Këtë e kam parë si një mundësi të madhe për rritjen e cilësisë dhe të imazhit të këtij sporti në vendin tonë. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me këta djem. Fakti që çeçenët kanë disa veçori ndryshe nga sportistët e shteteve të tjera dhe kanë një ngjashmëri të madhe me ne shqiptarët e bëri më të lehtë afrimin.

Mund të na tregoni diçka më tepër rreth tyre?

Janë dy sportistë të peshave të ndryshme, 61 dhe 65 kg. Kanë garuar në disa evente të rëndësishme për Rusinë, ku edhe kanë triumfuar në disa kompeticione. Bëhet fjalë për mundës shumë të përgatitur dhe të etur për rezultate. Mendoj që ky do të jetë një përfitimin i dyfishtë si për ne ashtu edhe për ata, pasi Shqipëria do t’u japë një mundësi të madhe për të treguar që janë medalistë. Por do të përfitojë e gjithë mundja shqiptare, pasi këta pritet të rrisin cilësinë edhe te sportistët e tjerë.

Sa do të ndikojë afrimi i tyre në rritjen e cilësisë dhe çfarë do të synojë Federata Shqiptare e Mundjes me ta?

Mundja është sport që kërkon patjetër partner në një palestër dhe është e vështirë që të jesh konkurrues nëse nuk ke kolegë të fortë në stërvitje. Mendoj që ardhja e këtyre dy djemve do të rrisë dëshirën, konkurrencën dhe patjetër cilësinë në mundjen tonë. Përveç rritjes së cilësisë do të synojmë që t’i japim medalje Shqipërisë, ndërsa pretendojmë që në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, jo vetëm të marrim pjesë, por të futemi edhe në zonën e medaljeve.

A mund ta shikojmë ardhjen e çeçenëve si një këmbanë alarmi për sportistët vendës, ku nuk po arrijmë më të nxjerrim mundës të kalibrit të Sahit Prizrenit?

Para pak kohësh fituam medalje me Bajram Sinën në Kampionatin Europian U23 që u zhvillua në Maqedoninë e Veriut. Mendoj që kjo është një shkëndijë për të gjithë brezin e ri, por gjithashtu edhe një mesazh për shtetin. Mundja nuk është harruar dhe ka elementë madje edhe më të mirë se Sahit Prizreni, por ajo që mungon është mbështetja dhe vëmendja. Megjithatë, shpresoj që tashmë diçka po lëviz për mirë, duke parë ndryshimet në Komitetin Olimpik apo edhe buxhetin.

Ndërsa dua ta mbyll me një falënderim për presidentin Ilir Meta, i cili ka firmosur dekretin për dy sportistët rus. Meta e ka vërtetuar që në kohën kur ka qenë kryeministër që është dashamirës i sportit dhe një nga politikanët që e ka dashur më shumë sportin në këto 30 vite. Gjithashtu dua të falënderoj edhe KOKSH-in për ndihmën që na ka dhënë në përshpejtimin e disa procedurave për këta djem.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"