EKSKLUZIVE/ Shqipëria dhe Kosova me një kampionat, sekretari i FSHB-së: Kemi marrëveshje, presim përgjigje nga FIBA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2020 | 0:11

EKSKLUZIVE/ Shqipëria dhe Kosova me një kampionat, sekretari i FSHB-së: Kemi marrëveshje, presim përgjigje nga FIBA

Krijimi i një kampionati të përbashkët basketbolli mes Shqipërisë dhe Kosovës është një temë që po diskutohet shumë ditët e fundit. Një ide mjaft e bukur, të cilën e konfirmoi presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, në një deklaratë të dhënë ditët e fundit në media. Në lidhje me këtë temë është shprehur edhe Korab Llazani, sekretari i përgjithshëm i FSHB-së.
korab-llazani
Në një prononcim për “Panorama Sport”, Llazani fillimisht foli për një turne ndërmjet dy vendeve, i cili mendohej të zhvillohej gjatë këtij muaji: “Ishte planifikuar për t’u zhvilluar një aktivitet i përbashkët me Kosovën gjatë këtij muaji, me pjesëmarrjen e katër skuadrave për meshkuj, ndërsa në shtator do të organizohej për femrat. Por u ndodhëm në këtë situatë emergjente dhe ky aktivitet nuk mund të mbahej. Kishim organizuar eventin të emërtuar ‘Kupa Shqiptare’, e cili do të mbahej më datat 14-16 prill dhe që do të ishte edhe hapi i parë”.

Atë që nuk po arrin ta bëjë politika, po synon ta bëjë sporti, duke bashkuar Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa më parë hapat e parë për një event të përbashkët i ka hedhur edhe futbolli”.
flamuri-shqiperise-flamuri-i-kosoves
Më pas Llazani konfirmoi se të dyja federatat kanë arritur marrëveshje për një kampionat të përbashkët dhe kjo pritet vetëm të formalizohet: “Tani po shikojmë mundësitë për ta institucionalizuar si aktivitet, duke bërë hapat e nevojshëm dhe kërkojmë të marrim lejen në FIBA. Sipas statutit të FIBA-s, federatat kombëtare zhvillojnë veprimtaritë brenda territorit të tyre shtetëror, aty ku kanë edhe kompetencën ligjore. Por me marrëveshjen që kemi mes dy federatave dhe me konsensusin e FIBA-s duam të na jepet kjo e drejtë për organizimin e një kampionati të tillë. E rëndësishme është që ne dhe pala kosovare kemi rënë dakord për një organizim të tillë. Tani fatmirësisht distancat janë afruar dhe koha është e mjaftueshme. Por siç e thashë ky është një proces që duhet ta ndjekim hap pas hapi dhe kërkon kohën e tij”.

Në fund sekretari i FSHB-së komenton edhe situatën me virusin “COVID-19”, që ka paralizuar të gjitha aktivitetet sportive: “Po presim se çfarë do të bëhet me këtë situatë dhe çfarë do të thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë në lidhje me gjithë sistemin sportiv në botë. Presim edhe vendimin e shtetit shqiptar, pasi i kemi sportistët pa stërvitje, palestrat janë të mbyllura dhe çdo gjë qëndron e bllokuar. Brenda datës 30 prill bordi drejtues do të marrë vendimin se çfarë do të bëhet me aktivitetet”, përfundoi prononcimin e tij Korab Llazani.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"