EKSKLUZIVE/ “Shpresoj te drejtësia e Gjykatës Federale, Skënderbeut i duhet një vend në Europë”, Shkëmbi: Vitin tjetër do marr drejtimin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Korrik 10, 2020 | 15:19


EKSKLUZIVE/ “Shpresoj te drejtësia e Gjykatës Federale, Skënderbeut i duhet një vend në Europë”, Shkëmbi: Vitin tjetër do marr drejtimin…

Ish-kapiteni i Skënder beut, Bledi Shkëmbi, rikthehet të komentojë futbollin në Shqipëri. Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ish-numri 10-të i Skënderbeut bën një pasqyrim të gjendjes së ekipeve në këtë fundsezoni, duke e quajtur të hapur garën për titull, por përcaktues, sipas tij, do të jetë rezultati i derbit. Nga ana tjetër korçari shpreson në faljen e Skënderbeut dhe që ky ekip të kapë sërish Europën, teksa mban sekret emrin e ekipit që do të drejtojë sezonin e ri.SHKEMBI

Mendoni se renditja aktuale është e drejtë për atë që kanë dhënë skuadrat deri më tani?

Mendoj që çdo ekip meriton klasifikimin që ka aktualisht, duke bërë disa lëvizje minimale. Kemi parë që skuadrat nuk kanë treguar stabilitet dhe kanë pasur shumë luhatje në këtë sezon. Për këtë arsye, mendoj se çdo ekip ka atë klasifikim që meriton.

Cili është pengu juaj te Teuta dhe deri ku mund të shkojë ky ekip këtë sezon?

Nuk kam asnjë peng, por veçse kënaqësi për atë çfarë kalova dhe çfarë bëra te Teuta. Madje mund të them se ndjej akoma kënaqësi që në këto momente Teuta po bën atë për të cilën ka investuar. Ekipi i Teutës po bën ndeshje shumë të mira dhe patjetër që do të arrijë objektivat që ka.

Si e shikoni garën për titull, të hapur, apo mendoni se Tirana e ka të fituar kampionatin?

Humbja e Tiranës nga Kukësi patjetër që e hapi kampionatin. Ndryshimi tani në këtë fazë të sezonit është fakti se nuk ka më kohë rikuperimi për gabimet, prandaj gjithçka duhet menduar mirë. Kjo javë që vjen është shumë delikate si për Tiranën, por edhe për Kukësin, pasi luajnë me kundërshtarë të vështirë.

Çfarë prisni nga derbi, mendoni se Partizani mund të trondisë Tiranën apo shikoni një ndeshje ku bardheblutë janë favoritë?

E para, për derbin më vjen keq që do të luhet pa tifozë. Pastaj, për t’u rikthyer te pyetja juaj, në fushë derbi ka treguar se nuk ka favoritë. Mendoj që Partizani do të dojë të luajë ndeshjen e sezonit, pasi do të kërkojë që të paktën ta fitojë këtë derbi, pavarësisht se si i ka shkuar ky sezon. Tirana do të kërkojë ta fitojë ndeshjen nga ana e saj dhe patjetër që ka një objektiv më të madh dhe më të rëndësishëm se Partizani. Këto janë ndeshje ku Tirana duhet të tregojë që ka ekip i cili në situata të vështira di ta kthejë situatën në favor të saj.

Skënderbeu po shkon në rënie të lirë. Si e keni parë sezonin e korçarëve?

Unë mendoj që sezoni deri tani ka qenë pozitiv, duke parë edhe situatën e krijuar, por edhe ndeshjet e luajtura nga ekipi. Por nëse Skënderbeu nuk arrin të zërë një vend në kupat e Europës, atëherë mendoj se nuk mund të quhet sezon pozitiv.

Skënderbeun e shihni më afër zonës europiane apo mund të rrezikojë “play out”- in?

Nuk e çoj ndërmend si mundësi. Jam i bindur që Skënderbeu nuk e rrezikon “play out”-in.

shkembi duro

Ku do ta shohim Shkëmbin në sezonin tjetër?

Akoma nuk është vendosur se cilin ekip do të drejtoj sezonin e ardhshëm. Por patjetër që në sezonin e ri do të jem i ulur në një pankinë.

Është e vërtetë që mund të riktheheni te Teuta?

E thashë paksa dhe më sipër që ekipet me të cilat kam bisedime nuk mund t’i them, për respekt të klubeve dhe të kolegëve që janë duke drejtuar. Nuk mund të them asgjë më tepër pasi të gjitha ekipet janë në garë për objektivat e tyre si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Besoni se Skënderbeu mund të falet apo s’keni më shpresa?

Unë shpresoj dhe uroj shumë që Skënderbeu të falet nga kjo çështje.

Çfarë shijeje të la ndeshja Bylisi-Tirana për Kupë?

Të them të drejtën, nuk e kam parë atë takim, prandaj nuk kam asnjë koment. Sinqerisht.

LLAZI SARO




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com