EKSKLUZIVE/ “Shpëtoj Lushnjën dhe qëndroj”, misioni i Dalipit: Marr përgjegjësitë e mia, por duhet…
Lushnja sheh “hijet” e rënies. Pas humbjes në Luz, mbijetesa bëhet gjithnjë e më vështirë. Këtë e pranon edhe vet Klevis Dalipi, ndonëse thellë-thellë nuk dëshiron të dorëzohet…
Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri analizon deri në detaje ecurinë e skuadrën e tij dhe pengesat që i kanë dalë rrugës. Merr përgjegjësi për çdo verdikt, por në anën tjetër kërkon më shumë impenjim prej të gjithëve.
Pas humbjes me Luzin, situata te Lushnja duket shumë e vështirë. Besoni ende te mbijetesa?
Që kur erdha e dija që ishte një mision i vështirë. Për vetë rrethanat dhe kalendarin. E kisha të qartë edhe pjesën që në merkato nuk mund të merrnim çka donim. Ishim jo vetëm në limite, por janari nuk ofron shumë…
Gjithsesi, i bëtë disa afrime…
Bëmë zgjedhjet më të mira, në ato momente të vështira. Doksani, Selita, Levendi dhe Samake janë disa. Dhe i afruam, duke ditur që në kishim një kalendar të vështirë. Ne si klub bëjmë kalkulimet me transfertat tona. Në Burrel nuk dolëm pa pikë. U premë rrugën në Lezhë e Cërrik, ndonëse ishim pranë fitoreve.
Por, ngecët në Luz. Çfarë nuk shkoi?
Jo për viktimizim dhe justifikim, por në këtë ndeshje kyçe kishim mungesën e Andonit. Është “zemra” e mesfushës dhe ka lënë një “handikap”. Nuk ishte as Alushi, si edhe na u shtuan dëmtime në momentet e fundit. E kam fjalën për Doksanin edhe Cankën.
Doni të thoni se ndikuan mungesat?
Për një skuadër si Lushnja dhe në një transfertë si ajo, janë një boshllëk shumë i madh këto mungesa. Unë nuk dua të shmangem nga përgjegjësitë. Përkundrazi, e dimë se çfarë duam nga ky sezon. Nuk është vetëm dëshira ime, por e gjithë lushnjarëve. Asnjëri nuk dëshiron ta shoh skuadrën në këto nivele.
Kur kanë mbetur edhe 4 javë deri në finish, si është situata te Lushnja?
Në skuadrën tonë punohet çdo ditë. Unë nuk dua që të shpërndaj përgjegjësitë. Unë i kam marrë edhe pas Luzit dhe do t’i marr gjithmonë, sepse jam trajneri. Por dua që kjo përgjegjësi të shpërndahet pak edhe në grupin tonë.
Ku konkretisht?
Unë dua impenjim maksimal në çdo sekondë të seancave stërvitore. Jo minutë, por sekondë. Kështu ne mund t’ia dalim. Unë nuk erdha këtu për të bërë skuadër, unë erdha për ta rregulluar. Dhe faktet flasin vetë. Por ende nuk jam shumë i kënaqur. Kemi pësuar shumë gola në këtë fazë të dytë. Por, në raport me fazën e parë jemi më mirë.
Çfarë keni dashur të krijoni te Lushnja?
Unë kam dashur të krijojë një profil skuadre. Ne nuk bëjmë një lojë spektakolare në sulm. Sepse kjo kërkon kohë dhe lojtarët e duhur. Mentalitetin e duhur për ta aplikuar këtë lloj loje. Por, unë dua një gjë shumë të thjeshtë: me shumë grintë dhe shpirt. Të krijojmë një grup solid, që nuk thyhet lehtë. Sa herë që jemi munduar, kemi bërë mirë në fushë.
Për çfarë ka nevojë imediate skuadra juaj?
Pikët, në raport me lojën e bukur janë avantazh shumë përpara lojës. Unë dua t’u bëj me dije të gjithë futbollistëve që kam në organikë, të japin maksimumin me ato detyra fanatike që unë kërkoj. Ne duhet të bëjmë më të mirën për të shpëtuar skuadrën. Nëse dalim nga “play out”-i është mrekulli. Nëse do të duhet të diskutojmë qëndrimin në ndeshje shtesë, jemi gati të luftojmë deri në pikën e fundit të jetës.
Kjo është “sfida” e Klevis Dalipit?
Ky është qëllimi im. Ndaj e them në “Panorama Sport”, njerëzit le ta shpërndajnë. Të kemi transparencë. Ne duhet të shpëtojmë. Nëse e arrimë, e kryem misionin e gjithë qytetit. Pastaj se çfarë do të ndodhë sezonin tjetër, kjo është një çështje tjetër. Unë e mora këtë mision, këtë risk e këtë sipërmarrje dhe do të vazhdoj të qëndroj për ta arritur këtë objektiv.
Nëse do ta shpëtoni Lushnjën, do të qëndroni edhe sezonin tjetër?
Ta qartësojmë. Nuk kam ardhur te Lushnja si kalimtar, e shpëtoj apo jo… Qëllimi është që të qëndrojmë në Kategorinë e Parë dhe unë të rri përsëri sezonin tjetër në krye të pankinës. Dua që jem pjesë e projektit madhor të Lushnjës.
Kjo është dëshira, të paktën imja. Por, kjo nuk është vetëm dëshirë. Është ambicie, grintë, angazhim, impenjim. Të gjitha këto duhet të jenë të shoqëruara me shpëtimin e Lushnjës, në fund të sezonit.
ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"