EKSKLUZIVE/ Shpërthen portieri i Vllaznisë, i zhgënjyer me Kombëtaren: U thirra të isha titullar, por… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 22:49

EKSKLUZIVE/ Shpërthen portieri i Vllaznisë, i zhgënjyer me Kombëtaren: U thirra të isha titullar, por… (E PLOTË)

Portieri i Vllaznisë, Alen Sherri, ka mbetur i zhgënjyer nga stafi i Kombëtares U-21. I thirrur që të ishte titullar në këtë skuadër, Sherrit i është kërkuar që të mos jetë pjesë e kësaj përfaqësueseje në çastet e fundit. Mësohet se drejtuesit e skuadrës kanë menduar që të thërrasin portierin Elhan Kastrati dhe t’ia besojnë atij mbrojtjen e katërkëndorit në ndeshjen e sotme eliminatore që përfaqësuesja kuqezi do të luajë në Estoni.

Kastrati ishte në Izrael me Kombëtaren A ku u thirr pas largimit të Alban Hoxhës që u dëmtua. Sherri ka mbetur shumë i zhgënjyer nga kjo zgjedhje, ndërsa thotë se të tre portierët që janë pjesë e Kombëtares U-21, së bashku nuk kanë as gjysmën e minutave të aktivizimit të gardianit shkodran. Elhan Kastrati, Gentian Selmani dhe Mario Dajsinani janë aktualisht tre portierët e grumbulluar nga trajneri Alban Bushi. Kastrati ka luajtur vetëm 1 ndeshje me Peskarën në Serinë B, Selmani tetë takime, ndërsa Dajsinani asnjë ndeshje me Skënderbeun.

Alen Sherri

SHERRI

“Të jem i sinqertë, jam mërzitur nga ai anashkalim që m’u bë në Kombëtaren U21. U thirra që të isha pjesë e skuadrës dhe për më tepër që të luaja titullar, por në çastet e fundit drejtuesit morën një vendim që në portë të luante Kastrati. Unë me të vërtetë luaj me ekipin e Vllaznisë në Kategorinë e Parë, por forma ime është më e mira. Jam aktivizuar në të gjitha takimet e kampionatit, duke i luajtur minutat e plota dhe kam pësuar vetëm një gol. Më vjen keq që të tre portierët e tjerë së bashku nuk kanë as gjysmën e minutave të mia. Gjithsesi, kjo më mërzit, por edhe më nxit që të vijoj të punoj më shumë që të jem sërish pjesë e ekipit Kombëtar”, u shpreh fillimisht Sherri në prononcimin e tij për “Panorama Sport”.

VLLAZNIA

Megjithatë, në anën tjetër, portieri është ndier mirë që nuk ka udhëtuar me ekipin drejt Estonisë për të qenë portier i dytë i skuadrës. Ai në këtë periudhë kërkon që të punojë shumë për të qenë i vlefshëm për Vllazninë. “Të jem i sinqertë, nuk ka sesi të ndihesh mirë kur nuk luan me ekipin Kombëtar, por të paktën jam ndier më i qetë, pasi drejtuesit menduan që të mos udhëtoj fare për të qenë portier rezervë. Tani i gjithë fokusi im është te Vllaznia. Te kjo skuadër dëshiroj që të jap më të mirën dhe për më tepër të kontribuoj në ringritjen e saj. Kam pasur shumë oferta në merkaton e verës, por përzgjodha Vllazninë që të kontribuoj për të, por edhe të rritem më shumë profesionalisht”, vijoi portieri.

Përballja me Erzenin për kuqeblutë shikohet si e lehtë në letër. Megjithatë, për gardianin e portës shkodrane të gjithë takimet duhet të vlerësohen njëlloj. Sipas tij nuk duhet që të ketë asnjë mëdyshje për ngjitjen e skuadrës. “Nuk ka takime të lehta. Të gjithë ekipet mobilizohen kur luajnë me Vllazninë. Ne po e vlerësojmë edhe në stërvitje këtë ekip që do kemi përballë. Por, dua të them se edhe në këtë takim si në çdo ndeshje tjetër, objektivi ynë është fitorja. Ne këtë kërkojmë edhe ndaj Erzenit”, deklaroi portieri shkodran, Alen Sherri.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"