EKSKLUZIVE/ “Shpërthen” ish-trajneri Lutaj: Gënjeshtrat te Flamurtari do t’i kishte zili edhe Nastradini…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2020 | 19:49

EKSKLUZIVE/ “Shpërthen” ish-trajneri Lutaj: Gënjeshtrat te Flamurtari do t’i kishte zili edhe Nastradini…

Edmond Lutaj e shikon gati të pam undur që Flamurtari të qëndrojë në Kategorinë Superiore. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Lutaj thotë se kjo situatë është një tallje e fyerje për të gjithë qytetin, si dhe një njollë e zezë për klubin, ndërsa me batutë shprehet se edhe Nastradini do të bëhej xheloz po të dëgjonte çfarë thuhet në Vlorë. 

lutaj

 

Ish-trajneri vlonjat ka edhe një koment për deklaratën e trajnerit Troisi që ka si objektiv Kupën e Shqipërisë. Sipas Lutajt, braziliani ose ka bërë lapsus, ose nuk e kupton situatën e Flamurtarit. Më tej, ai vlerëson Partizanin dhe Kukësin për cilësitë, por parashikon në fund Tiranën si kampione të këtij kampionati, për të cilin gjykon se ka konkurrencë dhe se ka një garë të fortë.

Lutaj, sa i ka shanset për mbijetesë ky Flamurtar, tani që janë shumë pikë larg dhe, sipas jush, si mund të shpëtojë?

Mbijetesa po duket gati e pamundur. Nuk mendoj që ka ndonjë shans real për mbijetesë.

Flamurtari2

Ekipi ende nuk ka njohur shijen e fitores, mbani mend të ketë ndodhur ndonjëherë kjo situatë?

Nuk mbaj mend ndonjëherë që ekipi i Flamurtarit të ketë qenë në këtë gjendje të mjeruar. Kjo situatë është një fyerje për të gjithë qytetin. Një tallje me stafin dhe futbollistët e momentit, gjithashtu dhe një njollë e zezë në historinë e klubit.

Trajneri Troisi shprehet se ka objektiv Kupën e Shqipërisë. Si e lexoni këtë deklaratë?

Nuk e kuptoj tamam këtë shprehjen e trajnerit Troisi. Ose ka bërë një lapsus, ose nuk e kupton tamam situatën e Flamurtarit.

Vijnë lojtarë dhe ikin, si e shikoni këtë gjendje të ekipit?

Mua seriozisht më vjen keq për të gjithë këta trajnerë dhe futbollistë që afrohen te Flamurtari në këto momente me shpresën se situata do të ndryshojë, se lojtarët do të paguhen, se FIFA-n nuk e pyet njeri, se Flamurtari do të vazhdojë merkaton, se ekipi nuk bie nga kategoria etj. E kuptoni se çfarë cirku po bëhet në kurriz të Flamurtarit?! Duke dëgjuar kaq shumë gënjeshtra të rëndomta, mendoj se edhe Nastradini do të bëhej xheloz.

Lutaj

 

Si e vlerësoni kampionatin këtë sezon?

Kampionati ka goxha garë të fortë. Dy ekipet që janë në fund të tabelës, si Luftëtari dhe Flamurtari, po bëjnë maksimumin e tyre për t’u futur në garë. Kjo gjë e bën garën në kampionat edhe më të fortë. Ndërsa ekipet e tjera janë shumë të motivuara, duke parë që pothuajse të gjithë e kanë një shans real si për të dalë kampion ose për të zënë një vend të favorshëm në klasifikim që të jep mundësitë për të luajtur në Kupat e Europës.

Cilat ekipe janë favorite për titullin, sipas jush?

Partizani dhe Kukësi janë dy ekipet me përbërjen më cilësore në Superiore dhe mendoj se janë më të favorizuara nga të tjerët, por unë mendoj se në fund, ky kampionat do t’i buzëqeshë Tiranës.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"