EKSKLUZIVE/ Shok me Vidalin, Kukësi gati “bombën” e merkatos. Pranë firmës me lojtarin që ka luajtur në Serinë A (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2022 | 23:23

EKSKLUZIVE/ Shok me Vidalin, Kukësi gati “bombën” e merkatos. Pranë firmës me lojtarin që ka luajtur në Serinë A (VIDEO)

Kukësi po bëhet gati të sjellë “bombën” e merkatos në futbollin shqiptar.

NIKOLAS KASTIJO 1

Burime të besueshme pranë kampit verilindor, pohojnë për “Panorama Sport” se janë pranë akordit me sulmuesin Nikolas Kastijo, i cili më herët ka milituar në Serinë A italiane apo edhe Bundesligë në Gjermani.

Ai ka luajtur edhe 24 ndeshje me kombëtaren e Kilit, ku ka shënuar katër gola, ndërsa nuk mungojnë as trofetë e shumtë me ekipet pjesëmarrëse.

Burimet pohojnë se futbollisti i është ofruar nga menaxherët e tij kuksianëve për të qenë pjesë e tyre këtë sezon.

Bëhet fjalë për një lojtar, i cili ka një CV shumë të pasur, teksa vështirë se një futbollist i këtij niveli ka luajtur më herët në futbollin shqiptar.

29-vjeçari nga Kili është një sulmues tipik që njeh mirë zonën dhe do të ishte zgjidhja ideale në këtë repart.

Mjafton të thuhet që vlera aktuale e tij në treg është 1 milion euro, ndërsa pak vite më parë ai kushtonte 6 milionë euro dhe rreth tij janë qarkulluar plot 21.8 milionë euro nga ekipet për t’i blerë kartonin.

NIKOLAS KASTIJO 2

KARRIERA – Nikolas Kastijo e ka nisur karrierën në ekipin e Universitad Katolika, për t’u blerë më pas nga gjigantët e klubit belg, Klub Bryzh, për 3 milionë euro në vitin 2013.

Me belgët qëndroi për një sezon dhe më pas u dërgua për huazim në Bundesligë te Mainz, dhe më pas te Frosinone në Serinë A dhe sërish tek ekipi i tij mëmë, Universitad Katolika.

Bryzh i shet kartonin më pas në janar të 2016 plot 3.80 milionë euro për tek ekipi meksikan UNAM Pumas.

Pas shkëlqimit me meksikanët, ku në një sezon e gjysmë shënoi 25 gola, ra në sy të gjigantëve portugezë të Benfikës, të cilët paguan 7.87 milionë euro.

Pas gjashtë muajsh me luzitanët, Kastijo rikthehet në Meksikë dhe luan në radhët e klubit të Amerikas, me këta të fundit që paguan 7.13 milionë euro për të marrë shërbimet e tij.

Pas dy sezonesh në këtë skuadër shkon huazim tek ekipi brazilian i Juventudes dhe si lojtar i lirë te skuadra e Nekaksës në Meksikë, e cila ishte edhe skuadra e tij e fundit.

NIKOLAS KASTIJO 3 (1)

KOMBËTARJA – Në kulmin e karrierës së tij, ka qenë pjesë e kombëtares së Kilit dhe është aktivizuar në 24 ndeshje, me katër gola të realizuar.

Ka luajtur pak minuta edhe në finale midis Kilit dhe Argjentinës për Kupën e Amerikës në vitin 2016, e mbyllur barazim pa gola, por kilianët fituan me penallti.

Njërën prej tyre e shënoi pikërisht Kastijo, pasi më herët e humbi Vidal për të tijtë dhe Mesi për Argjentinën.

Në fund, feston Kili dhe Lionel Mesi shpërthen në lot, pasi sheh t’i shpëtojë nga duart ky trofe me Argjentinën e tij, aq shumë të dëshiruar prej “pleshtit”.

PROBLEMI – Megjithatë, edhe pse palët ishin shumë pranë marrëveshjes dhe Kukësi ishte gati të firmoste me të, në fund drejtuesit janë stepur dhe për momentin situata mbetet pezull.

Mësohet se kiliani ka luajtur shumë pak në dy vitet e fundit për shkak të një dëmtimi që ka pasur dhe për momentin në klub janë duke i peshuar mirë gjërat, nëse do ta marrin apo jo në konsideratë të hyjnë në tentativa serioze për të nënshkruar kontratën dhe të paguajnë rrogën e tij.

Kiliani ka pësuar një dëmtim kur ishte pjesë e ekipit Amerika në elitën e futbollit meksikan që e mbajti larg fushave për më shumë se një vit dhe sezonin e fundit ka luajtur vetëm katër ndeshje me një total prej 85 minutash.

Praktikisht prej dy vitesh ka pasur shumë pak hapësira në këmbët e tij, duke bërë që në klub të jenë ende skeptikë për formën e tij.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"