EKSKLUZIVE/ Shkurtaj në modë, Gjici e shet për 500 mijë euro! “Sirena” kroate për Limajn

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 17, 2020 | 22:57

FB Kategoria Superiore Kukësi LAJMI KRYESOR Të fundit

EKSKLUZIVE/ Shkurtaj në modë, Gjici e shet për 500 mijë euro! “Sirena” kroate për Limajn

Kukësi ka arritur një formë shumë të mirë sportive, sidomos gjatë këtyre dy muajve të fundit, të cilën e kanë treguar në 5 javët e fundit të kampionatit, me katër fitore dhe një barazim, por dhe në miqësoret e zhvilluara në Antalia. Nënkampionët e Shqipërisë kanë barazuar ndaj Malatjaspor dhe Politehnika Lasit, e ndaj këtyre të fundit kanë dominuar ndjeshëm, paçka se nuk kanë fituar. 

kukesii

Drejtori Nexhipi së bashku me trajnerin Duro kanë arritur të krijojnë një skuadër mjaft kompetitive dhe lojtarët po shkëlqejnë në rolet e tyre. Trajneri Duro ka ditur t’u marrë më të mirën shumë lojtarëve, e dy prej tyre janë Vasil Shkurtaj dhe Vesel Limaj. Dy lojtarët në fjalë dhe emra si Et’hemi, Maliqi e Gavazaj janë në planet e drejtuesve, të cilët po ndjekin një strategji të mirëfilltë për shitjen e tyre. Këtë gjë e ka bërë me dije drejtori Nexhipi dhe publikisht, ndaj dhe minutat për ta kanë qenë maksimale.

VASIL SHKURTAJ

Sulmuesi 27-vjeçar vlonjat i Kukësit ka treguar një formë mjaft të mirë sportive ku me golat e tij është kthyer në një prej pikave të referimit të Kukësit. Ai ka shënuar 11 gola në 14 ndeshje të luajtura dhe duke parë statistikat është vënë në “lupën” e disa ekipeve.

Shkurtaj

Për Shkurtajn, presidenti Gjici i pagoi Luftëtarit 70 mijë euro dhe një rrogë mujore prej 7 mijë eurosh, por tashmë ka ardhur koha që shtatlarti të kërkojë një eksperiencë të re jashtë shtetit pas aventurës me Kukësin. Në intervistën e dhënë nga vetë lojtari për “Panorama Sport” në numrin e datës 10 janar, lojtari e pohoi vetë se synim i tij mbas fitimit të titullit me Kukësin ishte që të transferohej në një kampionat të fortë dhe se për të ka interesime.

Kështu interesim konkret ka nga një klub në Holandë për shtatlartin, por shifra që ata ofrojnë për të blerë kartonin e lojtarit nuk i kap 300 mijë eurot, gjë që nuk është marrë në konsideratë nga drejtuesit. Kukësi e lëshon Shkurtajn nëse vjen një ofertë te 400- 500 mijë euro.

Shkurtaj

Gjithsesi është menaxheri grek i Shkurtajt ai që po studion alternativat për klientin e tij. Dhe pse qarkullojn ëshumë fjalë për transferimin e vlonjatit, është shumë e vështirë, e thuajse e pamundur që me një shumë të tillë presidenti Gjici ta lërë të largohet, duke parë që Kukësi është pretendent kryesor për titull. Shkurtaj është nën kontratë me Kukësin deri në përfundim të Kupave të Europës. Nuk dihet akoma se si klubi do veprojë me sulmuesin, pasi kurrsesi nuk dëshiron që ai të largohet me parametra zero.

VESEL LIMAJ – Limaj është kthyer në një nga lojtarët kyç të mesfushës së Kukësit. Prej 2 sezonesh në radhët e verilindorëve mesfushori 23-vjeçar ka treguar pjekuri dhe lojë mjaft të mirë, aq sa drejtuesit shpresojnë që këtë verë ai të jetë objekt shitjeje. Limaj ka udhëtuar një ditë me vonesë drejt Antalias (datë 5 janar) ku iu bashkua pjesës tjetër të ekipit, kjo pasi lojtari me pasaportë gjermane ndodhej në Berlin te familja.

limaj

Me këtë lëvizje ai ka shuar dhe zërat për një largim të mundshëm dhe për një konflikt mes tij dhe klubit. Limajt i përfundon kontrata, por ka opsion rinovimin direkt, ndaj çdo gjë për klubin është e mbyllur dhe nuk diskutohet që lojtari të lëvizë nga Kukësi.

Pas rikthimit të ekipit në Tiranë në fund të ditës së sotme, pritet që mesfushori të bëjë një bisedë me presidentin Gjici, nga ku pritet një rishikim kontrate. Limaj do të marrë një rrogë më të lartë dhe do të jetë natyrisht objekt shitjeje në verën e këtij viti. Qarkullojnë zëra se për të ka ofertë nga Kroacia. Burime të gazetës pranë klubit bëjnë me dije se nuk ka asnjë ofertë zyrtare, por thjesht biseda menaxherësh.

Skerdilaid Sulozeqi – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com