EKSKLUZIVE/ “Shkrihen akujt” mes palëve, futbollisti i Partizanit drejt rinovimit të kontratës. Daja e do në ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2020 | 23:50

EKSKLUZIVE/ “Shkrihen akujt” mes palëve, futbollisti i Partizanit drejt rinovimit të kontratës. Daja e do në ekip

Esat Mala pritet të rinovojë kontratën me Partizanin edhe për të paktën një vit. Mesfushori 21-vjeçar ishte në fushë për 90 minuta në ndeshjen Devolli-Partizani B (3-4) dy ditë më parë në stadiumin “Elbasan Arena”. Ashtu si Bardhi, Bitri dhe të tjerë lojtarë të Partizanit, edhe Mala ka meritën e tij për ngjitjen në Kategori të Parë të ekipit të dytë të klubit pas finales me Devollin.

Mala5

Ai u bë protagonist me dy asiste për gol dhe një penallti të fituar. Aktivizimi me ekipin B nuk mund të quhet rastësi, aq më tepër që sezoni i rregullt për Superioren ka përfunduar më 29 korrik. Drejtuesit i kishin kërkuar lojtarit që të ndihmonte ekipin e dytë dhe ai menjëherë pranoi ftesën. “Panorama Sport” mëson se mes Malës dhe klubit, jo vetëm që janë sheshuar kontradiktat e muajve më parë për kontratën, por tashmë pritet të zyrtarizohet edhe marrëveshja për rinovimin e saj.

Burime në klub i thanë gazetës se drejtuesit kanë rënë parimisht dakord me mesfushorin për kontratën e re. Edhe pse ende nuk ka diçka zyrtare, mësohet se ka qenë trajneri i ri, Ilir Daja, ai që pasi ka biseduar me drejtuesit, u ka kërkuar me ngulm atyre që të bindin Malën për të qëndruar.

Mala derbi

Shanset tashmë që mesfushori nga Prizreni të rinovojë janë të mëdha, aq më tepër që skuadra është në kushtet ku disa elementë të rëndësishëm nga sezoni i kaluar janë larguar.

21- vjeçari luan me të kuqtë prej dy vitesh e gjysmë, ndërsa në janar të këtij viti pati oferta konkrete për t’u transferuar në kampionatin holandez. Por, pas konfliktit për kontratën me klubin e kuq, ai qëndroi disa muaj pa luajtur, derisa palët gjetën një marrëveshje. Me qëndrimin e Malës, “demat” do të garantonin shërbimet e një lojtari që u bë shumë i rëndësishëm në formacionin e kuq këto dy sezone.

JORGIS MEMO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"