EKSKLUZIVE/ “Shkëndija” për kryendeshjen Kukësi-Partizani, Mici tregon favoritin: Vendosin Ibraimi dhe “Buba”, Zhunior i pandalshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2021 | 23:49

EKSKLUZIVE/ “Shkëndija” për kryendeshjen Kukësi-Partizani, Mici tregon favoritin: Vendosin Ibraimi dhe “Buba”, Zhunior i pandalshëm

Kukësi-Partizani është gjithmonë një sfidë që merr shumë vëmendje në Shqipëri, duke u kthyer në një derbi vitet e fundit, pasi të dyja skuadrat gjithmonë synojnë kreun e tabelës. Të dielën, dy ekipet përplasen sërish me njëri-tjetrin, në një sfidë që kësaj radhe do të jetë disi ndryshe.

Mici Zhunior Ibraimi

Kjo për shkak se skuadrat kanë ndryshuar shumë muajt e fundit e tashmë, janë plot 5 ish-futbollistë të Shkëndijës së Tetovës që aktivizohen në dy ekipet.

Te Kukësi, janë Agim Ibraimi, Gjelbrim Taipi dhe Besir Demiri, ndërsa te Partizani, dy futbollistët e afruar këtë janar, Stenio Zhunior dhe Ferhan “Buba” Hasani. Për ta parë në një këndvështrim tjetër këtë sfidë brenda sfidës, “Panorama Sport” ka kontaktuar me Gledi Micin, i cili gjatë periudhës së tij në Maqedoni, ka luajtur me Stenio Zhunior dhe Agim Ibraimin.

30-vjeçari ka luajtur për skuadra si Apolonia, Kamza, Flamurtari, Kukësi dhe Skënderbeu në Superiore, për të vazhduar më pas karrierën e tij te Shkëndija e Tetovës në Maqedoni, ndërsa tashmë është pjesë e Prishtinës në Kosovë. Pikërisht te Shkëndija, Mici ka luajtur me dy lojtarët, Ibraimi dhe Zhunior, që janë pika referimi për Kukësin e Partizanin.

Mici ka dhënë një intervistë të gjatë, ku na tregoi më shumë për Zhunior dhe Ibraimin, kohën që ka kaluar te Shkëndija, si dhe dha një parashikim për sfidën, ku u shpreh se Partizani është më i avantazhuar, por në fund do të mbyllet në barazim 1-1, me gola të Ibraimit dhe “Bubas”. Për ironi, dy ish të Shkëndijës…

Zhunior Mici

Gledi, keni thuajse tri vite që jeni larguar nga Superiorja. E ndiqni ende kampionatin?

Po, patjetër që e ndjek. Sa herë që kam mundësi, i shoh të gjitha ndeshjet.

Keni luajtur me disa skuadra në Shqipëri, ku jeni ndier më mirë?

Të them të drejtën, në të gjitha skuadrat jam ndier shumë mirë dhe i respektuar, por pak më shumë te Skënderbeu, pasi arritëm maksimumin e sukseseve, duke i fituar të gjitha.

Tashmë, po bëni shumë mirë te Prishtina. E prisnit të ishit një prej lojtarëve më të rëndësishëm në klub dhe si ju është dukur futbolli në Kosovë? 

Unë mundohem të jem profesionist në çdo ekip që shkoj dhe jam përshtatur shumë mirë te Prishtina. Futbolli në Kosovë është në rritje, pasi investimet në afrimet e lojtarëve janë të mëdha. Mbase edhe më shumë se në Shqipëri. Mungon pjesa e infrastrukturës, që në vitet në vazhdim, besoj se do të rregullohet.

Të dielën, luhet Kukësi-Partizani, një ish-skuadër e juaja dhe një ekip që ka shfaqur interes për kartonin tuaj verën e shkuar. Si e parashikoni këtë sfidë?

Do të jetë një sfidë e bukur, pasi të dyja ekipet vijnë nga fitoret dhe kanë trajnerët më me përvojë dhe lojtare që bëjnë diferencën në fushë. Besoj se Partizani mund të jetë pak më i avantazhuar sepse ka treguar që ka vazhdimësi.

Kukësi-Partizani mund të quhet dhe si “mini-Shkëndija”, pasi aktivizohen emra si Ibraimi, Taipi, Demiri, Ferhan Hasani dhe Zhunior. Si i shihni kaq shumë afrime nga kampionati maqedonas në Shqipëri?

Mendoj se në Maqedoni, përveç Shkëndijës, nuk ka më ekipe që investojnë dhe kjo ka bërë që këta lojtarë të vijnë në Shqipëri.

Mici Ibra

Me Ibraimin dhe Zhuniorin, keni luajtur së bashku te Shkëndija. Çfarë mund të na thoni më shumë për dy futbollistët?

Të dy janë profesionistë të vërtetë dhe i kam shumë miq të dy.

Me Zhuniorin, keni luajtur dhe së bashku në krahun e majtë. Si është të luash pas një lojtari si Stenio?

Zhunior është ai lloj lojtari që nuk lodhet asnjëherë dhe vrapon pa fund. Kjo gjë, ma ka bërë dhe mua të lehtë të luaj me të.

Gjatë seancave stërvitore te Shkëndija, kush binte më shumë në sy, Ibraimi apo Zhunior?

Janë lojtarë të ndryshëm, por të dy jepnin 100% e tyre në çdo seancë stërvitore. Për Agimin, nuk kam përse të komentoj, pasi karriera e tij flet vetë për të.

Po për ju personalisht në seancat stërvitore,cili ishte më i vështirë për t’u markuar, Zhunior apo Ibraimi?

Më i rrezikshëm për mua nuk ishte asnjëri sepse ishim gjithmonë tek ekipi i formacionit dhe nuk na binte të luanim kundër (qesh).

Ibraimi ka shënuar 10 gola dhe është golashënuesi i Superiores. Kur mësuat se do të transferohej te Kukësi, e mendonit se do të bënte kaq mirë?

E dija qe Ibrahimi do të bënte mirë, pasi në çdo ekip që ka luajtur, gjithmonë ka bërë gola.

Po për Hasanin dhe Zhuniorin, mendoni se kanë bërë zgjedhjen e duhur duke iu bashkuar Partizanit?

Patjetër që kanë bërë zgjedhjen e duhur, pasi punojnë çdo ditë me një trajner që di t’i marrë maksimumin çdo lojtari. Plus, Partizani është emër shumë i madh në futbollin shqiptar.

Mici5

Dihet se Partizani synon fitimin e titullit kampion, po Kukësin e shihni ende në garë, pavarësisht se ka 11 pikë më pak se Vllaznia kryesuese?

Janë edhe shumë ndeshje në lojë, prandaj çdo gjë është e mundur. Përveç këtyre dy ekipeve, janë edhe Teuta e Laçi, që po bëjnë një kampionat për t’u vlerësuar.

Një parashikim për Kukësi-Partizani?

Partizani është më i avantazhuar, por them që del barazim 1-1, shënojnë Ibraimi dhe “Buba”.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"