EKSKLUZIVE/ Shkëlqim Muça: Si na u lut Xhani të fitonim, ja e vërteta e titullit ndaj Tomorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2020 | 11:42

EKSKLUZIVE/ Shkëlqim Muça: Si na u lut Xhani të fitonim, ja e vërteta e titullit ndaj Tomorit

Do të ishte titulli i parë për Tomorin në elitën e futbollit shqiptar, por në sezonin 1999-2000 u fitua nga Tirana. Nëse për beratasit, ndeshja shtesë është e kontestuar dhe sipas tyre u manipulua me rregulloren e FSHF-së, për kampin bardheblu të asaj kohe, kjo është e papranueshme.

Shkelqim-Muca1

Shkëlqim Muça, ish-trajneri i Tiranës në vitin 2000, ekskluzivisht për “Panorama Sport” nuk ngurron të komplimentojë ekipin beratas të atij sezoni, por thekson se skuadra e tj e ka fituar në fushë titullin në bazë të të gjitha rregullave. Ai zbulon edhe prapaskenën me ish-presidentin e Partizanit, Albert Xhani.

Profesor, si jeni?

Fatmirësisht mirë. Jam duke zbatuar rregullat e karantinës, duke qëndruar në shtëpi. Keni qenë trajner i Tiranës në titullin e vitit 2000.

E kujtoni si e fituat atë sezon?

Është e thjeshtë fare si histori. Ka qenë gjithçka e përcaktuar në rregullore që në fillim. Mjafton të hapni rregulloret e kohës apo edhe gazetat e kohës për të vërtetuar gjithçka.

Por beratasit kanë pretendime se është ndryshuar rregullorja?

Shikoni, ka qenë e caktuar që në fillim ndeshja finale nëse ekipet do të dilnin me pikë të barabarta. Si ka qenë ai kampionat? Nuk kemi qenë vetëm ne në luftë për titull. Deri në fund, kanë qenë tri skuadra shumë të mira, Tirana, Tomori dhe Teuta. Ka qenë një kampionat i mirë, mirëpo ka pasur probleme në ndeshjet e rretheve.

Çfarë problemesh kujtoni?

Ka pasur probleme! Nuk ka qenë rendi si këto vite. Ishte e vështirë që të fitoje një ndeshje jashtë fushës.

Edhe për Tiranën ishte e vështirë?

Edhe Tomori ka pasur probleme në Berat. Ndërsa ne në Berat jemi mundur 1-0. Madje është dhënë një penallti kot fare, e paqenë.

Pse, çfarë episodi ka qenë?

Gjoja i ra Alimehmetit topi në dorë. Episod, pasi topi ishte në këmbë, po dilte në këndore, i bie në dorë dhe e akordoi penallti. Ndërsa në Tiranë kemi luajtur normal isht, ka përfunduar barazim ndeshja.

Çfarë ju ka mbetur më tepër në mendje nga ai kampionat?

Kujtoj ndeshjen në Gjirokastër, ndërsa Tomori ka luajtur në Tiranë me Partizanin. Para kësaj jave, e cila ishte e parafundit, Tomori bën një ndalesë me Teutën. Ishin të dyja rivale dhe barazuan në Berat. Ne përfituam nga ky hap fals i tyre dhe u shkëputëm. Atë ditë është vrarë presidenti i Tomorit pas ndeshjes. Në atë takim është bërë diçka jonormale, sepse pjesa e dytë e Partizani-Tomori ka nisur me rreth 15 apo 20 minuta vonesë.

Pse anormale, çfarë ka ndodhur?

Ndeshjet luheshin në të njëjtin orar, por e kanë vonuar që të merrnin vesh më parë rezultatin e ndeshjes sonë në Gjirokastër.

Kush e ka vonuar dhe çfarë kujtoni nga ajo periudhë?

Unë kujtoj që Albert Xhani, presidenti i Partizanit në atë periudhë, na ka marrë në telefon ndërsa ne ishim në Gjirokastër. Kam qenë unë me shefin e klubit, Sulejman Memën. Çfarë bisede keni bërë me Xhanin? Na është lutur. Na ka thënë që: “Aman luani dhe fitojeni ndeshjen”.

Cili ishte interesi i Partizanit për ndeshjen e Tiranës?

Sepse, nëse ne ftonim në Gjirokastër, mbaronte kampionati, duke qenë se edhe ndeshjen e fundit ne e kishim në Tiranë.

Kur është bërë telefonata e Xhanit?

Në mëngjes teksa ishim në Gjirokastër. Ne kemi qenë duke pirë kafe dhe na mori Berti (Albert Xhani) në telefon. Nuk kishte asgjë të keqe në këtë mes. Na tha “luani dhe fitoni, sepse po fituat ju në Gjirokastër, ne fitojmë ndeshjen me Tomorin. Po nuk fituat ju, ne do ta humbim ndeshjen. Jam i detyruar që ta humbim ndeshjen…”. Kështu na ka thënë.

Çfarë ju ndodhi në Gjirokastër?

Kemi pësuar gol në minutën e 90-të. Me sa kujtoj, na ka shënuar trajneri i sotëm i Luftëtarit, Novi, në shtyllën e dytë një gol me kokë pas një krosimi (shënim i gazetës: goli është shënuar nga Admir Shehaj). Madje ka qenë edhe minutë shtesë dhe kishte përfunduar koha e rregullt. Ishte ndeshje e rregullt, por e fortë. Ne luajtëm pastër. Ka pasur interferime dhe premio nga jashtë që Gjirokastra ta luante atë ndeshje. U bë sfidë e fortë. 1- 0 për ne, patëm shumë raste, por nuk arritëm ta mbyllnim takimin. Në shtesë ne pësuam një gol aksidental dhe përfundoi takimi 1-1.

Po Tomori në Tiranë?

Pikërisht, kjo është çështja. Kur mbaroi ndeshja jonë, Tomori dhe Partizani kishin edhe 15 minuta kohë që të përfundonin lojën. Mos harroni që bëhej fjalë për dy takime që kanë nisur në të njëjtën kohë.

Po pse?

Ishte shtyrë kastile në pushim. Kishte ndodhur nuk di çfarë. Për këtë mund të pyesni drejtuesit e Partizanit se çfarë ka ndodhur. Di vetëm që është shtyrë të paktën 15 minuta që të shihnin ndeshjen tonë. Pastaj, në minutat e mbetura, po të shihni kronikën e kohës, ka shënuar Tomori dhe ka fituar takimin.

Pas kësaj ndeshjeje, ka ndodhur vrasja e presidentit të Tomorit dhe arbitrit të ndeshjes. U gjuajt ndaj presidentit të Tomorit, teksa ishin duke pirë birra pas ndeshjes, dhe plumbi rikoshet ka kapur arbitrin Luan Zylfo. Ndërsa Albano Janku është plagosur. Në javën e fundit ne dhe Tomori luanim në shtëpi secila, ku fituam dhe përfundoi kampionati me pikë të barabarta.

Kur e mësuat historinë që kishte ndodhur në Tiranë?

Kemi qenë duke ardhur me autobus nga Gjirokastra. Me sa kujtoj, kemi qenë afër Ballshit. Kemi mësuar lajmin e tmerrshëm për ngjarjen në Tiranë. Ndërsa që kur u futëm në dhomat e zhveshjes, Partizani-Tomori luhej ende.

tomori tirana

Në Gjirokastër u vendos fati i kampionatit…?

Në Gjirokastër ndalesa jonë dhe në Tiranë u vendos rënia e Partizanit nga kategoria. Pikërisht ndeshja e parafundit me Tomorin ishte vendimtare për Partizanin dhe zbriti. Nëse ne fitonim në Gjirokastër, edhe në Tiranë do të ishte ndeshje e mbaruar për Partizanin. Kështu na ka thënë presidenti Xhani.

Si ishte biseda me Xhanin?

Një bisedë normale. Ideja e fjalëve të tij ishte që luani fort. “Sepse po fituat ju, do fitojmë edhe ne. Po nuk fituat ju, ne jemi të detyruar që të humbim”. Kështu na ka thënë. Më pas u luajt ndeshja finale.

Pikërisht për këtë finale ka pretendime nga kampi beratas…

Ne e dinim që në fillim të kampionatit rregulloren që do të kishte një ndeshje finale mes ekipeve me pikë të barabarta, e caktuar të luhej në “Qemal Stafa”, sepse nuk dihej se cilat mund të ishin ekipet që mund ta mbyllnin me pikë të barabarta.

Insistoj, ata pretendojnë se është ndryshuar rregullorja në momentet e fundit të sezonit?

Ja t’jua them çfarë ka ndodhur. Kjo rregullore u prish prej Tomorit. Pasi ishte caktuar të luhej në Tiranë dhe prej tyre u zgjodh një qytet tjetër.

Beratasit edhe për këtë thonë se u favorizua Tirana që u luajt në Elbasan dhe jo në një qytet tjetër…

Po jua përsëris. Ndeshja ka qenë e përcaktuar të luhej në Tiranë. Kur bëhet një kalendar, një rregullore, nuk dihet se cila del me pikë të barabarta në fund. Ishte taksative që do të bëhej një ndeshje finale në “Qemal Stafa”. Këtë e ka konfirmuar edhe Besnik Çela, i cili asokohe ka qenë përgjegjësi i garave në FSHF. Madje, janë edhe kronikat e kohës. Nuk mund të themi kot që u ndryshua rregullorja në mes.

Tirana-Tomori

Tomori me shumë respekt them se ka bërë një kampionat shumë të mirë atë vit. Ka luajtur shumë mirë. Por në fund bëri një hap fals me Teutën dhe ne dolëm para me pikë. Madje, edhe ndeshja e fundit ka qenë prapë e barabartë, edhe pse pjesën e dytë ata luajtën me dhjetë vetë. U mor një i kuq pas dy të verdhëve nga një prej lojtarëve të tyre. Takimi ishte 1-0 për ne dhe kemi bërë autogol me Deden. Pas kohës shtesë fituam me penallti.

I kujtoni penalltitë?

Ata kanë gjuajtur të parët dhe e humbën. Ne kemi shënuar 5 penallti dhe fituam 5-4.

Ish-shefi i klubit, Sulejman Mema, ka treguar edhe një fragment në Berat kur është goditur Bujar Pregja me qytë pistolete në kokë. E mbani mend?

Mema mbase e ka ngatërruar vitin, kur thotë që kemi dalë barazim. Sepse në atë vit, ne jemi mundur 1-0 në Berat. Edhe kjo ngjarje mund të ketë qenë. Unë nuk e di sepse kam qenë trajneri dhe kam qenë në dhomat e zhveshjes. Nuk e kujtoj arbitrin e këtij takimi 1-0 nëse ka qenë apo jo Pregja, por kujtoj penalltinë e dhënë kot për beratasit.

Mbase goditja e Pregjës ka ndodhur herë tjetër në Berat, kur ka qenë Mema trajner. Ndjesë sepse nuk e kujtoj. Pas humbjes në Berat dhe barazimit në Tiranë 0-0, ata thonë që moralisht, na takon neve titulli, sepse i kemi marrë katër pikë Tiranës. Mirëpo, nuk ka qenë rregullore me ndeshje direkte në atë kampionat, por në bazë të pikëve dhe pikët e barabarta kërkonin ndeshje finale. Le të hapen dokumentet e kohës dhe gazetat që e vërtetojnë.

Moralisht Tomori meriton respekt, por futbolli nuk fitohet moralisht, por me pikë. Kampionati përfundoi me pikë të barabarta. Ndeshja duhet të luhej në Tiranë. Për arsye se Tomori e kontestoi, meqë ishte Tirana, federata vendosi Elbasanin. U caktua Elbasani, sepse ishte komisar Koseni dhe kishte rregull. Ka patur probleme me policinë pas 1997-ës. Ne e pranuam kur na u tha. Ishim dakord të luhej edhe në Elbasan, edhe pse ishte e përcaktuar në rregulloren e aktivitetit të luhej në “Qemal Stafa”.

Si u përcaktua stadiumi i Elbasanit?

Kontestoi klubi i Beratit dhe më pas FSHF thirri edhe shefin e klubit tonë. Ishin të dyja klubet dhe u caktua Elbasani. Ata nuk ishin dakord me Elbasanin, por FSHF vendosi.  S’mund të pranonte të tjera kërkesa, sepse kishte probleme me tifozët për shkak të rendit.

Ndeshja ishte e rregullt në Elbasan. Kanë barazuar me autogol në fund. U shty loja dhe fituam me penallti. Madje kujtoj që ekipi ynë ka luajtur dobët, pavarësisht se kundërshtari ishte me dhjetë lojtarë. Nuk arritëm ta mbyllnim ndeshjen, pasi kishim 4-5 raste për ta çuar 2- 0 me Viton dhe Rizvanollin. Dënuam veten tonë, sepse i kapëm shpesh në kundërsulm, por nuk shënuam.

Tirana-Tomori viti 2000

Kush e shënoi penalltinë vendimtare?

Kisha caktuar Deden, sepse ishte kapiteni dhe rezultoi që e pesta ishte vendimtare. Kujtoj që më tha, “unë i mbylla sytë. Vetëm kam gjuajtur topin”. Të parën nëse kujtoj mirë ia kemi lënë Enkli Memishit, një lojtar i ri dhe i talentuar. Normale që kisha frikë në atë moment, por për fat i shënuam të pesta penalltitë.

Për të gjitha situatat, a është titulli që mund ta mbani mend më shumë?

Në atë vit ne nuk kemi patur një ekip shumë të plotë. E kemi luajtur kampionatin me dy sulmues: Erjon Rizvanolli, një djalë i ri 18- 19 vjeç që shënoi shumë gola dhe Anesti Vito, një sulmues me eksperiencë. Por, kishim një mbrojtje shumë të fortë dhe një mesfushë fantastike.

Kishim Deden, Dabullën, Gallon dhe Tafajin. Ndërsa në mesfushë ishte Mema, Ervin Bulku dhe Sokol Bulku. Pra, ishim shumë mirë në këto reparte. Tirana kishte prapavijë të fortë dhe mentalitet fituesi. Berati kishte një sulmues shumë të mirë, Klodian Arbrin. Ata edhe mund ta fitonin titullin nëse do kishin fituar ndaj Teutës. Por është e kotë të thonë që na e hoqën kampionatin.

Ne e kemi fituar kampionatin në fushë. Rregullorja donte ndeshje direkte, luajtëm dhe fituam. Gjithsesi, unë i respektoj shumë, sepse edhe trajneri i tyre, Mile, ka bërë një punë fantastike atë vit. Tirana ishte i vetmi vend ku luhej normalisht, ndërsa në Berat dhe shumë qytete ishte e vështirë të luhej. Sidomos në Berat, Lushnjë, Peqin ishte shumë e vështirë të luhej. Gjithandej kishte probleme. Jua veçova si vit që e mbaj mend, sepse doli edhe Partizani nga kategoria atë vit.

Po për sezonin aktual, cila do të ishte zgjidhja më e mirë sipas jush, të luhet deri në fund apo të jepen verdiktet bazuar në renditjen aktuale?

Asnjë nuk e di se çfarë do të ndodhë, por UEFA ka vënë një afat. Është normale që të luhen dhe të gjithë duan që të zhvillohen ndeshjet e mbetura. Nëse do të jetë e pamundur fizikisht të përfundohet, normalisht kampionatin e fiton Tirana. Nuk është normale, por edhe situata nuk është normale, është e jashtëzakonshme.

Unë besoj se në maj dhe qershor do të normalizohet situata. Mbase edhe pa tifozë, por kam besim se do të rikthehet normaliteti. Jemi një vend që nuk kemi trend rritjesh. Besoj se ky muaj do të jetë i fundit i kësaj pritjeje të gjatë. Jam i bindur se ndeshjet do nisin të luhen dhe do ta fitojë ai që e meriton. Faktikisht, edhe kupa apo një trofe tjetër të shijon atëherë kur e fiton në fushën lojës.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"