EKSKLUZIVE/ Shkarkuan Arapin nga detyra e trajnerit, zbulohen kandidatët e mundshëm për pankinën e Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2022 | 14:48

EKSKLUZIVE/ Shkarkuan Arapin nga detyra e trajnerit, zbulohen kandidatët e mundshëm për pankinën e Teutës

Renato Arapi nuk do të jetë më trajner i Teutës.

arapi

Ishte ky vendimi befasues i klubit të Teutës vetëm dy ditë pas barazimit në derbin ndaj Erzenit, në stadiumin “Niko Dovana”.

“Klubi i futbollit Teuta dhe trajneri Renato Arapi kanë shkëputur marrëveshjen.

Falënderojmë Arapin për gjithçka që ka bërë për ekipin tonë dhe i urojmë shumë suksese në të ardhmen”, citohej dje në faqen zyrtare të klubit durrsak.

Kjo nuk është hera e parë që Teuta largon Arapin, pasi edhe në sezonin e kaluar, drejtuesit morën vendim për të spostuar ish-kapitenin në detyrën e drejtorit sportiv dhe për të rikthyer Edi Martinin.

Tashmë, pas humbjes në javën e parë ndaj Laçit dhe dy barazimeve rradhazi me Bylisin dhe Erzenin, presidenti Hasanbelliu ka vendosur të mos vazhdojë me Arapin në stol, por të mendojë një tjetër zgjedhje për vazhdimësinë.

Ndërkohë, vetë Arapi ka bërë një mesazh falënderimi pas këtij largimi, duke mos e cilësuar si lamtumirë nga klubi.

“Falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe, duke filluar nga futbollistët, të cilët kanë qenë korrekt dhe profesionist.

Falënderoj stafin tim dhe drejtorin e klubit, që ka qenë një mbështetje e madhe për mua.

Gjithashtu falënderoj KF Teuta për mundësinë që më dha. Siç dihet, në futboll nuk ka lamtumirë, por vetëm mirupafshim.

Ju uroj vetëm suksese!”, shkruante Arapi në “Facebook”.

SHKEMBI

KANDIDATËT – Deri dje në mbrëmje presidenti Edmond Hasanbelliu mësohet se ka qenë i pavendosur për emrin e ri të stolit.

Edhe pse zyrtarisht nuk ka ende një konfirmim nga ana e klubit, “Panorama Sport” mëson se së fundmi kanë qarkulluar emrat e disa trajnerëve që mund të marrin drejtimin e Teutës në vazhdim.

Së pari, bëhet fjalë për korçarin Bledi Shkëmbi, i cili ka punuar më parë në Durrës dhe e njeh mirë ambientin.

Gjasat për rikthimin e tij në krye të skuadrës janë të mëdha, por mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në orët në vijim.

SEDAT PAJAZITI

Gjithashtu, po dje është përfolur edhe trajneri nga Lugina e Preshevës, Sedat Pajaziti, i cili një dekadë më parë ka qenë pjesë e stafit të Teutës.

Ai ka drejtuar disa nga skuadrat më të mirë në Superligën e Kosovës, pikërisht Gjilanin, Dritën, Drenicën dhe Vëllaznimin.

Sot drejtuesit durrsakë do të marrin një vendim përfundimtar për trajnerin e ri në prag të ndeshjes së radhës me Kukësin, që do të luhet të premten në orën 17:45 në stadiumin “Niko Dovana”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"