EKSKLUZIVE/ Sherri te Tirana, ja si Ngo i “tërboi” bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2020 | 22:45

EKSKLUZIVE/ Sherri te Tirana, ja si Ngo i “tërboi” bardheblutë

‘‘Pse nuk luani? Më sakatuan. Çfarë po bëni…?!” Ka mjaftuar kjo britmë e Majkëll Ngosë ndaj shokëve të skuadrës gjatë ndeshjes Teuta-Tirana 2-0 në finalen e Kupës së Shqipërisë që situata te bardheblutë të trazohet sërish.
Ngo Tirana
Debati i filluar në fushë ka përfunduar me një përleshje në dhomat e zhveshjes, pikërisht në momentin kur po zhvillohej ceremonia e dhënies së medaljeve për ekipet nga drejtuesit e FSHF-së. Fillimisht ishin lojtarët e Tiranës që kaluan në podiumin e vendosur afër tribunës VIP të “Air Albania”- s. Por, ajo që habiti ishte se gjysma e skuadrës bardheblu refuzoi të merrte medaljet. Në një kohë që shokët e tyre kalonin njëri pas tjetrit para presidentit të FSHF-së, Armand Duka, por edhe atij të Tiranës, Refik Halili, një pjesë e lojtarëve kishte nisur përleshjen në dhomat e zhveshjes. Tonet e larta, ofendimet dhe britmat bënë shumë përshtypje te disa zyrtarë të FSHF-së që po kalonin afër dhomave të zhveshjes së Tiranës.
Më vonë u mësua edhe ajo që ka ndodhur, që natyrisht nuk mund t’i ketë hije një klubi kampion, paçka se janë gjëra që mund të ndodhin kudo. Por, fakti që vetëm dy ditë para finales kishte pasur zënkë në stërvitje, agravimi i situatës pas ndeshjes me Teutën, dukej shumë i tepruar.

INCIDENTI
pjimage (2)

Tirana nuk gjen qetësi edhe kur fiton titullin pas 11 vitesh. Mjaftoi humbja në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Teutës, që situata të degjeneronte në dhomat e zhveshjes. “Panorama Sport” raportoi në numrin e djeshëm të gazetës se protagonistë të sherrit kanë qenë Majkëll Ngo dhe Idriz Batha. Mirëpo, në lidhje me këtë të fundit ka ndodhur një keqkuptim, pasi në momentin që situata është tensionuar në dhomat e zhveshjes, mesfushori ka qenë në tribunën VIP për të marrë medaljen e finalistit. Më pas, kur është kthyer në dhomat e zhveshjes, është krijuar ideja se ka qenë protagonist i sherrit me anglezin Ngo. Mësohet se mesfushori ka ndërhyrë për të zbutur gjakrat, ndërsa burime të sigurta në klubin bardheblu i treguan gazetës se sulmuesi është përplasur me portierin Ilion Lika dhe kapitenin Erando Karabeci. Fillimisht ka pasur një debat verbal për humbjen ndaj Teutës, e më pas një zënkë që ka degjeneruar. Lojtarët e tjerë kanë ndërhyrë për të qetesuar situatën, e cila ka habitur jo pak personat që ndodheshin afër dhomës së zhveshjes së Tiranës në stadiumin “Air Albania”. Siç është raportuar edhe më parë, presidenti Halili ka bërë një mbledhje urgjente pas kësaj që ka ndodhur, ndërsa e bija e tij është parë e përlotur.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"