EKSKLUZIVE/ Sherri masiv në Durrës dhe pesë kartonë të kuq, Beqja: Ja pse u përplasa me Melon (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2019 | 20:47

EKSKLUZIVE/ Sherri masiv në Durrës dhe pesë kartonë të kuq, Beqja: Ja pse u përplasa me Melon (E PLOTË)

Stadiumi “Niko Dovana” nuk është shquar kurrë për sherre, por ajo që ndodhi dje në fushën e lojës i habiti të gjithë. Në minutën e 62-të takimi u ndërpre dhe përplasja mes lojtarëve bëri që gjithçka të degradohej në një sherr masiv mes tyre. Fillimisht pati një zënkë mes Fabjan Beqjajt të Teutës dhe brazilianit Uilliam Melo të Partizanit. 

bandicam 2019-12-18 14-20-57-237

Kjo erdhi për mosnxjerrjen e topit jashtë vijave nga të kuqtë për t’i ardhur në ndihmë sulmuesit Nikaç, i cili ishte i shtrirë në fushë. Mirëpo, pasi dy lojtarët u kacafytën, kjo provokoi një sherr masiv, ku u përfshinë edhe pankinat respektive. Kartonët e kuq ishin të menjëhershëm për Melon e Beqjan në fushë, por gjithashtu edhe për Deian Boldor dhe Amer Dukën, të cilët erdhën nga pankinat respektive dhe u përleshën me njëri-tjetrin.

Prekjet me dorë apo shkelmat ishin të dukshme nga shumë lojtarë të të dyja skuadrave, por arbitri dalloi vetëm katër prej tyre. Për të qetësuar skuadrat, u futën në fushë edhe stafet respektive, duke bërë  të mundur ndarjen e tyre. Acarimi i lojtarëve vazhdoi edhe në fundin e ndeshjes, por këtë herë ishin të kuqtë, të cilët e nxorën dufin tek arbitrimi.

teuta-partizani

Lorenc Trashi u bë protagonist në debatin me gjyqtarin kryesor, Olsid Ferataj, duke i kërkuar llogari këtij të fundit për vendimet që kishte marrë. Arbitri i tregoi kartonin e verdhë lojtarit të kuq, që edhe pse u ndëshkua, vazhdonte të protestonte te kryesori deri në afërsi të tunelit.

Beqja

REAGON BEQJA 

Mesfushori i Teutës, Fabian Beqja, ka qenë dje protagonist absolut në të mirë dhe në të keq. Fitoi penallti, bëri sherr dhe gjithashtu u bë protagonist në një rast të dyshimtë brenda zonës, ku i ndërhyri Çinarit dhe rrezikoi të shkaktonte 11-metërsh. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, lojtari durrsak tregoi për momentin e tensionit në fushë me brazilianin e Partizanit, Melo. Ai theksoi se reagoi në atë mënyrë pasi u ofendua nga kundërshtari. “Ishte një moment shumë i keq. Fillimisht unë nuk veprova dhe nuk i thashë asgjë me gojë.

Teuta-Partizani 1-0

Mirëpo, Melo erdhi dhe më ofendoi, e më pas më shtyu me duar. Unë ruajta qetësinë për momentin, por ai përsëri nisi të më ofendojë. Mendova se do të kishte një ndëshkim për atë dhe jo për mua. Veprimi i tij ishte diçka shumë e poshtër, nuk di si ta përshkruaj tani”, ka thënë fillimisht Beqja, për të folur më pas edhe për atë që dhanë në fushë skuadrat, ku Teuta doli me tri pikë. “Jemi shumë të lumtur me 3 pikët e marra në këtë takim, por duhet të punojmë më tepër për të finalizuar aksionet. Edhe këtë herë humbëm shumë raste.

Më vjen keq për mungesën e tifozëve, pasi jemi ekipi me tifozërinë më të kulturuar në Shqipëri. Deri diku është edhe përgjegjësia jonë që ata nuk po mbushin shkallët e stadiumit, ndaj tani na lind detyra të punojmë shumë dhe të rikthejmë tifozërinë në Durrës”, përfundoi numri 7 i Teutës.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"