EKSKLUZIVE/ Shehi: Situatë e pa jetuar, ju tregoj si Kukësi punon… virtualisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2020 | 18:15

EKSKLUZIVE/ Shehi: Situatë e pa jetuar, ju tregoj si Kukësi punon… virtualisht

Në këto kohë të vështira për shkak të përhapjes së koronavirusit edhe në vendin tonë, masat shtrënguese nga autoritetet për të qëndruar në shtëpi nuk mund të anashkalohen edhe nga njerëzit e sportit, të cilët janë mësuar me regjim stërvitor strikt. Mirëpo, në kushte izolimi dhe në përpjekje për t’u stërvitur në ambientet e shtëpisë, kjo nuk mund të mjaftojë për një lojtar profesionist. Kampionati është ndërprerë për një kohë të pacaktuar dhe tashmë për secilin ekip problemet mendohen se do jenë të shumta në aspektin fizik. Por, si po e kalon kohën trajneri i Kukësit, Orges Shehi? Si e koordinon punën me lojtarët? Ndikon për keq kjo periudhë për ekipin dhe kampionatin në tërësi?Shehi5

Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport” Shehi iu përgjigjet këtyre pyetje, por jo vetëm për këtë situatë të paprecedentë për të gjithë, teksa bëhet fjalë për një pandemi.

Orges, si po i kalon këto ditë?

Këto ditë dhe unë si gjithë shqiptarët mbyllur në shtëpi. Po zbatoj urdhrin e autoriteteve dhe ekspertëve të mjekësisë. Gjendemi në një situatë të paprecedentë, të pa jetuar më pare. Ditët e para ishin të vështira, ndërsa tani organizoj kohën në bazë të kësaj logjike në shtëpi. Natyrisht studioj, lexoj, qëndroj me familjen dhe në kontakt virtual me punët e ekipit dhe lojtarëve.

Sa e vështirë është për një lojtar të qëndrojë i mbyllur?

Për të gjithë është i vështirë qëndrimi brenda, por për futbollistët është më shumë. Ata e kanë të vështirë të qëndrojnë pa u stërvitur, pasi trupi iu është mësuar me atë ritualin e përditshëm, pra stërvitshmërinë.

Çfarë këshillash iu ke dhënë lojtarëve?

Jam në kontakt të përhershëm me lojtarët, me të gjithë pa përjashtim. Më intereson në radhë të parë shëndeti i tyre dhe familjarëve të tyre, por edhe duke i këshilluar dhe sugjeruar se si mund të bëjnë aq sa munden stërvitje në kushte shtëpie.SHEHI

Disa lojtarë kanë dalë për vrap në malin e Dajtit (Rroca, Abazaj, Teqja dhe Krasniqi). Mos ndoshta kanë bërë gabim, pasi nuk është e këshillueshme…

Me lojtarët qe kanë dalë për vrap sigurisht kam folur dhe për mendimin tim, mirë bëjnë që bëjnë stërvitje, por më mirë ta bëjnë veç e veç dhe në orar që është i lejueshëm. Pra, pa kontakt me ndonjërin. Megjithatë 1 ose 2 ditë kanë dalë, jo se e kanë bërë përditë. Nuk besoj se do dalin më, pasi mund të vënë në rrezik shëndetin e tyre .

Mendon se do ndikojë shumë kjo periudhë pauze në momentin kur do të riktheheni në fushë?

Patjetër që do ketë ndikim, sepse normalisht nuk e dimë sa do të zgjasë, por në kushte emergjence dhe situate të pa jetuar ndonjëherë, do bëjmë maksimumin për të sjellë lojtarët sa më shpejt në formë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"