EKSKLUZIVE/ Shansi për Panuçin, Hafizi i kujton Dukës Demollarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2018 | 23:00

EKSKLUZIVE/ Shansi për Panuçin, Hafizi i kujton Dukës Demollarin

Dy ditë më parë, kreu i FSHF-së, Armand Duka, i doli publikisht në mbrojte trajnerit Panuçi, duke kërkuar edhe kohë për të që të riparojë gabimet. Lidhur me këtë deklaratë publike të kreut të institucionit të futbollit në vend, ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi, në këndvështrimin e tij të të lexuarit të saj, i rikujton Dukës, Sulejman Demollarin, duke mos ia përmendur emrin, por rastin e shkarkimit brenda vitit.

hafizi

Si e lexoni mbrojtjen publike të presidentit Duka për Panuçin?

Një risi! Është e drejtë e tij që të japë një komunikim në lidhje me trajnerin. Nuk kam si ta komentoj, por ndoshta duket pak e habitshme. Është president, ndaj ai e cakton dhe ai vendos për të.

Duka kërkon kohë ndër rreshta për Panuçin, edhe pse vendos ai vetë…

Sikur të ishte për të gjithë trajnerët kjo, ky qëndrim, do të ishte mirë. Me sa mbaj mend unë, para shumë vitesh kur ishte në drejtim të federatës, sikur t’i jepte kohë në atë periudhë edhe trajnerit shqiptar… E shkarkoi pas vetëm 9 muajsh dhe do të ishte mirë që një veprim i tillë të bëhet edhe me trajnerët shqiptarë. Por, nganjëherë gjërat ndryshojnë, ishte tjetër kohë atëherë dhe është tjetër sot.

Sipas jush, a e meriton trajneri Panuçi që t’i jepet kohë?

Unë nuk jam ai që vendos për kohën dhe qëndrimin e tij. Me çfarë shikoj, dua që të jap disa mendime teknike brenda rregullave, me edukatë, me kujdes dhe pa ofendime për aspektet tekniko-taktike.

Me çfarë keni parë deri tani, peshorja e vlerësimeve është në anën e aspekteve pozitive apo atyre negative që janë shfaqur?

Nuk shoh asnjë ndryshim që kur mori ekipin Kombëtar. Gjendja vazhdon të jetë e turbullt dhe e paqartë. Ndoshta më vonë, mund edhe të qartësohet ai, por nuk shoh ndonjë ndryshim në Kombëtare. Për të mos thënë që në disa momente ka bërë hapa pas.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Shpeshherë kam thënë që më duket se ai nuk ka një njohje të madhe për futbollin tonë. Për një vit, ai tregon se akoma nuk e kupton se si funksionon. Ose edhe aftësitë e lojtarëve nuk i ka shumë të qarta se sa janë të aftë për të zotëruar veprime të caktuara. Mosnjohja e mirë e lojtarëve mendoj se është një nga faktorët kryesorë dhe në ndeshjet e deritanishme nuk ka lënë shenjë për asgjë që të shohim se Kombëtarja është në rrugë të drejtë.

Keni parë përballjet me dy rivalët. Ku mund të shkojë kjo Kombëtare?

Nuk e kemi analizuar shumë mirë ndeshjen me Izraelin, për hir të faktit që nganjëherë fitorja mbulon shumë gjëra. Nuk u morëm shumë sepse ka raste që merremi më shumë me rezultatin sesa me lojën. Edhe me Izraelin, kishim disa të meta, të cilat u shfaqën edhe më tepër në ndeshjen e dytë. Nuk nxorëm asnjë konkluzion. Kaluam në eufori të madhe, që nga drejtuesit edhe te vetë trajneri, i cili kishte shumë eufori dhe entuziast. Gjithsesi, ishte normale, sepse kishim kohë pa fituar.

Shqipëria, është më e mirë apo më e dobët sesa dy rivalet?

Ne edhe mund të përmirësohemi, sepse jemi shpesh të paparashikueshëm. Reagojmë aq mirë, atëherë kur nuk e pret askush. Në edicionin e shkuar, para Izraelit, patëm disa miqësore që nuk shfaqëm asgjë në fushë, por triumfuam 0-3 në transfertë me Izraelin. Ndaj them që gjithçka mund të ndodhë, sepse për shumë gjëra ne ia lëmë rastësisë.

OLSI TUJANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"