EKSKLUZIVE/ “O Ben, më the që do bëje vetëm një̈ gol!”, rrëfimi unik i bomberit të 1995-ës: Si arbitri ndërpreu ndeshjen në Laç kur po shënoja… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2020 | 10:03

EKSKLUZIVE/ “O Ben, më the që do bëje vetëm një̈ gol!”, rrëfimi unik i bomberit të 1995-ës: Si arbitri ndërpreu ndeshjen në Laç kur po shënoja… (E PLOTË)

Luftëtari i drejtuar nga Hito Hitaj dhe Theodhori Kalluci ka pasur një ekip me lojtarë të talentuar në vitet ’90, të cilët më pas u bënë edhe pjesë e Kombëtares shqiptare. Edhe pse pozicioni më i mirë në ato vite ka qenë vendi i pestë në një kampionat me 16 ekipe, sërish gjirokastritët shquheshin për lojën e bukur dhe lojtarët cilësorë që kishin në përbërje, duke iu afruar sadopak brezit të artë të viteve ’70-’80 me yje si Sefedin Braho, Theodhori Kalluci, Astrit Boni, Luan Seiti etj. Bëhet fjalë për emra si Altin Haxhi, vëllezërit Arian dhe Altin Xhumba, Arian Bellai, Neritan Novi, Gjergji Kalluci, Odise Grabova, Arben Çoni, Roland Miho, Aurel Kaci, Dritan Kristidhi, Arian Puto e shumë të tjerë.

Luftetari i sezoni 94-95
LUFTËTARI I SEZONIT 1994-1995

Lart nga e majta në të djathtë: Arian Puto, Arben Çoni, Altin Xhumba, Roland Miho, Arben Shehu, Gjergji Kalluci; Poshtë nga e majta në të djathtë: Odise Grabova, Nalton Musta, Aurel Kaci, Altin Haxhi, Neritan Novi;

Mes tyre ishin edhe dy elementë të zbuluar nga trajneri Hito Hitaj në ekipet fqinje të Tepelenës dhe Memaliajt, pikërisht Nalton Musta dhe Arben Shehu. Ky i fundit shumë shpejt do të bëhej sulmuesi më i mirë i kampionatit shqiptar, teksa në sezonet 1994-1995 dhe 1995-1996 shënoi në total 37 gola. Kulmi ishte në sezonin 1994-1995, ku realizoi 21 gola dhe fitoi “Këpucën e Artë” të atij kampionati.

Ish-sulmuesi i Luftëtarit sfidoi në vitin 1995 një nga golashënuesit e shquar shqiptarë, Indrit Fortuzi, i cili shënoi atë sezon 18 herë, tre më pak se Shehu. Historia me futbollin e ish-bomberit me origjinë nga Memaliaj nis që në vitin 1984, kur fillon të luajë me Minatorin në Kategorinë e Dytë.

Më pas arrin të debutojë në Kategorinë e Parë me Luftëtarin në sezonin 1990-1991, pikërisht në moshën 23-vjeçare. Largohet për dy vite në Greqi dhe rikthehet në Gjirokastër, duke luajtur me fanellën bluzi nga viti 1993 deri në 1998-ën.

Ndërsa Tepelena, Memaliaj dhe Butrinti i Sarandës kanë qenë ekipet e fundit që ka luajtur futboll deri në vitin 2004. Sot, në moshën 53- vjeçare, Arben Shehu rrëfehet ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke treguar momentet më pikante të karrierës së tij me fanellën e Luftëtarit, bisedën me ish-trajnerin Hito Hitaj dhe deri te krenaria që u bë një idhull për tifozët gjirokastritë.

Arben, së pari si e keni përjetuar situatën e pandemisë?

Ne sportistët nga natyra jemi impulsivë. Pra, jemi mësuar të jemi në lëvizje dhe pranë natyrës. Qyteti i Memaliajt, ku unë banoj, si dhe marrëdhëniet që kam me punën që bëj, ma kanë bërë më të lehtë këtë periudhë. Bëj më shumë se 10 kilometra çdo ditë me këmbë, asnjëherë nuk jam shkëputur nga stërvitja. Futbolli është si ushqim shpirtëror.Golashenuesit me te mire

Në këtë periudhë të shumtë janë ata që kujtojnë të kaluarën. Megjithatë, brezi i viteve 2000 pak e dinë se ju jeni një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar të sezoneve 1994-1995 dhe 1995- 1996…

Më vjen mirë që të paktën ju si media nuk harroni të vlerësoni atë që kemi dhënë ndër vite për futbollin. Unë u bëra futbollist nga profesori i nderuar, Hito Hitaj.

Si e kujtoni ditën e parë te Luftëtari?

Po, e kujtoj shumë mirë, sepse janë gjëra që nuk harrohen. Në vitin 1990, bashkë me dy shokët e tjerë të ekipit në Tepelenë, Bektash Çaushi dhe Bledar Ruçi, erdhëm për t’u provuar te Luftëtari. Profesor Hito Hitaj na vëzhgoi me imtësi dhe në fundin e një seance, më tha: “Vetëm ti Arben do qëndrosh te Luftëtari”. Në fakt, më bëri shumë përshtypje vendimi i trajnerit. Nuk e besoja këtë gjë dhe nuk durova derisa e pyeta: “Pse vetëm unë profesor dhe jo dy shokët e tjerë”? Përgjigjja e profesorit më ka mbetur në mendje…

Çfarë ju tha Hitaj?

Më tha kështu: “Ti vrapoje me topin me kokën lart dhe luaje më thjeshtë. Kategoria e Parë të tillë lojtarë do…”. Sot që e kujtoj këtë, më duhet të falënderoj profesor Hiton për mundësinë që më dha në ato vite të arta. Por, më duhet të them se dy shokët e mi ishin të talentuar dhe më të mirë se unë, pavarësisht se te Luftëtari mbeta vetëm unë. Pas vitit 1991 u largova drejt Greqisë në emigrim, por u ktheva shpejt dhe bëra disa sezone të paharrueshme në Gjirokastër.

Si ishte futbolli i atyre viteve, çfarë ju bënte më shumë përshtypje?

Unë kam luajtur qendërsulmues tipik dhe më është dashur të përballem me mbrojtës të ndryshëm, por mbi të gjitha shumë të fortë. Luhej një kampionat shumë i ashpër dhe në fusha të vështira. Kishte sezone me 16 apo 18 skuadra dhe shumë ekipe luftonin për t’i shpëtuar rënies nga kategoria. Kujtoj që Laçi ka qenë një skuadër e egër, që luante një futboll të ashpër, sidomos në fushën e tij. Tani më vjen ndërmend një episod në vitin 1995, që më vjen edhe për të qeshur.

Po, mund të na e tregoni…?

Luanim në Laç, në një stadium të mbushur plot me spektatorë. Deri në minutën e 83-të kryesonte Laçi 2-0. Unë shënova një gol dhe më pas në minutën e 90-të, dola në një rast tjetër për të realizuar edhe golin e dytë, që do të ishte i barazimit 2-2. Sapo marr topin, përballë kisha mbrojtësin Sabah Mici, i cili më drejtohet me këto fjalë: “O Ben, më the që do bëje një gol, jo dy! Ne jemi shokë mor burrë, çfarë je t’u bë…”. Në momentin që unë po shkoja drejt portës, gjyqtari Fatmir Tare ndërpreu ndeshjen dhe nuk i lejoi fare minutat shtesë. Megjithatë, me Laçin historia u përsërit në një tjetër formë në vitin 1996.

Pse çfarë ndodhi?

Kujtoj që Laçit i duhej patjetër rezultati pozitiv, sepse rrezikonin. Na ofruan para për ta lënë ndeshjen. Unë isha lojtari i parë që erdhën për të më dhënë lekë, por nuk pranova, ashtu siç bënë edhe shokët e tjerë. Ramë dakord për të mos e lënë lojën, por për të luajtur fort, pavarësisht se ne ishim në pozita komode. Këto ndodhi të vogla në dukje, kanë domethënie të madhe për grupin e lojtarëve të atyre viteve. Ne ishim të gjithë shokë dhe fjala e njërit prej nesh ishte ligj për të gjithë. Në fund u futëm në fushë dhe shkëlqyem, duke fituar 3-1.

Ish-sulmuesi

Cili ka qenë momenti ku jeni ndierë keq dhe e kujtoni shpesh?

Është një pyetje ngacmuese për karakterin tim. Përballeshim me Kastriotin në Gjirokastër dhe duhej të fitonim, por jo se ishim në rrezik të madh për rezultatin. Loja ishte e bukur, por goli nuk po dilte gjëkundi. Në minutën e 96-të fituam një penallti. E marr unë përsipër ekzekutimin, por për fatin e keq nuk shënova. Në fund, tifozët thoshin se e shitëm ndeshjen. U thashë, “jo, jo nuk e shitëm, por ishte fati dhe dita e futbollit kapriçoz”. Prandaj thuhet që ky sport s’ka besë dhe nuk është shkencë ekzakte.

Si ndiheni sot pas kaq vitesh kur ju duhet të vizitoni Gjirokastrën?

Jam krenar për vitet e bukura që kam kaluar në Gjirokastër. Nëse luhet futboll i lirshëm dhe pa ndrojtje nga jashtë fushe, luhet vetëm në Gjirokastër. Nuk më harrohen duartrokitjet dhe brohoritjet e njerëzve plot me kulturë të tifozërisë së Luftëtarit. Nuk do ta harroj kurrë përkrahjen e njerëzve të mrekullueshëm të Lazaratit. Kur udhëtoj nga Memaliaj për në Gjirokastër, më duket sikur kthehem në shtëpinë time të dytë. Kam emocione dhe shumë nostalgji.

Si ju është dukur Luftëtari i viteve të fundit?

Luftëtari është një emblemë për të gjithë trevën e Jugut, sepse ka bërë emër në të shkuarën. Të kujtosh legjendat e Luftëtarit duhet pak kohë për t’u menduar mirë, sepse janë të shumtë. Unë po kujtoj disa prej tyre meqë më jepet ky rast dhe të më falin ata që mund të kem harruar. Emra si Sefedin Braho, Theodhori Kalluci, Astrit Boni, Luan Seiti, Sotiraq Liti, Dhimitraq Shoni, Pando Ksera, Artur Angoni, Ruzhdi Lamaj, Grigor Çabeli, vëllezërit Arian dhe Altin Xhumba, Altin Haxhi dhe nuk mund të harroj Lefter Millon. Përmenda këta emra për të treguar se edhe Luftëtari i sotëm duhet të fokusohet te vendësit. Jo se nuk duhen lojtarë jabanxhinj, por jo më shumë se 4-5 të tillë. Në vitet kur unë isha te Luftëtari, lojtarë jashtë Gjirokastrës kishte vetëm tre. Pikërisht unë, Ilir Selimi dhe Nalton Musta nga Tepelena.

Së fundmi, keni diçka për të shtuar?

Më lejoni të shpreh me anë të gazetës suaj të gjithë respektin tim për Luftëtarin dhe Gjirokastrën. Ky ekip është në zemrën time dhe ato vite i kujtoj me shumë nostalgji. Një pjesë të zemrës e kam në Gjirokastër, pasi ai ekip më dha mundësinë për t’u bërë edhe pjesë e Kombëtares. Kam luajtur dy ndeshje miqësore me Maltën dhe Slloveninë në vitet 1995-1996, kur ekipi kombëtar drejtohej nga profesor Neptun Bajko.

TOMOR SHEHU 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"