EKSKLUZIVE/ Seferi mban në ankth Tiranën: Kam shumë oferta, nëse rri dua titullin kampion (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2022 | 23:59

EKSKLUZIVE/ Seferi mban në ankth Tiranën: Kam shumë oferta, nëse rri dua titullin kampion (E PLOTË)

Taulant Seferi thotë se sido që të shkojë ai, te Tirana rilindi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi i Tiranës foli për të ardhmen e tij dhe jo vetëm. Seferi tregon pse mungoi këto kohë në skuadër. Çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe nëse bardheblutë kanë mundësi që ta fitojnë sërish titullin kampion.

SEFERI

Për lojtarin ka oferta serioze në drejtim të tij dhe duhet të jetë gati për një lëvizje në një kampionat më të fortë. Sigurisht, flitet për transferim me shifra mbi 500 mijë euro që mund të marrë klubi, ashtu si edhe rroga e lojtarit. Kujtojmë se sulmuesi është nga më të paguarit te Tirana, ndërsa ishte më i miri në fushën e lojës gjatë sezonit të fundit. Futbollisti sezonin e shkuar në 43 ndeshje koleksionoi: 19 gola, 10 asiste dhe 3814 minuta. Këtu nuk llogariten ndeshjet e Kombëtares shqiptare.

Pas shumë mungesash në stërvitje për arsye shëndetësore, Taulant si jeni me shëndet?

Mirë, mirë, shyqyr Zotit. E kalova COVID-in. Më saktë nuk e di nëse ishte COVID apo diçka tjetër. Gjithsesi, e kalova. Tani jam i lehtësuar dhe u ktheva. Realisht u ktheva, sepse u bë shumë e madhe (qesh).

U bë e madhe, sepse jeni lojtari kryesor i skuadrës dhe sytë për çdo gjë janë te ju?

Nuk e di se si e shohin opinionistët dhe të tjerët. Unë jam lojtar si gjithë të tjerët. Veten nuk e shoh as si kryesori dhe as si i fundit. Unë jam njësoj si gjithë të tjerët dhe … Jam këtu te Tirana. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por për momentin jam këtu.

Deri tani ka fjalë për disa oferta në adresën tuaj. Si qëndron e vërteta?

Po, është e vërtetë. Ka shumë oferta. Ka edhe bisedime dhe fjalë apo fjali të mëdha, por nuk e di se çfarë do të ndodhë. Këtë do t’ia lëmë së ardhmes.

Tani që Europa është larg dhe jeni i qetë, si ishte aventura e Tiranës në Europë?

Do të them se ishte një Europë e mërzitshme. E mërzitshme dhe e pafat. Ju e keni parë vetë. Kemi luajtur mirë, por na ka munguar goli në momentin që duhet të shënonim ne dhe në këtë moment ka shënuar kundërshtari dhe na ka ndëshkuar. Gjithçka u mbyll, kampionati nis pas nëntë ditësh dhe fokusi është që ta nisim mbarë dhe të bëjmë një sezon të mirë.

Keni qëndruar shumë ditë pushim. Ndikon kjo pauzë e Seferit në performancën e tij?

Jo nuk besoj që ndikon. Do të flas me Kostën që të bëjmë një program special dhe besoj se do ta marr veten shumë shpejt. Nuk besoj se do të ketë ndikim të madh. Çdoherë e kam marrë veten shpejt. Nuk do të ndryshojë as kësaj radhe nuk do të ndryshojë.

Titulli mund të përsëritet edhe këtë sezon. Asnjë skuadër nuk e ka fituar dy herë rresht që prej Skënderbeut?

Pa dyshim që po. Ekipin e kemi cilësor dhe na kanë ardhur edhe lojtarë të tjerë si Kallaku që do të zëvendësojë Totren. Është shumë pozitive për Tiranën. Besoj se ekipin e kemi shumë të mirë.

Nëse qëndroni, e fitoni trofeun e golashënuesit?

Unë nuk e mendoj trofeun e golashënuesit, por që të shënoj sa më shumë gola. Kam për të dhënë maksimumin për të shënuar sa më shumë gola, pastaj do ta shohim dhe puna do ta tregojë se çfarë do të bëhet.

Me sy, kjo skuadër me skuadrën e vjetshme, si ju duket duke e krahasuar gjithmonë në letër?

Vjet dolëm kampionë sivjet duhet të tregojmë veten. Në fund do t’i peshojmë se cila është më e mira. Edhe këtë vit shoh një skuadër shumë cilësore. Sërish me djem të mirë, por ta zbulojmë gjatë rrugëtimit.

Cilët janë kundërshtarët e Tiranës për këtë vrapim drejt titullit kampion?

Kampionati shqiptar është i mirë në cilësi dhe fortësi. Ka kundërshtarë që mund të të mundin në çdo moment. Ne besoj se duhet të përqendrohemi te vetja dhe nuk shoh kundërshtarë të tjerë. Nëse përqendrohemi dhe punojmë fort, atëherë do të jemi të njëjtët: Kampionë të Shqipërisë.

Me hipotezën që u jep lamtumirën bardhebluve, çfarë do të thoshte për Taulant Seferin, Tirana?

Kur erdha në fillim në Tiranë, të gjithë zbrazën bla, bla, bla apo ky i mbaruar, ashtu, kështu. Në fund unë nuk ia vura veshin asgjëje. Kam punuar sa më shumë. Jam përqendruar për të dhënë maksimumin. Të dal te pyetja. Për mua Tirana është rilindja dhe diçka shumë e madhe në jetën time. Do t’i jem falënderues gjatë gjithë jetës, klubit, tifozëve, stafit, lojtarëve. Të gjithëve që më kanë ndihmuar të rilind. Tirana realisht më bëri të rilind.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"