EKSKLUZIVE/ “Ruhu Vllazni, ka nisur maskarada!”, ish-sulmuesi shkodran ngre alarmin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2021 | 23:57

EKSKLUZIVE/ “Ruhu Vllazni, ka nisur maskarada!”, ish-sulmuesi shkodran ngre alarmin

Albert Kaçi, ish-futbol listi kampion me Vllazninë 20 vite më parë, por edhe me Elbasanin, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” foli për situatën aktuale te Vllaznia, po ashtu për shortin e Kupës dhe mundësitë për ta fituar këtë trofe.

albert kaci

Kaçi pohoi se aleancat kanë qenë prezente, por ato më shumë ngjajnë si maskarada dhe këtë po e pëson edhe Vllaznia aktualisht. Megjithatë, ish-kampioni i fundit beson se skuadra mund ta kthejë titullin në Shkodër, pasi po punon shumë mirë.

Kupa e Shqipërisë ka përcaktuar çerekfinalistët dhe Vllaznia pret Korabin. Si e shikoni këtë short?

Pavarësisht se në futboll asnjëherë nuk thuhet se ka ekipe të mëdha dhe të vogla, sërish mund të them se Vllaznia ka qenë me fat dhe e shoh të favorizuar për në turin tjetër. Për mua ky tur është si një test për ndeshjet e tjera.

Kupa mund të jetë një tjetër objektiv i Vllaznisë për këtë sezon…

Nga vetë mënyra se si do të vijojë të luhet Kupa, me ndeshje teke, mendoj se është më lehtë të arrihet ky objektiv sesa kampionati. Tri takime janë që të japin të drejtën për të ngritur një Kupë të një kompeticioni, ndërsa kampionati është i gjatë.

Vllazninë a e shikoni në të dyja frontet?

Nuk mund të jepen mendime për këtë gjë. Kampionati ka shumë takime, ndërsa Kupa është më ndryshe. Me atë që ka dhënë Vllaznia deri tani mundësitë janë për të pretenduar në të dyja kompeticionet.

Skuadra shkodrane nuk duket si fillim. Nga se vjen kjo?

Në një sezon ka edhe luhatje, por ajo që më shqetëson më tepër në këtë moment është loja që po zhvillon skuadra, pasi nuk është si në takimet e shkuara. Megjithatë, unë kam besim se Vllaznia me punën që po bën dhe që është bërë do të kthehet te loja e saj dhe rezultatet.

Përballë do të jetë Tirana këtë javë. Ju vetë e keni ndëshkuar këtë skuadër me ngjyrat kuqeblu, Si e shikoni këtë sfidë të radhës?

Këto ndeshje përherë ngjallin emocione. Janë përballje derbi dhe klasike. Për Vllazninë të gjitha ndeshjet janë finale. Renditja e këtyre ekipeve nuk ka fare rëndësi. Është një ndeshje e vështirë, por besoj te fitorja e Vllaznisë.

Si i shikoni aleancat dhe a duhet të druhet Vllaznia nga ato?

Jo sot, por edhe në të shkuarën, aleancat kanë ekzistuar dhe ekzistojnë. Megjithatë, këtu nuk flitet për aleanca, por për një maskaradë që luhet në dëm të një skuadre apo një tjetër.

Në dëm të Vllaznisë konkretisht ka filluar një gjë e tillë. Shikohen ekipe pa motiv që luajnë fort me Vllazninë, ndërsa me kundërshtarë të tjerë thua nuk është ajo. Vllaznia ka për t’i pasur këto probleme në rrugën për titull, gjëra të cila mund të kenë edhe ndikimin e tyre. Prandaj, e thashë më lart rruga drejt Kupës do të jetë më e lehtë sesa ajo drejt titullit kampion.

ADMIR URUÇI 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"