EKSKLUZIVE/ Rudi Vata paralajmëron Grezdën: Skocia ka 300 ditë shi, do burra me fustanella… leshi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2018 | 23:38

EKSKLUZIVE/ Rudi Vata paralajmëron Grezdën: Skocia ka 300 ditë shi, do burra me fustanella… leshi (E PLOTË)

Është pa dyshim shqiptari më i famshëm në Skoci. Ka fituar trofe me klubin legjendar, Sëlltik Gllazgou, duke luajtur nga viti 1993 deri në 1996. Rudi Vata vazhdon të jetojë në Skoci me familjen, paçka se viziton shpesh Shkodrën dhe nuk ngurron të flasë, kritikojë apo sugjerojë me mënyrën e tij.

Rudi-Vata

I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, ish-kapiteni i Kombëtares foli në prag të ndeshjes Skoci-Shqipëri, që do të luhet nesër në stadiumin ku Vata ka kujtimet më të bukura të karrierës. Në dy ditët e fundit është ngacmuar shumë nga gazetarët britanikë, madje ai tregon edhe përgjigjen epike që u ka dhënë kur është pyetur se si i dukej vetja kur erdhi në vitin 1992 në Skoci. Fitorja me Izraelin, shanset e kuqezinjve në Skoci, nervozizmi i Panuçit, por jo vetëm. Vata është i drejtpërdrejtë në gjithçka.

Rudi, Shqipëria e nisi me fitore aventurën në Ligën e Kombeve. Çfarë përshtypje ju la loja e ekipit?

Të jem i sinqertë, kam parë në të njëjtën kohë dy ndeshje: Skoci-Belgjikë në TV dhe Shqipëri-Izrael përmes internetit. Në pjesën e parë m’u duk gjithçka e qetë, pa një temp loje apo agresivitet nga Kombëtarja jonë. Megjithatë, e kuptoj shumë mirë faktin që skuadra duhet të luante me kujdes, pasi ashtu mund të fitonte ndeshjen, siç dhe ndodhi. Për mua është një rezultat i mirë, duke pasur parasysh se ishte ndeshje hapëse dhe për më tepër nuk kemi pësuar gol. Tri pikë ndaj Izraelit janë shumë mirë për një Kombëtare si Shqipëria.

Presioni te trajneri pas dy humbjeve radhazi në miqësore ishte i madh. Këtë e konfirmoi edhe deklarata që Panuçi bëri pas ndeshjes, duke u ankuar se u kryqëzua sikur të kishte humbur finale Botërori. Keni një koment për këtë?

Shikoni, situata të tilla dinë si t’i përballojnë trajnerët që kanë më tepër eksperiencë se Panuçi. Normalisht, atij i është dukur një situatë e tmerrshme, por duhet ta përballonte me qetësi dhe profesionalizëm. Ai ka për detyrë të organizojë skuadrën dhe të marrë rezultatet e duhura. Duhet ta ketë të qartë se nëse rezultatet nuk vijnë, është e kuptueshme që qoftë edhe për një humbje në miqësore lagjesh do të kritikohet.

Po drejton një Kombëtare dhe duhet të pranojë kritikat, sepse nuk merr vesh vetëm ai nga futbolli. Panuçi duhet të jetë më i qetë, pasi është fakt që Shqipëria me Kosovën dhe Ukrainën nuk tregoi vlerat e një ekipi të organizuar. Nuk jemi aspak ajo skuadër e Europianit dhe gjithkush mund të mendojë se Kombëtarja, në vend që të bëjë hap para, po bën hapa mbrapa.

Është diçka krejt normale, sepse të gjithë kemi pretenduar se mund të rritemi si skuadër pas pjesëmarrjes në Europian dhe jo të zvogëlohemi. Rezultatet nuk kanë qenë të këndshme, por ajo histori mbaroi dhe Panuçi duhet ta mbledhë mendjen duke ruajtur qetësinë, pasi nuk kupton vetëm ai nga futbolli.

vata

Të njëjtën kritikë bëri edhe Sulejman Starova për trajnerin kuqezi…?

OK, por përtej kësaj, duke parë edhe kundërshtarët dhe nëse bën balancat, sot një trajner futbolli duhet të urojë të jetë në vendin e Panuçit. Realisht më komod ndihesh te Shqipëria sesa tek Izraeli apo edhe Skocia.

Të kalojmë te Skocia. Thatë që e ndoqët në humbjen 0- 4 ndaj Belgjikës…?

E kam ndjekur me shumë vëmendje dhe deri në momentin e pësimit të golit të parë, ishte ekip i mirorganizuar në fushë, por më pas u shpërfytyrua. Mendoja se Skocia do të paraqitej mirë, duke pasur parasysh se do të kishte entuziazmin e trajnerit të ri, Aleks MekLeish, pavarësisht se përballë kishte një skuadër të fortë si Belgjika. Skocia e luajti miqësoren me belgët si pa dëshirë dhe me frikë. Një skuadër që dukej sikur nuk kishte asgjë në kontroll. Mirëpo, nuk besoj se do të bëjë të njëjtën paraqitje ndaj Shqipërisë.

Atëherë, çfarë e pret Shqipërinë të hënën në Gllazgou?

Do të jetë një Skoci ndryshe dhe me ndonjë lojtar që nuk ka qenë në fushë ndaj Belgjikës. Pres që të bëjë presion të madh që në minutën e parë ndaj Kombëtares sonë. Shqipëria duhet të jetë shumë e kujdesshme në mbrojtje dhe sidomos është i rëndësishëm përballimi i minutave të para. Në fillimin e ndeshjes do të bëjë diferencën ritmi i lartë që do të imponojë kundërshtari ndaj ekipit tonë.

rudi vata selltik

Vetëm këtë duhet të ketë më shumë kujdes trajneri ynë?

Jam i sigurt që do të na sulmojnë sapo të nisë loja dhe nëse nuk pësojmë, do të jetë diçka e mirë për vazhdimësinë tonë. Duke ardhur ndeshja në një rrjedhë normale, Shqipëria mund ta godasë Skocinë. Mirëpo, kjo bëhet kur tenton të sulmosh, jo duke qëndruar gjithë kohës në pritje. Qendra e mbrojtjes së Skocisë ka probleme të jashtëzakonshme dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë. Unë mendoj se Skocia dhe Shqipëria janë dy kundërshtarë me cilësi të përafërta. Normalisht nëse kërkon të jesh dominant në këtë grup dhe të fitosh ndaj Skocisë, duhet të sulmosh.

Nuk fitohen ndeshjet, duke mos parë fare drejt sulmit. Ne vërtet mund të mbrohemi mirë dhe të kemi fat, siç na ka ndodhur shpesh me De Biazin, por nuk është e thënë se kjo rastësi do të na buzëqeshë në vazhdimësi. Harrojmë që tani nuk kemi më një Cana në mbrojtje apo një Mavraj me më tepër energji, pasi kanë kaluar dy vite. Pra, nuk kemi një mbrojtje më të fortë.

Cili është lojtari më i rrezikshëm për ju te skocezët?

E thashë edhe më lart, kemi të njëjtat karakteristika. Nëse Shqipëria lojtarin më të famshëm ka mbrojtësin e djathtë, Hysaj, Skocia ka mbrojtësin e majtë, Robertson, që luan te Liverpuli dhe është kapiten në Kombëtare. Gjithashtu, një lojtar që bën diferencën është gjithashtu lojtari i krahut të majtë, Kieran Tierni, që luan te Sëlltiku. Skocia përdor këta dy lojtarë në formacion. Ndaj Belgjikës ata nuk luajtën në pozicionet e tyre natyrale, por janë lojtarët më të mirë të Skocisë për momentin. Megjithatë, ndeshja nuk fitohet me mbrojtës të majtë, por me një sulmues të tipit Levandovski. Skocia ka një sulmues si Grifits, që luan te Sëlltiku. Në miqësoren me Belgjikën la fushën i dëmtuar dhe nuk e di nëse do të luajë ndaj Shqipërisë. Është një sulmues i mirë, që bën diferencën dhe nëse nuk do të jetë të hënën, e sigurt është që për Kombëtaren tonë, mbetet një plus i madh. Ai është tipik golashënues, por ajo që kam parë unë te Skocia është se kërkon të luajë kompakt si skuadër, pasi nuk ka ndonjë kreativitet të jashtëzakonshëm. Është ekip pa yje, por që lufton shumë dhe mundohet të rreshtohet mirë në fushë. Duke qenë se janë kundërshtarë të barabartë, mendoj se përgatitja fizike do të jetë ajo që do bëjë diferencën. Rreziku kryesor për Shqipërinë është përgatitja e lartë fizike që kanë skocezët. Loja fizike këtu ka prioritet të madh. Situatat në futbollin skocez më shumë zgjidhen me forcë.

Rudi-vata

Duke qenë se jetoni prej vitesh në Skoci, a ndihet atmosfera për ndeshjen e së hënës dhe a ka pritshmëri për një stadium të tejmbushur?

Në miqësoren ndaj Belgjikës nuk ishte një stadium i tejmbushur, por besoj se do të ketë të paktën 40 mijë veta në SkociShqipëri. Natyrisht do të ketë edhe shumë shqiptarë në stadium dhe jam i bindur që do të bëhet një atmosferë interesante. Por, siç e thashë edhe më lart, Shqipëria duhet të jetë inteligjente në këtë takim. Nëse luan me kujdes, ka mundësi të marrë një rezultat të mirë. Në të njëjtën kohë, skocezët më shumë janë të përqendruar te takimi kundër nesh, prandaj dhe ndaj Belgjikës pamë atë rezultat aq të dobët. Në atë që shoh edhe nga komentet e mediave, analistëve, por edhe stafit të Skocisë, theksi është vënë te ndeshja me Shqipërinë, duke e cilësuar si më të rëndësishmen dhe ku do të kërkohet medoemos fitorja.

Ju keni ndonjë parandjenjë për rezultatin?

Unë them se janë të tria në lojë. Varet te rreshtimi dhe organizimi i skuadrave dhe se kush do ta kërkojë më tepër fitoren. Por, nëse fiton Shqipëria, unë nuk surprizohem aspak. E njëjta gjë edhe me barazimin. Edhe po të humbin në Skoci është krejt normale, për faktin se luajnë në transfertë. Por, prapë për mua mbetet një ndeshje e hapur.

Keni pasur ndonjë ftesë nga FSHF për të qenë në shkallët e stadiumit të hënën?

Jo, nuk kam pasur ftesë nga FSHF. Ndoshta nuk e dinë që jetoj ende në Skoci. Gjithsesi, askush nuk më pengon të jem në stadium apo të shkoj edhe në hënë po desha (qesh). Këto ditë kam pasur shumë telefonata nga gazetarë skocezë dhe mediat prestigjioze britanike. Më bëri përshtypje pyetja që më bënë: “Si ka qenë në vitin 1992 për një shqiptar të firmosë me Sëlltikun?”.

Rudi-Vata

Cila ishte përgjigjja juaj?

I thashë që ka qenë njëlloj kur mbërriti njeriu i parë në hënë (qesh). Ndërsa, sot që ka mbërritur Grezda te Rejnxhërs, është si nata me ditën. Unë kam qenë i izoluar në vitin 1992 në një hotel, ndërsa familja ime duhet të shkonte në postë për të gjetur ndonjë mënyrë kontakti. Grezda disa gjëra i mbyll në “Skype” apo “Facebook”, kështu që e ka shumë të lirë jetën. Kohët kanë ndryshuar shumë, por në stadiumin ku do të luhet Skoci-Shqipëri, pikërisht “Hampden Park”, unë kam kujtimet më të bukura të karrierës. Aty jam bërë shqiptari i parë që kam fituar një trofe në një vend europian në vitin 1995. Në të njëjtin stadium i kam shënuar Gllazgou Rejxhersit.

Meqë përmendët Grezdën, një koment për transferimin te Rejnxhërs?

Ka shkuar në një klub shumë të madh dhe me traditë të jashtëzakonshme, pavarësisht se janë rivalët e përjetshëm të Sëlltikut. Grezda ka një fat të madh që është bërë pjesë e këtij klubi. Por, për t’u ambientuar sa më shpejt në Skoci, lojtarit i duhet të prodhojë futboll javë për javë. Duhet të tregojë veten, nëse kërkon të bëjë hapin e madh, pasi nga këtu mund të transferohet fare mirë në Premier Ligë. Ka ardhur në një vend plot me skautë, por varet çdo gjë nga puna e lojtarit dhe mbi të gjitha serioziteti i tij.

Parashikoni një përshtatje të vështirë të Grezdës në futbollin skocez?

Nuk do ta ketë të lehtë për një arsye madhore, pasi këtu futbolli është shumë agresiv. Do të luajë në një kampionat të egër, por është e sigurt që nëse ushqehet mirë dhe ka energji të mjaftueshme, mund të përshtatet. Në Skoci duhen shumë energji, sepse nis i ftohti dhe ka javë që Rejnxherës mund të luajë edhe tri ndeshje. Pra, i duhet karburant i mjaftueshëm për të luajtur te Rejnxherës, pasi vjen nga një vend si Kroacia, ku ka diell në 300 ditë të vitit. Këtu Grezdën e presin 300 ditë me shi, kështu që ambientimi do të jetë pak i vështirë. Për batutë mund të them se duhen burra me fustanella leshi (qesh).

Vata

Kalojmë te hallet e kampionatit shqiptar. Janë luajtur tri javë, çfarë ju ka surprizuar për mirë apo për keq?

Më duket një kampionat i trishtueshëm, pa energji dhe pa emocion. Shyqyr që ka presidentë dhe miq të tyre që kanë investuar dhe shkojnë e shohin skuadrat. Kur ke një stadium bosh dhe shikon një Tiranë që nuk është ajo që i duhet kampionatit, si dhe kur ke një Vllazni, Dinamo apo Elbasan në inferiore, nuk mund të presësh më shumë. Kampionatit i ka humbur tradita dhe shpresoj që të mos vdesë. Një Superiore që i ka humbur lezeti, bukuria dhe mbi të gjitha besimi. Me goditjen që mori Skënderbeu u bë një kampionat gjithnjë e më i dobët. Nga Korça u larguan lojtarët më të mirë dhe u krijua një situatë jo e këndshme. Të them të drejtën kjo ndodh vetëm në një vend si Shqipëria. Këto ndryshime kaq të mëdha dhe rënia drastike e këtyre klubeve me traditë nuk i has në asnjë vend tjetër në botë, por vetëm në një shtet pa stabilitet si ky i yni.

Që prej largimit nga Vllaznia si trajner, keni folur hapur për shumë gjëra dhe për hir të së vërtetës, shqetësimet që keni ngritur janë ende prezente në futbollin shqiptar. Pse e kemi kaq të vështirë të ndryshojmë për mirë…?

Ka humbur logjika dhe normaliteti, kështu që keq e më keq po shkon çdo gjë. Vendin e bëjnë njerëzit e zotë, jo ata që nuk janë të tillë. Të aftit janë larguar me kohë dhe kanë frikë të kthehen në Shqipëri. Duhet edukim për të ecur përpara. Personalisht jam një tip që nuk akuzoj kot, por bazohem te faktet. Gjithçka kam paralajmëruar në gjithë këto vite, ka ndodhur. Nuk kam xhelozi për askënd në atë vend, as urrejtje dhe as ndjenja të këqija, por sigurisht nuk mund të më mbyllë njeri gojën, pasi dua të flas me pastërti për atë që ndodh. Jam i edukuar për të qenë i drejtë, sepse më pëlqen ky parim. Sigurisht, edhe unë dikur mund të kem pasur gabimet e mia, por rrugës njeriu merr më të mirat.

GW640H480

Edhe unë produkt i Shqipërisë jam, por kam punuar shumë për të mbërritur aty ku duhet. Kurrë nuk kam arritur diçka me fjalë, miq, hile apo pagesa. Kam luftuar shumë për t’u përshtatur në të gjitha vendet ku kam qenë. Nuk kam qenë një minutë jo korrekt në karrierën time. I pari dilja në stërvitje dhe i fundit largohesha. Po të bëja gangsterin, nuk më hapte kush derën në botë. Kam pasur mundësinë ta bëja edhe atë, por kam ditur të zgjedh. Në Shqipëri, duam apo nuk duam, gjërat bëhen mbrapsht. Të fortët më kanë pasur në Shqipëri dhe gjërat i kam zgjidhur me edukatë. Kam 30 vite që punoj me njerëz që kuptojnë normalitetin. Nuk duhet të kthehemi në kafshëri, sepse për tre minuta e shkatërron imazhin tënd nëse do.

Pak ditë më parë, ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, foli për “Panorama Sport” duke treguar strategjinë e tij se si mund të shpëtojë futbolli shqiptar. Jeni dakord me ato që ka thënë Loriku?

Loriku ka mendimin dhe idetë e tij, që sigurisht nëse i japin mundësinë për t’i kthyer në praktikë, mund të jenë shumë të vlefshme për futbollin mbarëkombëtar. Unë kam dëshirë që Cana apo kushdo figurë e rëndësishme e futbollit shqiptar, të flasin më direkt, sepse faktet janë evidente dhe që njihen e kuptohen edhe nga majmunët. Futbollin e bëjnë të mirë ose të keq njerëzit që shërbejnë në atë sistem. Pra, njerëzit me mendje të mirë dhe që me të vërtetë e duan futbollin, do të bëjnë gjëra të mira, ndërsa njerëzit me mendje të keqe dhe që trashen dita-ditës për të bërë parà në kurriz të futbollit, do të bëjnë gjithmonë gjëra të këqija dhe do kemi gjithmonë trishtim e vuajtje në stadiumet tona. Pasojat do të ndihen çdo ditë e më shumë.

JORGIS MEMO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"