EKSKLUZIVE/ Rudi Vata: Kampionati të luhet në fushë, shqiptarët dynden rrugëve sepse nuk besojnë te shteti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2020 | 14:20

EKSKLUZIVE/ Rudi Vata: Kampionati të luhet në fushë, shqiptarët dynden rrugëve sepse nuk besojnë te shteti

Rudi Vata është nga ata që në këtë situatë të paprecedentë i zbaton me përpikmëri rregullat që janë vendosur. Ish-kapiteni i Shqipërisë jeton prej vitesh në Skoci me familjen, teksa në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport” tregon se si po i kalon këto ditë, ku koronavirusi ka pushtuar Europën.

rudi vata

Ai komenton situatën në vendin tonë dhe faktin që shqiptarët dynden rrugëve duke rrezikuar. Nuk mund të mungonte një koment edhe për mënyrën se si duhet të vazhdojë kampionati, pra atë që sipas tij është rruga më e ndershme për Kategorinë Superiore.

Rudi, ku ndodheni aktualisht?

Në Skoci pranë familjes.

Si po e përjetoni këtë moment kaq të vështirë që po kalon thuajse gjithë globi pas përhapjes së koronavirusit?

Këtu situata nuk është alarmante. Mirëpo, 6 persona kanë ndërruar jetë dhe mbi 300 të tjerë janë të prekur nga virusi deri më tani. Situata nga autoritetet skoceze është e kontrollueshme, por gjithsesi ne si individë mundohemi të bëjmë kujdes dhe të jemi të vëmendshëm me udhëzimet që na japin. Kapitalizmi nuk funksionon këto kohë dhe njerëzit janë të gjithë të barabartë. E mira e kësaj situate është se natyra po ringjallet dhe paraja nuk ka forcë dhe nuk qenka gjithçka.

Besoj se i respekton rregullat e vendosura apo keni marrë pak nga ai menefregizmi që i karakterizon skocezët si popull…?

Unë jam shumë i disiplinuar edhe pa këto rregulla që janë vendosur. Kam kohë që kam bërë një biznes plan, që e zbatoj rregullisht duke investuar te kujdesi për trupin dhe shëndetin.

Vata

Si e shpjegon faktin që edhe pse çdo ditë kryeministri Rama këshillon qytetarët të mos dalin nga shtëpitë, sërish nuk ka ndërgjegjësim total, madje në vendlindjen tuaj Shkodër ka pasur dalje masive nga njerëzit në rrugë…?

Unë mendoj që njerëzit nuk besojnë tek shteti në Shqipëri, sepse realisht neve nuk kemi shtet të fortë dhe serioz. Shteti duhet të kishte menduar dhe punuar kohë më parë për të përmirësuar mirëqënien e popullit të vetë. Shqipëria është vend i pasur, por ka pasur gjithmonë liderë me mendje të varfër. Shqiptarët janë të varfër dhe me shumë probleme sociale, kështu që nuk kanë shumë se çfarë të humbin, prandaj nuk u bëhet vonë se çfarë mund të ndodhë… Askush nuk e ka një formulë të saktë dhe të sigurtë për të dalë i shpëtuar nga kjo situatë.

Rudi Vata Vllaznia

UEFA vendosi që deri më 30 qershor duhet të jenë mbyllur të gjitha kampionatet në Europë. Si mendoni se do të ishte më e ndershme të vendosej për Superioren?

Une mendoj se më e ndershme dhe me “fair play” do të ishte që kampionati të zhvillohet sipas kalendarit të ndeshjeve të mbetura, duke luajtur çdo 2-3 ditë në fazën mbyllëse. Duke shpresuar që situatat të përmirësohen, besoj dhe uroj që do të shikojmë futboll të luajtur përsëri para qershorit.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"