EKSKLUZIVE/ Rudi Vata: Gafë me Bashën, por ja pse Panuçi nuk mund të shkarkohet (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2018 | 22:54

EKSKLUZIVE/ Rudi Vata: Gafë me Bashën, por ja pse Panuçi nuk mund të shkarkohet (E PLOTË)

Rudi Vata ka mbetur i zhgënjyer nga loja e Kombëtares ndaj Skocisë. Ai paralajmëroi se Shqipëria do ta kishte të vështirë të përballonte kundërshtarin sa i përket anës fizike, por ama priste që kuqezinjtë të paktën të luanin si të barabartë në mitikun “Hampden Park”.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” menjëherë pas përfundimit të takimit Skoci-Shqipëri, Vata analizoi paraqitjen e kuqezinjve, ndërsa foli edhe për të ardhmen e trajnerit Kristian Panuçi.

Rudi-Vata

Rudi, çfarë përshtypje ju la humbja me Skocinë?

Të jem i sinqertë, kam pritur një Shqipëri më të fortë. U ndëshkuam nga një Skoci që për mendimin tim nuk ishte në më të mirën e mundshme për potencialin që ka si ekip. Ndoshta shumë nuk e dinë, por ata luajtën me shumë mungesa.

Ku mendoni se gaboi Shqipëria?

E pësuam nga dy situata standarde, ku gaboi qoftë qendra e mbrojtjes, po ashtu edhe portieri Strakosha te goli i dytë. Gjithsesi, ka ndeshje mjaftueshëm, por duhet analizuar mirë kjo humbje, në mënyrë që të rikuperojmë sa më shumë për ndeshjen e radhës në Izrael.

Kundërshtari na vendosi nën presion që në sekondat e para, çfarë duhet të bënte më tepër skuadra për të ulur ritmin e Skocisë?

Dakord, na vendosi nën presion dhe kjo dihej, por lojtarët tanë nuk janë të niveleve të dobëta që të mos përballojnë dot të tilla takime. Kemi futbollistë që aktivizohen në kampionate elitare në Europë dhe nëse i referohemi mbrojtjes dhe portës, janë të gjithë në Serinë A, duke filluar nga Strakosha, Hysaj, Gjimshiti dhe Veseli. Nëse shikon mbrojtësit skocezë, përjashto Robertson, nuk ka të tillë lojtarë në aspektin e vlerës së kampionateve ku luajnë. Por, ne u treguam shumë të dobët dhe mendoj se morëm atë që merituam nga ky takim.

Në opinionin sportiv shqiptar ka shumë dëshpërim për faktin se u mundëm nga Skocia. Është e drejtë kjo?

Nuk duhet të dëshpërohemi pas kësaj humbjeje, por të analizojmë me qetësi dhe korrektësi gabimet që janë bërë. Jam i sigurt që gjithsecila skuadër, përfshi edhe Izraelin, ka pritur që Skocia të fitonte ndaj Shqipërisë. Tashmë, Izraeli ndoshta shpreson të marrë tri pikë ndaj Skocisë dhe grupi bëhet shumë i ekuilibruar. Ndryshimi i Skocisë me Shqipërinë dhe Izraelin është se ka lojtarë që e vlerësojnë si duhet pozicionin e tyre në fushë. Janë lojtarë më kërkues dhe më determinant, prandaj dhe fituan ndaj Shqipërisë. Skocia ka një ekip që vrapon shumë dhe krijon raste

Vata

Trajneri Panuçi bëri tre ndryshime në krahasim me ndeshjen ndaj Izraelit, duke lënë në stol Bashën, Hykën dhe  Gurin. E prisnit?

Shikoni, këtë po diskutonim edhe me miqtë e mi skocezë pas ndeshjes. Kur vjen pas një fitoreje me një kundërshtar direkt, maksimumi mund të bësh një ndryshim, por jo tre, sepse janë vërtet shumë. Kombëtarja në këtë situatë ka nevojë për lojtarë me eksperiencë.

Edhe zëvendësimet rezultuan joefektive, madje si për ironi të fatit, menjëherë pas dy ndryshimeve u shënuan golat e Skocisë…

Ka diçka jologjike, sepse ndaj Izraelit u rikthye në Kombëtare Hyka dhe madje u bë kapiten. Më pas përfundon në stol dhe nuk luan asnjë minutë kundër Skocisë. Pra, duket që edhe trajneri vetë me këto ndryshimet tregon që idetë i ka të paqarta. Ai duhet të jetë më i qartë, sepse nuk mund të lërë në stol një si Basha, që ishte lojtari më i mirë me Izraelin. Ai është një futbollist me shumë eksperiencë, një rregullator para mbrojtjes, por trajneri vendos të luajë me Lilajn, një lojtar i mirë i kampionatit shqiptar që së fundmi është transferuar në Azerbajxhan. Mirëpo, nuk mendoj që vlerat e Bashës mund të krahasohen me ato të Lilajt, sidomos në një ndeshje të tillë. Gjithashtu, edhe krahu i majtë i mbrojtjes.

Rudi-vata

Binaku u quajt bast i fituar pas ndeshjes me Izraelin, por unë mendoj se edhe Ansi Agolli mund t’i shërbente shumë mirë skuadrës ndaj Skocisë, pasi e ka eksperiencën e mjaftueshme. Kombëtarja në këtë situatë ka nevojë për lojtarë me eksperiencë. Dy qendrat e mbrojtjes i kemi totalisht pa eksperiencë, ndërsa mungon një Mavraj jo në formën e duhur. Veseli dhe Gjimshiti mund të kenë vlera, por jo eksperiencë të mjaftueshme në ekipin Kombëtar. Asnjë nga dy qendërmbrojtësit nuk e ka fituar rolin e vërtetë të liderit.

A mendoni se me këtë situatë që është krijuar në Kombëtare mund të ketë edhe një tronditje të stolit?

Kjo është një situatë tranzit që Shqipëria po e kalon, por shpresoj që Panuçi të balancojë ekipin dhe të marrë vendimet e duhura. Trajneri duhet të qartësojë idetë për pozicionin e lojtarëve në fushë dhe të gjej 11-shen ideale të Kombëtares. Nëse flasim specifikisht për të ardhmen e trajnerit, nuk mendoj se rrezikon. Pas fitores me Izraelin, ai thotë se jemi në kushte të barabarta. Pastaj, një humbje në Skoci nuk mund të bëhet dramë dhe s’mund të vendosë trajnerin në një pozicion të rrezikuar. Vetëm nëse i pëlqen atij të largohet, mund të ndodhë kështu.

Këtë e ka sigurisht FSHF në dorë, por nuk besoj se i intereson të largojë trajnerin pse humbi ndaj një kundërshtari si Skocia në transfertë. Unë gjykoj se Panuçit meriton t’i jepet edhe një ose dy shanse, në mënyrë që të shikojmë atë skuadër që dëshirojmë. Mirëpo, deri në këto momente kemi shumë pikëpyetje, të cilave duhet t’u përgjigjet Panuçi. Duhet t’i rregullojë dhe sistemojë punët si duhet, sepse paguhet për të bërë një Kombëtare solide dhe kompetitive.

Nga i dërguari ynë në Skoci, ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"