EKSKLUZIVE/ Rrëfimi unik i Hasanbelliut: Mziu nuk ia ka idenë futbollit, jemi në siklet prej Dukës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2018 | 23:05

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi unik i Hasanbelliut: Mziu nuk ia ka idenë futbollit, jemi në siklet prej Dukës

Teuta ndodhet në një pozicion të vështirë në klasifikim, megjithatë rezultatet e arritura në javët e fundit japin shpresë dhe mbushin me optimizëm drejtuesit, por edhe tifozët, pasi mbijetesa është më afër. Ky kampionat nisi me shumë pretendime nga bregdetarët, ku pjesëmarrja në kompeticionet europiane ishte objektivi më minimal, por pas dy fazave të para situata mori një rrjedhë tjetër dhe tani Teuta lufton për mbijetesë, pavarësisht se në verë u shpenzua shumë, ndoshta më shumë se në dy dekadat e fundit.

Në Durrës janë të vetëdijshëm dhe e pranojnë se kanë gabuar në merkato, por besojnë se me impenjim dhe shpirtin e garës do t’ia dalin të qëndrojnë në sallonin e madh të futbollit shqiptar.

Hasanbelliu

“Panorama Sport” zhvilloi një intervistë ekskluzive me presidentin e Teutës, Edmond Hasanbelliu, i cili foli për gjithçka ka ndodhur gjatë gjithë këtij sezoni me bregdetarët, por edhe me kampionatin dhe rivalët. Ai është i sinqertë dhe e pranon dështimin, flet pa doreza për garën dhe rivalët. Gjithashtu, Hasanbelliu diskutoi edhe çështjen e kalimit të Teutës në shoqëri aksionere, teksa garantoi se Liga Profesioniste do të jetë gati në shtator.

Në javët e fundit ka pasur disa akuza ndaj Teutës nga drejtues të Kamzës, por presidenti më i vjetër i Superiores e shpërfill, ndërsa theksoi se këta persona duan të bëhen protagonistë duke dëmtuar garën. Tema më e nxehtë është edhe ajo e arbitrave, por për presidentin më jetëgjatë në Superiore pak rëndësi ka se kush i gjykon ndeshjet e Teutës. Ai është i qetë dhe pranon çdo vendim, ashtu siç ndodhi me Vllazninë.

Si ka mundësi që Teuta po vuan kaq shumë për mbijetesë, në një kohë që e nisët me synime të qarta për Europën?

Ne kemi gabuar në merkato dhe fajet i kemi të gjithë. Duke filluar nga Magani i pari, për të vazhduar më pas me ne drejtuesit. Unë kam konstatuar gjatë kësaj periudhe që është shumë e vështirë të ndërtosh një ekip kompetitiv me shumë lojtarë të huaj dhe kjo është një nga arsyet e dështimit tonë. E dyta, lojtarët nuk dolën aq cilësorë sa në video. U gabuam me atë që pamë në videot e tyre.|

Në këtë situatë, kush mban përgjegjësi ose më saktë, kush ju ka zhgënjyer më shumë nga fillimi i sezonit dhe deri më tani?

Patjetër që lojtarët nuk kanë bindur. Ai që më zhgënjeu më shumë është Osemene, i cili ishte shumë larg parashikimeve tona. E morëm nga Braga, por la për të dëshiruar. Më pas sulmi mbeti vakant dhe po e vuajmë edhe sot. Latif erdhi si lojtar rezervë dhe për të luajtur në krah. Në këto kushte u detyruam ta aktivizojmë në qendër. Në janar menduam se do të afronim një sulmues cilësor, ndaj e larguam atë, por sërish dështuam. Nuk e arritëm qëllimin që kishim.

demi hasanbelliu
Magani mund të quhet një bast i humbur për ju?

Sigurisht, edhe ai dështoi, pasi skuadra regjistroi shumë rezultate të dobëta. Gjithmonë kalonim në avantazh, por më pas humbitnim. Morëm aq humbje sa edhe ai vetë u trondit, madje kërkoi edhe dorëheqjen, por unë e mbajta. Kur humbet skuadra, krijohen edhe probleme brenda, pastaj flitet “filan” lojtar nuk luajti, prishi grupin dhe shkuam në këtë gjendje ku jemi sot.

Çfarë po bëhet me klubin, shoqërinë aksionere, është e vërtetë që keni pasur përplasje me bashkinë?

Nuk ka asnjë përplasje, thjesht procedura. Duhet të mblidhet Këshilli Bashkiak. Ata na kanë kërkuar disa dokumente, ne i kemi plotësuar të gjitha shkresat dhe tani po presim mbledhjen e radhës të këshillit që të vendoset shoqëria. 75% ne dhe 25% do të jetë në duart e bashkisë.

Në opinion është krijuar një aludim sikur Teuta po mbështetet nga FSHF dhe nuk ka shanse të bjerë. Cili është reagimi juaj?

Ky është problemi i atyre që mendojnë kështu. Ne na rëndon kjo sepse duke qenë Armand Duka nga Durrësi, media dhe këto thashethemnajat krijojnë këtë ide të gabuara, por nuk është kështu. Madje, ne po luajmë me shumë siklet nga kjo situatë. Unë rashë dakord që Teuta-Vllaznia të gjykohej nga një trup arbitrash të huaj. Unë kam 20 vjet president i Teutës, ndërsa Duka vetëm 12 vite ka si president i FSHF-së. Kam rrezikuar edhe më parë për të dalë nga kategoria, por kam qenë edhe afër titullit, madje disa herë dhe nuk e kam marrë. E theksoj se kjo nuk është arsye. Unë kërkoj që arbitri të mbajë drejt si brenda ashtu edhe jashtë. Ka kaq vite që e kërkoj.

Si do e komentoni deklaratën e Xhelal Mziut?

Nuk dua ta komentoj fare. Këta janë disa njerëz që nuk kanë fare lidhje me futbollin, nuk dua t’i përmend as emrin. Kush është ky? Njerëz si ky nuk e dinë me sa veta luhet futbolli. Nuk më hynë fare në vesh fjalët e atij.

Edhe Qarri është shprehur se FSHF mbron Teutën për të rrëzuar Kamzën?

Naim Qarri është kolegu im, si duket nga emocionet që ka, ka deklaruar ashtu, pasi Kamza ishte prentendente për Europën. Pas fitores sonë në Kamzë, aty rrëshqiti ajo. Nga emocionet që ka, Naimit i duket sikur ne po i marrim hakun, por në fakt ne po luajmë futboll. Ne shohim punën tonë, Naimi të vetën.

Pas fitores me Vllazninë, sa për qind e shpëtuar është Teuta?

Ishte një fitore e rëndësishme sepse ishte ndeshje direkte. Që kur ka ardhur Begeja, Teuta ka rritje në fushë. Në fakt unë e prisja, edhe barazimi nuk do ishte gjendje e rëndë, vetëm humbja do të ishte keq. Tani për mua fillon ‘lufta’, pasi tani është më e vështira. Teuta nuk duhet të ketë eufori, sepse jemi akoma shumë të rrezikuar.

Skënderbeu është dënuar 10 vite për trukime nga UEFA. Sipas jush, është një vendim i drejtë apo jo?

Këtë nuk mund ta them unë, pasi UEFA ka gjyqtarë dhe e dinë ata. Shteti ynë është UEFA, ne me ata mbahemi. Shpresoj që Skënderbeu të mos dënohet, pasi nuk është mirë as për kampionatin. Unë dua që ta fitojë gjyqin në KAS.

Çfarë po ndodh me kampionatin shqiptar, gjithnjë e më shumë po humbet besimi dhe stadiumet po boshatisen?

Arsyeja kryesore janë thashethemet. Kjo ka ndikuar shumë keq, edhe vetë ndihem keq. Madje edhe djali që kam në klasë të dytë, kur shkova në shpi njëherë, më ka thënë “o ba u shit kjo ndeshje…?”. Edhe kur luan Barcelona me Realin thuhet “u shit”. Është krijuar edhe të fëmijët dhe kjo është arsyeja kryesore. E dyta që ndikon është edhe fakti që ka shumë pika bastesh dhe të gjithë rrinë aty për t’i parë të gjitha ndeshjet dhe nuk vijnë në stadiume. Arsyeja e tretë është edhe gjendja ekonomike. Çmimet modeste janë, por edhe varfëria ndikon.

Çështja e arbitrave po bëhet gangrenë, madje klubet akuzojnë se FSHF tani po bën qoka duke iu referuar edhe votimit për kreun e Federatës?

Kjo është për të qeshur në fakt se të gjithë klubet (pjesa më e madhe) e Superiores votuan Dukën. Nëse ai ndikon tek arbitrimi, i bie që të 10 klubet të fitojnë dhe mos dalë asnjë nga Kategoria. Vetëm Partizani ka qenë kundër dhe nuk është se ka pasur ndonjë dëm të madh nga arbitrat.

Pse mbështetët sërish Dukën, ju keni qenë disa herë kritik ndaj FSHF-së?

Votova pro Dukës sepse u bë vite që e drejton futbollin në Shqipëri dhe ka qenë i suksesshëm. Nuk e votova Finon sepse e para punës ishte nga politika… Si nga PS si nga PD, unë jam kundër, pasi nuk dua që politika të bëhet bashkë me futbollin. Doja një biznesmen, mbase nuk do isha me Dukën, por nuk duhet të ishte një politikan. Finon e kam mik dhe ia bëra të qartë pse isha kundër tij.

Kur do të krijohet Liga Profesioniste, a ka pasur ndonjë lëvizje gjatë kësaj periudhe?

Po, Liga do të krijohet. Ne kemi dërguar përfaqësuesit tanë pranë FSHF-së dhe them se vitin tjetër në shtator Liga do të jetë gati. Është një nga gjërat më të rëndësishme, pasi të gjitha të ardhurat do të jenë për ne. Liga do të drejtohet nga ne presidentet dhe nuk ka lidhje fare me Federatën. Këtë duhet të kuptojnë të dhjeta klubet. U bëj thirrje të përkushtohen për ta bërë këtë Ligë sepse nevoja është emergjente.

Kush do të jetë presidenti i Ligës, ka pasur debate për këtë pjesë?

Ky është problemi kryesor, por ne duhet të mblidhemi të 10 presidentët për të zgjedhur personin e duhur. Unë sugjeroj që ai të mos ketë lidhje me politikën dhe mos ketë lidhje me asnjë klub. Nuk ka problem nëse është nga kryeqyteti, por të ketë shkollimin e duhur. Mirë do të ishte të ishte jurist, ekonomist dhe ta dashuronte sportin. Nuk duhet të ketë përkrahje nga asnjë klub.

Kthehemi te Teuta… keni vite që investoni, i jeni afruar titullit, por nuk e keni fituar. Kur besoni se do ta fitoni?

Duhen shumë të ardhura për të dalë kampion dhe një projekt afatgjatë. Në momentin që të ardhurat do të rriten, do të jemi pretendentë. Cilë- sia do të rritet dhe do të jemi më afër. Kam kaq vite që e kërkoj këtë titull, i kam shkuar katër herë, por nuk e kam marrë dot. Kam marrë dy Kupa të Shqipërisë dhe kemi dalë nënkampionë, por titulli më mungon dhe shpresoj shumë ta fitoj.

Begeja ka marrë rezultate pozitive në këtë periudhë, e shikoni si trajnerin e duhur për vitin e ardhshëm?

Begejën e njoh mirë. E kam pasur futbollist, kapiten… Ai sa vjen dhe piqet. Është një person i zoti. E ka rritur shumë nivelin, them se mund të vazhdojmë sërish, por primare për ne është të sigurojmë qëndrimin në Superiore më pas do të flasim për këtë. Por ai është gjithmonë pjesë e Teutës.

Ndërmjet Vllaznisë dhe Kamzës, cilin shikoni si ekipin më të rrezikuar? Ne kemi hallin tonë njëherë, duhet të shpëtojmë vetë…

Për Vllazninë nuk më vjen mirë, pasi kemi zhvilluar ndeshje shumë të bukura ndër vite, kemi luftuar edhe për kampion. Kam kujtime të bukura, jemi përballur shumë herë, por edhe për Kamzën nuk do të më vinte mirë.

Në këtë sezon të vështirë ka ndonjë lojtar që ju ka impresionuar?

Kapiteni i skuadrës, Çrybja, ka treguar një nivel të lartë. Nga të huajt, Hrkaç ka treguar stabilitet, ka qenë më i përkushtuar nga të huajt, por edhe pjesa tjetër në këtë periudhë ka luajtur mirë.

I keni dhënë premio skuadrës në këtë moment delikat?

Po. 5 mijë euro për katër pikë. Pra, për barazimin me Luftëtarin dhe fitoren me Teutën.

Nëse kampionati mbyllet sot dhe Teuta shpëton, çfarë planesh keni për sezonin e ri?

Boshti i skuadrës qëndron. Do të afroj lojtarë cilësorë dhe kryesisht shqiptarë. Do të kemi kontratat trevjeçare dhe pas dy-tre vitesh do të pretendojmë vendet e para në klasifikim. Por duhet shumë punë dhe duhet merkato shumë e kujdesshme.

Aksioneri Ardjan Bardhi ka munguar në stadium në ndeshjet e fundit, cila është arsyeja?

Bardhi u mërzit shumë nga humbjet, është shumë emocional. Ndeshjet i ka ndjekur nga televizori. Në takimin me Luftëtarin, kur Latif humbi një rast në fund të ndeshjes, ai sa nuk theu televizorin, pasi i ra me telekomandë… (qesh). Më tha: ‘Aman rri ti afër, sepse unë dridhem kur nuk fitojmë’….

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"