EKSKLUZIVE/ Rrëfimi tronditës i ish-sulmuesit të Flamurtarit: Troisi më kërkoi para, merrej me gratë e futbollistëve (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2023 | 0:14

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi tronditës i ish-sulmuesit të Flamurtarit: Troisi më kërkoi para, merrej me gratë e futbollistëve (E PLOTË)

Ishte dhjetori i 2022-shit kur Mateus Iakoveli u largua nga Flamurtari. Ndonëse kishte kontratë, ndodhi “divorci” i papritur. Nuk është se iku pa lënë gjurmë, pasi e gjeti 5 herë rrjetën në 12 ndeshje të luajtura.mateus iakoveli

Tani që kanë kaluar 5 muaj, sulmuesi vendos që të tregojë të vërtetat e tij dhe çfarë të vërtetash… Gjatë një interviste ekskluzive për “Panorama Sport” zbulon se ishte Marcelo Troisi që ia ndërlikoi jetën në Vlorë.

E quan ish-trajnerin jo vetëm amator dhe intrigant, por nxjerr të tjera të palara. Rrëfen se fliste keq për gruan e tij dhe gratë e sportivëve të tjerë, por edhe pjesën që i ka kërkuar që të ndajë paratë e kontratës. Sqaron se u largua vetë nga kuqezinjtë pas këtyre situatave që u krijuan, duke mohuar faktin që e largoi klubi. Nga e gjithë kjo histori, braziliani përjashton totalisht Sinan Idrizin.

Iakoveli

U bëtë 5 muaj që jeni larguar nga Shqipëria, por a e keni ndjekur Flamurtarin gjatë kësaj periudhe?

Fatkeqësisht ata nuk patën mundësi të ngjiteshin direkt në elitë, por nëse do të isha ende në ekip, kjo do të kishte ndodhur. Jam i trishtuar. Flamurtari ka futbollistë të mirë, veçanërisht brazilianë dhe besoj se do t’ia arrijnë qëllimit. Unë kam besim se do t’ia dalë.

Tani kanë vetëm një rrugë për ngjitjen, me atë të fazës “play off”. Mendoni se do të jenë pjesë e elitës?

Shpresoj që Flamurtari të ngjitet në Superiore, sepse në klub kam krijuar miqësi dhe ka njerëz që e meritojnë. Mundësia reale për t’u ngjitur është për shkak të brazilianëve, të cilët janë njerëz të mirë dhe lojtarë të mirë. Troisi ua ndërlikoi dhe e bëri të vështirë ngjitjen. E përsëris, që gjithçka që po them nuk lidhet me presidentin Idrizi, ai është jashtë kësaj historie.

Nga sa e njihni ekipin, çfarë nuk shkon me Flamurtarin?

Gjatë periudhës që kam qenë atje, problemi ka qenë trajneri. Nuk kishte taktikë dhe në stërvitjen që zhvillonte ishte jashtëzakonisht amator. Kjo mund të ketë rrezikuar edhe rezultatet.

Çfarë keni konstatuar ju, na flisni më gjerë?

Së pari, ishte një nga vendet më pak profesionale që kam luajtur ndonjëherë. Kjo nuk ka të bëjë me klubin, por me njerëzit që punonin atje.

Presidenti nuk ka fare faj! Normalisht që është ai që zgjidh disa nga problemet e shumta që ekzistojnë, por ai nuk ka kohë të kujdeset për gjithçka dhe t’i qëndrojë afër ekipit çdo ditë. Sinan Idrizi është një biznesmen i suksesshëm dhe njeri shumë i mirë. Por fajin që Flamurtari është në këtë situatë sot e kanë të tjerë…

Si ishte eksperienca juaj te ky ekip?

Koha ime te Flamurtari ishte shumë produktive në fushë. Më pëlqente të merrja pjesë në ndeshje dhe në jetën e përditshme. Bëra maksimumin kur kisha mundësi dhe bëra gjithçka për të ndihmuar skuadrën. Dhe në një farë mënyre, e ndihmova. Shifrat flasin vetë. Sa keq që nuk pata më shumë mundësi, por nuk ishte zgjedhja ime.

Nuk e patët këtë mundësi, pasi ju larguan apo jo?

Jo, jo, nuk është kështu. Do ta shpjegoj si është e vërteta. Unë jam punësuar për të qenë një nga lojtarët kryesor në skuadër dhe, sipas meje, bëja pjesën time në fushë. Por ata nuk më trajtonin me respektin që meritoja. Arsyeja më e madhe që kërkova ndërprerjen e kontratës menjëherë pas ndeshjes së fundit ishin dy persona: Marcelo Troisi dhe Jako, që është drejtor.

Jako është një person që nuk duhet të jetë në pozicionin që ka në klub! Ai nuk kupton asgjë nga futbolli, nuk di të sillet me njerëzit dhe mungesa e respektit e pengon të ketë marrëdhënie të mira me çdo sportist. Ai është një tjetër person përballë presidentit dhe një person krejtësisht tjetër kur nuk është pranë tij.

Më qartësisht kush është ky që ju e identifikoni si Jako?

Është drejtor aty në klub, a zëvendëspresident. Më duket se ka qenë president i klubit të futbollit të Lushnjës.

Kush ju solli në Vlorë dhe pse gjithë ky zhgënjim?

Marcelo ishte ai që më mori. Më premtoi shumë para se të vija dhe më tha se do të më ndihmonte. Madje, ai tha se futbolli shqiptar ishte shumë i dobët. Këtë ma ka thënë në telefon. Kur mbërrita në Vlorë dëgjova nga njerëz të tjerë se ai nuk ishte aq i mirë. Dhe e zbulova rrugës negativitetin e tij.

Çfarë zbuluat?

Përveçse nuk e kuptonte futbollin, nuk e përgatiste skuadrën si duhet. Mungesa e respektit ndaj meje ishte diçka që nuk e kam përjetuar kurrë në jetën time. Dhe më e keqja është se edhe ai është brazilian dhe e njeh realitetin e futbollit. Ai po fliste keq për mua pas shpine, duke thënë se paratë që mora nga klubi duhej të ishin ndarë mes meje dhe atij. Por kam prova dhe dëshmitarë se paratë që kam marrë ishin të miat. Por sipas tij, ai kishte biseduar me mua… Më thirri për të më thënë se do të filloja të luaja, do të isha në formacionin titullar dhe kjo do të ndryshonte.

Në fakt ndryshoi gjë, si ishte më pas marrëdhënia juaj?

Ai foli keq për peshën time me njerëzit që nuk ishin as nga klubi. Ai foli për gruan time. Fliste edhe për gratë e sportistëve të tjerë. Ai u përpoq të krijonte intriga mes lojtarëve. A mund ta kuptoni nivelin e personit që ai është? E pamundur të punosh me një person të tillë, që përzien profesionalen me personalen.

Nuk e kuptoj nëse është zili, diçka personale apo ndonjë devijim karakteri. Një tjetër arsye ishte një gjobë që mora për humbjen dhe barazimin, pasi isha zëvendësues dhe i vetmi që u gjobit isha unë. Pa kuptim, apo jo? Këto janë disa nga arsyet që më bënë të kërkoj të largohem. Ndryshe nga disa lajme që dolën, e përsëris, kërkova të largohesha!

Tashmë është larguar edhe Troisi nga Flamurtari. Keni një koment?

I uroj suksese dhe i them që të studiojë futboll, që të mund të jetë trajner tjetër. Gjithashtu një psikolog për të mësuar se si të merret me zilinë, egon e fryrë dhe temperamentin shpërthyes.

Ku po e vijoni karrierën aktualisht?

Aktualisht jam në Brazil. Po vazhdoj të jap kontributin tim te “XV Piracicaba”. Jam shumë i kënaqur dhe i vlerësuar.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"