EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Telushit: Ja pse zgjodha Egnatian. Ju tregoj të vërtetën me Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2021 | 17:12

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Telushit: Ja pse zgjodha Egnatian. Ju tregoj të vërtetën me Vllazninë

Bruno Telushi është prezantuar dje zyrtarisht nga klubi i Egnatias si një prej afrimeve më të bujshme në merkaton e verës. Mesfushori vlonjat ka firmosur një kontratë 1- vjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon.

egnatia

Pas stërvitjes së parë me fanellën e ekipit rrogozhinas, Telushi foli ekskluzivisht për “Panorama Sport” rreth kësaj zgjedhjeje surprizë për vazhdimin e karrierës. 30-vjeçari komentoi edhe historinë e disa javëve më parë me Vllazninë, ku u përfol se gjeti akordin.

Bruno, së pari çfarë ju bindi që në këtë rikthim në Superiore pas aventurës në Azerbajxhan, të vishni fanellën e Egnatias?

Fillimisht dua të theksoj se Egnatia ishte zgjedhja e duhur për mua. Ishte projekti dinjitoz që më bindi të mos kem shumë dilema. Kam mbetur i habitur, që nga stadiumi i ri i Egnatias dhe grupi aktual i lojtarëve. Jam përballur me këta futbollistë në skuadrat ku kam luajtur me klubet e tjera, por gjithashtu edhe ambienti ishte një tjetër faktor që unë të pranoja ofertën. Presidenti më bëri ofertën e duhur, ndërsa dëgjova edhe planin që kanë për elitën.

Gjithashtu edhe stafi me në krye trajnerin Magani ishte një tjetër shtysë që të pranoj menjëherë transferimin tim këtu. A kishte një person që u bë iniciatori kryesor për të qenë pjesë e rrogozhinasve?

Presidenti Agim Demrozi dhe drejtuesit e tjerë të klubit më kanë kontaktuar para pak ditësh. Gjetëm kohën të diskutojmë dhe më bënë me dije Egnatian e Superiores, që kishte nisur të ndërtohej. Kur dikush të vlerëson, normalisht që duhet t’ia përkthesh më së miri besimin që të jepet në tërësi. Më kanë kontaktuar shumë menaxherë këtë periudhë, por iu thashë se kam planet e mia dhe do të shoh për më të mirën. Ishte fat që tashmë gjendem në një klub që ka ambicie dhe shpresoj te fillimi i mbarë, për të, mua dhe të gjithë me radhë.

Është folur shumë për bisedimet me Vllazninë, a mund të na thoni si është e vërteta e kësaj historie?

Për mua është një çështje e mbyllur, që nuk dua ta diskutoj shumë. U uroj suksese shkodranëve në arritjen e objektivave që kanë. Pas largimit nga Azerbajxhani kisha kontaktet e para me ta, por oferta që më bënë ishte gjëja kryesore që ndryshova mendim. Ne futbollistët do të shikojmë të zgjedhim gjithmonë më të mirën në karrierën tonë. Duhet t’i vlerësojmë skuadrat për atë anë financiare që na ofrojnë, por karriera ka më shumë rëndësi se ofertat ndonjëherë. E thashë dhe më lart, se iu uroj më të mirën, pasi e kam bërë një zgjedhje tashmë. Thjesht kam respekt për Vllazninë.

Duke qenë se e njihni grupin aktual të Egnatias, në çfarë pozicioni mendoni se mund të jetë në sezonin e ri?

Egnatia duhet ta marrë hakun e saj në çdo fushë që do të luajë. T’i vlerësojë kundërshtarët, si brenda edhe në transferta, duke bërë llogaritë e veta. Gara do të jetë e gjatë, por mjafton që përkushtimi e përqendrimi të jenë maksimal nga ana jonë. Askush nuk duhet të na shohë si debutues në Superligë, pasi nga sa pashë është investuar shumë në të gjitha aspektet. Ky investim nga klubi është bërë vetëm e vetëm që të jemi sa më lart në renditje, pavarësisht shumë emrave me traditë që ka Superiorja. Me pak fjalë, Egnatia do të guxojë për më shumë kurdoherë, pasi nuk i mungon asgjë.

Cili është premtimi juaj për tifozët rrogozhinas që mezi presin të shohin ekipin në një ndeshje të Kategorisë Superiore?

Premtoj që do të bëj më të mirën për skuadrën dhe e them me plot bindje se nuk do të zhgënjej askënd. Më pëlqen të shënoj, por fillimisht të mbuloj mirë rolin që më besohet në fushë. Tifozët rrogozhinas më përshëndetën që në ditën e parë. I vlerësoj pa masë që u treguan dashamirës kundrejt meje. U ndjeva mirë dhe shpresoj që me lojën që do të zhvillojmë, t’i gëzojmë në çdo moment tifozët e Egnatias.

ALDO BUZI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"