Ekskluzive/ Rrëfimi i Shkëmbit: Dua përforcime në çdo repart, ju tregoj Teutën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2018 | 22:23

Ekskluzive/ Rrëfimi i Shkëmbit: Dua përforcime në çdo repart, ju tregoj Teutën…

Drejtimi i Teutës është aventura e parë për Bledi Shkëmbin në Kategorinë Superiore dhe rrugëtimi i tij nis pikërisht nga klubi ku ai shfaqi vlerat si futbollist profesionit. Stafi i korçarit është më i kompletuari dhe të gjithë kanë shumë uri për sukses, duke filluar nga vetë ai i pari. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Shkëmbi flet për emocionet e para që përjetoi kur u prezantuar me skuadrën, ambiciet e tij dhe merkaton. Ai premton se do të ketë afrime në të gjithë pozicionet për të ndërtuar një Teutë kompetitive.

shkembi

Nisni zyrtarisht aventurën në Superiore, çfarë emocionesh keni?

Është një emocion dhe kënaqësi të jem këtu, por edhe përgjegjësi, e cila sa vjen dhe do të shtohet, por jam përgatitur për këtë. Vij në një klub ku unë kam bërë hapin e duhur për karrierën time si futbollist dhe shpresoj të bëj të njëjtën gjë edhe si trajner. Falënderoj klubin, presidentin Hasanbelliu për mundësinë që më dha dhe shpresoj t’ua shpërblej siç duhet.

Keni stafin më të kualifikuar në Superiore, edhe pse ju mungon eksperienca (përveç Selimit), keni shumë dëshirë…

Përveç Iris Selimit, që është përgatitësi atletik, ne të gjithë nuk kemi shumë eksperiencë, por çdo i ri që e provon nuk e ka. Megjithatë, ne kemi shumë dëshirë dhe jemi të përgatitur dhe do të japim më të mirën. Unë shpresoj që të kemi edhe fat, sepse në futboll duhet. Kemi shumë besim dhe aspak frikë.

Kur pritet të kompletohet ekipi, pasi mungojnë Latif, Hrkaç, etj.?

Latif dhe Hrkaç pritet të bashkohen brenda javës. Unë po bëj maksimumin që skuadra të kompletohet brenda 10 ditëve të ardhshme dhe kur të nisemi drejt Italisë, ekipi të jetë i plotë.

Përveç lojtarëve nën kontratë, ka edhe disa të rinj, të cilët duket se janë në provë. Çfarë u keni komunikuar atyre?

Ne si staf, por edhe unë personalisht, kam shumë dëshirë që lojtarëve të rinj t’u jap mundësinë që të shprehen në fushë. Kjo do të ndodhë edhe këtu. Nëse ne si staf shohim se ka të rinj premtues, të jem i sinqertë me atë që kam parë, këtu ka të talentuar dhe sigurisht që do të kenë mbështetjen tonë.

Duke u bazuar te kontingjenti, ku nevojiten përforcimet?

Ne do të përforcohemi në çdo repart. Po punojmë të afrojmë lojtarë të talentuar. Jemi në negociata me disa lojtarë dhe besoj se, brenda një jave, 90% e grupit do të jetë i kompletuar.

Është herët për formacionin, por cila është ideja e Shkëmbit?

Ideja e Shkëmbit është që Teuta të luajë siç ka luajtur Shkëmbi futboll (qesh…). Patjetër do të jemi një ekip që do të kërkojmë të fitojmë në çdo ndeshje, pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë. Do të futemi në fushë pa frikë dhe me qëllim të qartë.

Nuk është momenti i duhur për të shpallur objektivin, megjithatë ju a e keni një synim dhe ku besoni se mund të arrini?

Patjetër! Jo vetëm në sport, por në çdo fushë të jetës, në rast se nuk ka një objektiv, është e kotë të punosh. Objektiv kemi të krijojmë një Teutë të fortë dhe më pas qëllimi në çdo javë do të jetë që ne të fitojmë çdo ndeshje, por duke qëndruar gjithmonë me këmbë në tokë. Primare në këtë moment është të shohim se çfarë do të afrojmë në merkato.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"