EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Rudi Vatës: Duka t’u thotë mjaft bixhozxhinjëve, Kombëtarja jo e bashkuar (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2018 | 19:45

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Rudi Vatës: Duka t’u thotë mjaft bixhozxhinjëve, Kombëtarja jo e bashkuar (E PLOTË)

“Një Kombëtare në kaos. Mes FSHF-së dhe Panuçit ka një hendek të madh”. Rudi Vata është i drejtpërdrejtë për situatën te Shqipëria. Ishkapiteni i kuqezinjve, që ka bërë emër në Skoci me Sëlltikun, foli dje ekskluzivisht për “Panorama Sport” në prag të ndeshjes që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”.

Rudi Vata Vllaznia

Vata mendon se Kombëtarja nuk është e bashkuar, ndërsa raportin mes trajnerit dhe institucionit të futbollit e shikon drejt fundit dhe se tashmë pret vetëm zgjidhje me konsensus.

Rudi, në syrin tuaj, për çfarë luhet Shqipëri-Skoci dhe sa shanse ka Kombëtarja jonë për të fituar këtë takim?

Shikoj një Kombëtare në kaos përpara kësaj ndeshjeje. Më duket si një ekip i sakatuar që nuk ka më shpresë. Megjithatë, në këtë ndeshje Shqipëria nuk ka asgjë për të humbur. Të jem i sinqertë, i shikoj të tria rezultatet, pasi edhe Skocia ka shumë probleme. Janë dy skuadra me probleme të përafërta.

Vata

Skocia ka ardhur në vendin tonë duke mos bërë stërvitje në Shkodër. Një organizim i çuditshëm i tyre, por Shqipëria duhet medoemos të fitojë, edhe pse favorite kryesore për të qenë e para në grup është pa diskutim Skocia. E them këtë, sepse ka dy ndeshje për të luajtur, ndërsa Shqipëria dhe Izraeli vetëm nga një. Skocisë i intereson edhe barazimi me Shqipërinë, sepse më pas pret Izraelin dhe një fitore e çon automatikisht në vendin e parë.

Po thoni që Kombëtarja është në kaos, më konkretisht kujt i referoheni?

Thashë kaos më lart, sepse shikoj që diçka nuk shkon mirë edhe me atmosferën e krijuar në skuadër. Jemi si mos më keq. Duket qartë që disa gjëra nuk janë në rregull. Sa i përket ndeshjes, janë disa pyetje që më lindin natyrshëm. A ka kapacitete Shqipëria për të mundur Skocinë? Unë mendoj që mund t’i ketë, por duke qenë në ditën më të mirë të saj. Skocia ka avantazhin që mund të jetë më e rezervuar në aspektin e shënimit të golit.

Besoj se do të presë që Shqipëria të sulmojë dhe ta godasë. Normalisht nëse duam fitore duhet të shënojmë sa më shpejt ndaj një kundërshtari të tillë. Mirëpo, ne nuk jemi një skuadër që shquhemi për gola, pasi jemi mësuar vetëm të mbrohemi. Lojtarët tanë duhet të kenë një formë të mirë, jo vetëm fizike, por edhe emocionale e psikologjike.

Si ju duket klima rreth trajnerit, a mendoni se shumë gjëra në këtë moment janë kundër tij?

Është diçka që ndihet lehtësisht. Në Kombëtare nuk është më e njëjt atmosferë siç ishte me De Biazin, ku lojtarët dhe stafi ishin të gjithë të bashkuar.

rudi vata seltik

Pra, vërtet nuk ishim një skuadër e madhe, por ama kishim një grup të mirë, të bashkuar. Tashmë shikoj një grup të shpërndarë dhe me deklarata të trajnerit që njofton edhe largimin e zëdhënësit për shtyp të FSHF-së. Shoh që janë krijuar disa incidente që nuk sjellin gjë tjetër, veçse fjalë. Në një vend të vogël si Shqipëria, thashethemi përhapet shpejt dhe njerëzit pastaj krijojnë inate personale. Jemi një vend i çuditshëm.

Mund të themi se në këtë moment trajneri është lënë “vetëm”?

Duket qartë se trajneri nuk është i kënaqur me atmosferën te Shqipëria. Natyrisht në këtë periudhë ai ka krijuar disa marrëdhënie me njerëzit në FSHF, duke qenë i pakënaqur nga ato që i janë paraqitur. Nga ana tjetër, edhe në Federatë kanë qenë të pakënaqur, sepse Panuçi nuk i ka lënë të jenë ata që kanë qenë deri dje. Është krijuar një hendek mes palëve dhe kjo nuk mund të sjellë kurrsesi jetëgjatësi të Panuçit në krye të Kombëtares.

Mendoj se deri në momentin që palët të gjejnë zgjidhjen me konsensus të kontratës dhe trajneri të largohet, situata kështu do vijojë të jetë. Tani çështja ka shkuar në atë pikë, që duhet të ndahen si miq dhe jo si armiq. Duhet gjetur mënyra për t’u ndarë si miq, sepse nuk i ka vendosur kush me zor për të bashkëpunuar.

vata

Nuk kanë arritur të kombinohen për shkak të karakterit dhe ky nuk është fundi i botës. Kombëtarja është në një moment të vështirë, ku brezat ndryshohen. Duhet të mendohej më herët se kush duhet të ishte zëvendësuesi i Canës, Mavrajt etj. Këto bëhen kur ke një federatë të fortë dhe të përgatitur. Tani jemi në një situatë provash dhe nuk dimë ende se kush do të jetë mbrojtësi i djathtë, duke qenë se mungon Hysaj. Duhen gjetur njerëzit e duhur për të marrë vendimet e duhura.

Duka ka vendosur ultimatum për fitore me Skocinë…

Aktualisht në Kombëtare nuk është çështje rezultati, aty mungon kimia. Mungon bashkëpunimi FSHF-trajner. Nuk mund të thuash as që janë të përçarë, sepse personalisht nuk kam parë kur një bashkim mes tyre. Që në fillim të epokës “Panuçi” nuk ka pasur bashkim, por probleme që shtohen me kalimin e kohës.

Shkurt fare, ka pasur pakënaqësi nga të dyja palët. Panuçi vjen nga një sistem tjetër, ka luajtur në nivele shumë të larta, duke fituar trofetë më të rëndësishëm dhe punuar me trajnerë të mëdhenj. Ka ardhur në Shqipëri duke gjetur një vend normalisht modest, por që na ka nënvlerësuar disi dhe na shikon sikur ne duhet të kënaqemi meqë paskemi Panuçin trajner.

Rudi-vata

Por, shqiptarët nuk është se kënaqen shumë, madje edhe po t’u ulësh Zotin në tokë. Panuçi duhet të kuptojë që shqiptarët mund të jenë shumë fukarenj, por jo të përulen për çdo gjë apo t’i trajtojë si ai mendon. Gjithsesi, ndjenja e respektit mes palëve nuk ekziston. Ku mungon respekti, mungon edhe harmonia apo dëshira për të punuar dhe qenë afër njëri-tjetrit.

Presidenti i FSHF-së ka paralajmëruar njëkohësisht ndryshimin e të gjitha stafeve të ekipeve Kombëtare pas rezultateve të dobëta të edicionit të fundit. Si e komentoni?

Duka ka fituar një eksperiencë të mjaftueshme në menaxhimin e këtyre situatave, nuk është në ato katër vitet e para kur nuk dinte sesi funksiononte futbolli. Në këtë moment Duka duhet të bëjë një revolucion të vërtetë, ashtu siç ka nevojë gjithë vendi ynë. Futbolli ynë ka nevojë për njerëz me zemër, të ndershëm dhe punëtorë. Nëse Duka nuk e bën tani revolucionin, atëherë Shqipëria ka për të notuar gjatë në këto ujëra.

Është përgjegjësia e Dukës që së pari të zgjedhë njerëz pa vese në ato pozicione. Së pari, nuk duhet të drejtojnë Kombëtaret trajnerë që kanë ves bixhozin, alkoolin, duhanin, bastet etj. Këto vese janë katastrofale nëse i ka një drejtues ekipi. Duhen trajnerë që e duan këtë zanat, jo ta bëjnë për interesa personale.

Rudi vATA

Duka ka në dorë të bëjë hapin e madh të ndryshimit, jo të mbajë interesaxhinj që shfrytëzojnë postin për t’u pasuruar. Janë bërë shumë dëme në futbollin shqiptar vitet e fundit. Lloj-lloj personash janë marrë nga rruga dhe janë angazhuar për të menaxhuar lojtarë dhe trajnerë në ekipet Kombëtare. Duka u ka dhënë hapësirë shumë njerëzve të gabuar, por tani ka në dorë të pastrojë këtë situatë, duke u thënë mjaft.

Kur thoni revolucion, ju referoheni vetëm stafeve teknike apo ndonjë strategjie ndryshe për Kombëtaret…

Është shumë e thjeshtë: duhen eliminuar njerëzit e gabuar nga ky futboll. Duhet t’u hapë rrugë njerëzve normalë dhe me imazh të mirë. T’u japë një mundësi ndoshta të fundit në karrierë emrave si Astrit Hafizi, që ka qenë një prej figurave që ka investuar në futbollin shqiptar. Emra si Hafizi janë eliminuar, edhe pse kanë personalitet dhe integritet.

Vata

FSHF ka nisur të ankohet për marrëdhëniet me disa nga institucionet shtetërore. Si e shpjegoni këtë situatë?

Është diçka shumë e gabuar për shtetin në radhë të parë, sepse duhet gjetur një formulë e përbashkët për të mirën e të gjithëve. Nëse shteti të ngacmon padrejtësisht, mendoj se nuk është e ndershme. Këtu bëhet fjalë për futbollin shqiptar dhe shteti duhet të ketë dëshirën dhe vullnetin që ta mbështesë. Nëse unë do të isha në drejtim të FSHF-së, do të isha shumë nevojtar i shtetit. Edhe shteti normalisht bëhet krenar kur ka suksese si kualifikimi në Europian. Këtu bëhet fjalë për Shqipërinë, jo për individë të veçantë. Shikoj që ka inate personale dhe ngacmime nga më të ndryshmet, por duket si lojë adoleshentësh. Burrat e mëdhenj nuk merren me këto gjëra, janë situata personale përmes dy-tre personave.

Nëse e mbyllim të fundit në Ligën e Kombeve, është dështim në një grup me Skocinë dhe Izraelin apo s’mund të bëhet kaq dramë?

Sigurisht dështim, i madh shumë madje. Do të jemi në një ligë më inferiore dhe të mendosh që pas kualifikimit në Europian në 2016, vjen ky hap mbrapa. Do të jetë një vuajtje e madhe për futbollin shqiptar nëse ndodh. Do të ketë pasoja, sepse shikoj që produkti vendës është shumë i dobët dhe pa efikasitet. Kampionati shqiptar ka gjithmonë të njëjtat probleme dhe nëse Shqipëria kalon një ligë më poshtë, atëherë do të përballemi me Andorrën, Maltën apo shtete të tjera që janë fundi i futbollit

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"