EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i presidentit Takaj: Ja plani im nëse nuk fitojmë në KAS (e plotë)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2018 | 22:45

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i presidentit Takaj: Ja plani im nëse nuk fitojmë në KAS (e plotë)

Ardjan Takaj nuk e diskuton titullin ka mpion. Fitoret e njëpasnjëshme ndaj rivalëve direkt e kanë bindur presidentin se ky ekip po kalon çdo parashikim. Edhe pse vendimi i KAS-it për çështjen e trukimeve ka krijuar jo pak dyshime për Skënderbeun, mendon pikërisht kreu i klubit që të rikthejë qetësinë, jo vetëm te lojtarët, por edhe tifozët.

Takaj

Ai garanton se do të qëndrojë në Korçë edhe pas KAS-it. “Kanë garancinë time dhe të klubit që, sido të jetë vendimi nga KAS, ekipi do të vijojë të jetë potenciali kryesor i kampionatit. Por, gjithsesi presim që KAS të vendosë drejtësi”, shprehet Takaj.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Takaj komenton për të parën herë edhe bojkotin për pagat, ndërsa me humor deklaron se po mundoheshin që të shpërqendronin rivalët me këtë lajm.

President, a ndiheni më të qetë dhe më të sigurt pas asaj fitoreje në kryeqytet?

Ne gjithmonë kemi qenë të qetë, por fitoret sigurisht që të japin më shumë sodisfaksion. Pastaj, siguria vjen prej vazhdimësisë që kemi pasur në rezultate. Ndoshta kjo ecuri i shërben më shumë ekipit dhe i jep “krahë” për të ecur në rrugën e duhur.

Pas ndryshimeve të shumta që pësoi Skënderbeu në verë, pakkush e kishte imagjinuar një start të tillë. Jeni i kënaqur me këto dhjetë javë të para?

Normalisht që jam i kënaqur, sidomos tani që kemi marrë vendin që na takon të kemi, në krye të klasifikimit. Ekipi është duke bërë mjaft mirë dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Mund të them se ky ekip ka thyer çdo parashikim, por kështu është vetëm në dukje, pasi Skënderbeu i tillë ka qenë që në momentin kur është rikrijuar si klub kampion.

Të ndalemi te Shehi. E prisnit që të ishte kaq rezultativ edhe si trajner?

Ne nuk kemi pasur asnjëherë dyshime te zgjedhja që bëmë, duke i besuar Orges Shehit drejtimin e këtij ekipi. Përkundrazi, kemi qenë të bindur se ai do të vijonte të mbante lart këtë ekip. Shehi i ka dhënë sinjalet që kur ka qenë te ne si portier se është një strateg dhe pikë referimi për ekipin. Tani po e tregon edhe në stol se është “timonier” i mirë.

Çfarë ju bind më shumë te ky grup i riorganizuar?

Ekipi është duke bërë më të mirën dhe për këtë flasin rezultatet në fushë. Nuk ka nevojë për asnjë koment më tepër. Për më tepër, më pëlqen fakti se sa me lehtësi fitojmë në transfertë.

Pavarësisht vendit të parë, Skënderbeu ka lënë 4 pikë në shtëpi. Ju “djegin”?

Natyrisht që po, dhe ky është pengu ynë. Prandaj duhet të shërbejë si apel për tifozët që të kuptojnë se sa të rëndësishëm janë për këtë ekip dhe të shmangin gabimet që mund të dënojnë ata, por edhe ekipin e tyre mbi të gjitha.

Fitoret me rivalët direkt si Partizani, Kukësi e Flamurtari, a tregojnë supremacinë e kësaj skuadre?

Normalisht që kur fiton me të tilla ekipe, është një siguri më shumë për ne. Ky ekip ka potencialin për të rivalizuar me të gjithë dhe për më tepër që të diktojë ndaj të gjithëve.

Kjo ju bën që tashmë të dilni me “karta të hapura” për titullin…?

Ne asnjëherë nuk jemi fshehur. Përkundrazi, edhe nëse unë do të thosha sot që nuk jemi për titull, asnjë nuk do ta besonte dhe do të qeshte me deklaratën time. Skënderbeu është ndërtuar për të qenë gjithnjë potencial për të fituar titullin. E dini se kush nuk e pranon këtë? Vetëm ata që nuk duan të shohin shkëlqimin e këtij ekipi. Ata që i mohojnë sukseset tona ose, më saktë, ata që duan të gjejnë patjetër një alibi të caktuar, për të mos i dhënë meritat ekipit më të mirë të kampionatit.

Çfarë po ndodh me çështjen e trukimeve dhe kur pritet që të dalë në një vendim KAS?

Për momentin, ne jemi duke punuar, pasi nuk ka asnjë datë të përcaktuar nga KAS se kur do të mbahet seanca dëgjimore dhe jemi në pritje. Të paktën edhe për muajin nëntor nuk kemi asnjë datë të përcaktuar. Gjithsesi, jemi të qetë dhe në pritje të gjithçkaje.

Sa ndikon kjo pritje tek ekipi?

Nuk ndikon aspak dhe këtë e them me bindje. Është diçka që nuk ka lidhje me kampionatin, por vetëm me Europën dhe sigurisht që lojtarët janë të qetë. Kanë garancinë time dhe të klubit që, sido të jetë vendimi nga KAS, ekipi do të vijojë të jetë potenciali kryesor i kampionatit. Por, gjithsesi presim që KAS të vendosë drejtësi.

Çfarë keni parasysh kur thoni drejtësi…?

Që të vihet drejtësia në vend. Të mos mbajmë peshën e një diçkaje që nuk është përgjegjësi e jona.

Për herë të parë nën drejtimin tuaj Skënderbeu “bojkoton” stërvitjen për rrogat. Kaq e rëndë ishte situata?

Ju e dini mjaft mirë që Skënderbeu asnjëherë nuk ka pasur problem me rrogat dhe mbi të gjitha nuk ka pasur asnjë çështje. Ka lojtarë që kanë marrë edhe janarin paradhënie. Por, në momente të caktuara është e domosdoshme që edhe ne të prodhojmë lajm për të hedhur presionin mbi kundërshtarin apo gjëra të tilla…

Pra, po thoni se ishte me qëllim që të largohej vëmendja nga ekipi?

Jo, kur kemi kohë mundohemi që të organizojmë disa çaste humori dhe kjo ishte njëra nga këto momente.

Për ta mbyllur, nëse do ju duhej që të zgjidhnit mes Skënderbeut të një viti më parë dhe këtij aktuali, nga do anonit?

Skënderbeu i një sezoni më parë ishte më akademik, merrte fitoren në çdo moment që të kishte dëshirë dhe ishte vite dritë larg kundërshtarit. Por, mua më pëlqen ky i këtij sezoni për vetë faktin se është një Skënderbe, i cili nuk ndalet në asnjë moment. Është shumë energjik me shumë dëshirë dhe mbi të gjitha një ekip shumë i ri në moshë që jep garanci, qoftë për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen.

LLAZI SARO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"