Ekskluzive/ Rrëfimi i Nicës: Dola kundër sistemit dhe nuk e drejtoj më skuadrën, Partizani ishte i përçarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2017 | 18:55

Ekskluzive/ Rrëfimi i Nicës: Dola kundër sistemit dhe nuk e drejtoj më skuadrën, Partizani ishte i përçarë

“Nëse del kundër sistemit, gjithnjë probleme do të kesh”. Kështu mendon Stavri Nica, trajneri durrsak që ka një eksperiencë të gjatë në futbollin shqiptar dhe për më tepër di se si fitohen trofe edhe me klube që nuk kanë një emër të madh.

nica

Pak ditë më parë, ai dha dorëheqjen nga pankina e Laçit për të disatën herë në këto 10 vitet e fundit, ku ai ka drejtuar shpesh kurbinasit. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Nica rrëfeu pa doreza hallet e mëdha të klubeve shqiptare, që sipas tij, trajnerët në këtë moment kanë frikë t’i bëjnë publike.

Zoti Nica, për çfarë ju vjen më shumë keq pas largimit për të disatën herë nga Laçi?

Jam shumë i zhgënjyer, por ky është sistemi. Unë dola kundër tij dhe tani nuk e drejtoj më skuadrën. Nëse del kundër këtij sistemi, natyrisht që është e sigurt se gjithë kohës do të kesh probleme. Unë i vetëm nuk e ndryshoj dot këtë sistem. Më shumë më vjen keq për veten, sepse u lodha gjithë verës dhe ja ku jemi tani. E nisëm stërvitjen më shpejt nga të gjithë për të krijuar një grup të mirë, por ndodhi ajo që ndodhi.

Më konkretisht, çfarë ndodhi, patët divergjenca me drejtuesit apo kishte diçka tjetër që nuk shkonte?

I parashikova gjërat që në fillim, kur pashë që nuk mund të krijohej një bazë e fortë. Kur nuk ka një menaxhim të mirë nga klubi, atëherë çdo gjë është e kotë. Dihet që gjithë sekreti i një skuadre është menaxhimi i mirë i saj. Së pari duhen afruar lojtarët e duhur për të ndërtuar një ekip dinjitoz. Te Laçi ideja ishte që krahas të rinjve të afronim disa lojtarë cilësorë. Superiorja nuk përballohet vetëm me të rinj.

Gjithsesi, e nisët me një fitore të bujshme ndaj Partizanit. Ndoshta ju bëri dëm?

Problemi ishte vazhdimësia, nuk është gjithçka një fitore. Kur në skuadër ke lojtarë që vijnë nga periudha të gjata pa u stërvitur, gjithashtu të tjerë që bëjnë si të dëmtuar, gjithnjë probleme do kesh. Më shumë në këtë periudhë u mërzita me ata lojtarë që prisja të bënin diferencën. Ishte vërtet një zhgënjim i madh.

Për cilët lojtarë e keni fjalën?

Për brazilianin Eskuerda dhe sulmuesin Rexhinaldo. Erdhën fare të papërgatitur. Kishin kohë të gjatë pa u stërvitur dhe për më tepër iu bashkuan ekipit me vonesë. Edhe nga informacionet që kisha nga Luftëtari, që në fillim kuptova që Rexhinaldo do të kishte probleme.

Pësoi edhe një tërheqje në pulpë dhe nuk luajti fare. Kjo ishte situata, ndërkohë që nuk kishim asnjë sulmues të mirëfilltë. Edhe Rexhinaldon që e kishim, thjesht vinte bënte sehir në stërvitje. Si mund të drejtoja unë një skuadër pa sulmues?! Mos të kesh një të tillë, nuk e di se çfarë emri t’i vendosësh ekipit.

Në këtë situatë, jeni ndier i tradhtuar nga klubi apo lojtarët…?

Mund të them që u zhgënjeva pa masë nga mënyra se si funksiononim. Pra, një mënyrë amatore. Më vjen keq, po ky është realiteti i futbollit shqiptar. Kur unë flas, kujtojnë se bëj kritika prej rezultateve, por e kanë gabim. Shikoj që pak përkrahje kam, edhe pse mundohem të arsyetoj me logjikën e një profesionisti. Unë e di se si mund të krijosh një ekip dhe çfarë baze lojtarësh duhen për të përballuar një sezon. Jam i mërzitur, sepse lodhem për një kohë të gjatë dhe në fund marr vetëm trishtimin me vete.

Besoj e keni fjalën edhe për krizën financiare që ka mbërthyer shumicën e klubeve?

Po, sigurisht. Gjithmonë po pësoj zhgënjime, sepse kudo që të shkosh, janë po të njëjtat probleme. Këtu shumë gjëra nuk thuhen, qoftë nga trajnerët, një pjesë e mediave apo edhe nga njerëzit kompetentë, të cilët qëndrojnë gjithnjë në heshtje. Në këto kushte, vazhdon ai ritmi i zakonshëm, prandaj dhe niveli është i ulët. Gjërat duhen thënë ashtu siç janë, në mënyrë që të zgjidhen.

Këtu nuk funksionon si sistem. Ka humbur sensi i skuadrave të qyteteve. Nuk po shoh biznesmenë që të afrohen. Kanë humbur edhe ata njerëz që gjoja u qante zemra për skuadrat që bëjnë tifo. Presidentët aktualë nuk po i ndihmon askush, prandaj dhe jemi në këtë krizë të madhe. Drejtuesit e klubeve në Shqipëri kanë shumë halle.

Në ç’kuptim?

Po mbajnë skuadra sa për të thënë, pra vetëm të qëndrojnë në këmbë dhe të mos vdesin. FSHF duhet të ndërhyjë në këtë situatë, duke filluar nga mënyra se si organizohen klubet dhe sigurisht në akademitë e tyre. Ka shumë për të folur dhe për të bërë, por nuk po ndryshon asgjë. Po humbet interesi totalisht edhe nga pjesa qytetare. Nuk ka më nacionalizëm në qytete.

Shikoni se çfarë ka ndodhur në Laç, ka rënë fare interesi dhe dashuria për skuadrën, edhe pse është një qytet i vogël. Parashikoj që klubet do të vazhdojnë të vuajnë dhe problemet e presidentëve do të vijnë duke u shtuar.

Ju keni bashkëpunuar për shumë vite me presidentin aktual të Laçit. Këtë herë çfarë ndryshoi në raportin tuaj?

Nuk ndryshoi ndonjë gjë e madhe. Presidenti ka problemet e veta dhe unë e kuptoj, pasi s’ka shumë mundësi financiare. Megjithatë, unë u mundova ta ndihmoja, duke i shkuar në mënyrë shoqërore që në pjesën e dytë të sezonit të kaluar. Duke parë që edhe ai ka vështirësi, edhe unë nuk kam më nerva të vazhdoj në drejtimin e skuadrës. Zgjedhja më e mirë në këto kushte ishte që ai të gjente një trajner ndoshta më të freskët, që mund të bëj diçka më shumë.

Si ka mundësi që stadiumi i Laçit, nga një fushë model është prishur aq shumë?

Keqardhje. Është kthyer si arë prej pakujdesisë.

Çfarë parashikoni në vazhdimësinë e këtij kampionati?

E njëjta situatë do të jetë, disa klube po vuajnë shumë nga ana financiare dhe detyrimisht do të jenë për “jetë a vdekje”. Për të mos folur pastaj për ekipet në Kategorinë e Parë, që janë akoma më keq. Ky nuk është profesionalizëm. Nuk e di se si e mendojnë këtë punë drejtuesit, sepse ose duhet seriozitet, ose më mirë ta lësh fare.

OK, por ka edhe klube që kanë bërë investime të mëdha dhe po vuajnë në aspektin e rezultateve në këtë fillim kampionati. Ishte rastësi fitorja e Laçit ndaj Partizanit?

Të jem i sinqertë, Partizani më habiti. Nuk mendoj se ata kanë bërë ndonjë zgjidhje kushedi se çfarë nga ana profesionale. Kanë marrë staf të huaj dhe disa lojtarë me emër, por nuk i shoh ndonjë skuadër të frikshme. Nuk shoh lojtarë shumë cilësorë te Partizani, por në ndeshjen ndaj Laçit, kuptova që kishin probleme të brendshme. Ishin ekip i paimpenjuar dhe kjo tregon se edhe kur ke shumë lekë, duhet të dish ta menaxhosh, jo ta hedhësh kot. Me gjithë atë investim që është bërë, kjo tregon paaftësi në organizim.

Cilat mendoni se do të jenë skuadrat që do të rrezikojnë më shumë për rënë nga Superiorja?

Janë katër skuadra për mua, kuptohet ato që janë të paorganizuara mirë.

Sezonin e kaluar u rrëzua një emër i madh si Tirana, mendoni se mund të kemi sërish një klub surprizë?

Nuk besoj. Me Tiranën mendoj se ishte rastësi ose pakujdesi më shumë.

Sa i përket Laçit, ka një opinion se derisa nuk u rrëzua në sezonin e kaluar, atëherë nuk do të bjerë kurrë nga Superiorja. Ju si mendoni?

Mirë, mirë, por ka edhe një shprehje: “kurrë mos thuaj kurrë”.

Për titull, kush mendoni se është skuadra më e favorizuar?

Shikoj Skënderbeun më superior. Mund të afrohen edhe këto skuadrat e tjera, por Kukësi nuk më bind, pasi s’ka ndonjë nivel. Partizani besoj se do të ringrihet shpejt për të qenë aty në luftën për titull.

Ekipin e vendlindjes suaj, Teutën, si e shikoni?

Të them të drejtën, ka bërë një grup simpatik, por kërkon pak kohë. Organizimin e ka të mirë, ndërsa i duhet më tepër eksperiencë. Në të njëjtin nivel shikoj edhe Flamurtarin.

Këto dy ditë që jeni larguar nga Laçi, kush president klubi ju ka telefonuar?

Askush nuk më ka telefonuar. Nuk jam edhe aq i kërkuar.

Cilat janë kushtet tuaja për të drejtuar në këtë moment një skuadër?

Me qejf kam të drejtoj një skuadër që të prodhojë futboll. Nuk kam asnjë kompleks, edhe ekipe të Kategorisë së Parë kam dëshirë t’i drejtoj. Janë qytete të mëdha që kanë interes të ngrenë futbollin. Unë kam dhënë prova kudo që kam shkuar, prandaj dhe insistoj për të marrë një ekip që prodhon futboll të bukur. Nuk më intereson emri i ekipit, por ajo që unë di të bëj më mirë si trajner.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"