EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Besnik Sulajt: Si e solla Daliçin te Dinamo, me fat që iku nga Shqipëra. Ja biseda e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2018 | 22:55

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Besnik Sulajt: Si e solla Daliçin te Dinamo, me fat që iku nga Shqipëra. Ja biseda e fundit

Një ish-trajner i Dinamos në sezo nin 2008-2009 drejton sot skuadrën që u kualifikua dy ditë më parë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Zllatko Daliç është njeriu i momentit në Botërorin e Rusisë, por edhe në Shqipëri ka jo pak tifozë. Më shumë se kushdo, trajnerin 51-vjeçar e njeh Besnik Sulaj. Biznesmeni ballshiot, që arriti të fitonte tri tituj kampion në krye të klubit kryeqytetas, pranon të rrëfejë ekskluzivisht për “Panorama Sport” historinë e ardhjes së kroatit në verën e vitit 2008.

Oferta për të drejtuar Dinamon, largimi pas vetëm 7 muajsh dhe raportet miqësore që mbeten me trajnerin e Kroacisë edhe pas afro 10 vitesh nga eksperienca e tij me skuadrën blu. Sulaj vijon të ketë kontakte me Daliç dhe jo më larg se tri ditë më parë ka biseduar me trajnerin e Kroacisë. “Më ka ftuar disa herë, por unë i kam rënë në qafë për të më gjetur bileta për miqtë e mi. Megjithatë, do të shkoj në Rusi nëse Kroacia e Daliç arrin në finale”, tregon Sulaj, i cili në intervistën për gazetën flet edhe për Dinamon.

Besnik Sulaj

Zoti Sulaj, si e keni njohur Zllatko Daliç?

Ka qenë viti 2005, kur Dinamo u përball me kroatët e Varteks. Me sa mbaj mend, ndeshja ka qenë e vlefshme për Kupën Intertoto. Në të parën në Tiranë fituam 2-1, ndërsa në kthim na mundën 4-1 dhe u eliminuam. Pra, impakti i parë për Daliç ka qenë pikërisht kur na mundi si trajner i Varteksit. Unë kisha një eksperiencë jo të vogël nën drejtimin e klubit dhe nga ajo që vura te Daliç ishte mënyra sesi e vendoste skuadrën në fushë. Më pëlqeu jashtë mase si trajner.

Më pas çfarë ndodhi?

Unë gjeta ato lidhjet për të krijuar miqësi. Kaluan dy-tri vite dhe kur mësova që ishte trajner i lirë, menjëherë i bëra ofertë. Me sa më kujtohet, ka qenë viti 2008. Patëm goxha diskutime për kontratën, por në fund pranoi gjithçka dhe e zyrtarizuam si trajner.

dalic

Në ato shtatë muaj bashkëpunim, çfarë ju bëri më tepër përshtypje te Daliç?

Nuk duhet të harrojmë që me Daliç trajner fituam Superkupën e Shqipërisë ndaj Vllaznisë, duke i bërë një nisje të mirë sezonit. Një trajner model dhe mbi të gjitha një njeri i mrekullueshëm. Për fatin tonë të keq, në periudhën kur trajner ishte Daliç, na lindën problemet me kompleksin “Dinamo”, ku në atë periudhë qeveria donte t’ia kalonte fushat klubit shumësportësh. Duke qenë se kishim probleme me ambientet stërvitore, për mua në atë moment ishte e pamundur të mbaja një trajner të nivelit të lartë me një kosto të madhe. Ka qenë shkurt i vitit 2009, kur nisën të na sulmonin për të na larguar nga ambientet. Interesi ynë për vazhdimësinë nuk ishte edhe aq i madh. Ekipi nisi të bënte stërvitje i imponuar nga oraret që na vendoseshin, ndërkohë që në fushën ku duhet të përgatiteshin nisën edhe gara me kuaj.

Ka qenë kjo arsyeja kryesore që Daliç u largua pas vetëm 7 muajsh apo ka pasur edhe probleme të brendshme në skuadër?

Jo, jo. Nuk kishte shans që te Dinamo të kishte probleme të brendshme, e aq më tepër me një njeri të mrekullueshëm si Daliç. Edhe sot që po flasim, më ka ftuar disa herë për të shkuar në Rusi të ndjek ndeshjet e Botërorit. Me të vetmin të huaj që kemi pasur probleme të tipit trajner-lojtar në vitet kur unë kisha klubin ka qenë Luka Bonaçiç.

Si ju thërriste Zllatko kur e kishit të punësuar?

Thjesht president. Unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira sepse, siç e thashë edhe më lart, përveçse ai ishte një trajner i zoti, gjithashtu ishte një njeri i madh. Jo vetëm tani që kemi folur së fundmi, por edhe atëherë kur iku nga Dinamo në Arabi e kam takuar disa herë në Zagreb.

Midis shumë trajnerëve të huaj dhe shqiptarë që keni bashkëpunuar, i sati është në listën e vlerësimit kroati Daliç?

Nuk bëhet fjalë që ky ka qenë trajneri më i mirë për mua, por gjithashtu edhe argjentinasi Luis Manuel Blanko. Ndërsa, sa u përket trajnerëve shqiptarë, nuk diskutohet që ka qenë Farruk Sejdini.

Kur ka qenë hera e fundit që keni biseduar me Daliç?

Jo më larg se tri ditë më parë fola në telefon. I kam dërguar një mesazh, pasi më duheshin tri bileta për miqtë e mi për ndeshjen e Botërorit, Rusi-Kroaci. Në atë moment ka qenë duke stërvitur ekipin dhe pasi përfundoi seancën më telefonoi, duke më garantuar edhe për biletat. Në këtë periudhë kam biseduar tri herë dhe më ka ftuar për të ndjekur ndeshje të Botërorit.

Çfarë i keni thënë? I kam thënë që nëse Kroacia del në finale, do të vij me qejf në Rusi. Çfarë mendoni kur shihni në gjysmëfinale të Kupës së Botës një ish-trajner të Dinamos?

Po, sigurisht ndihem krenar që kam bërë një zgjedhje të mirë për kohën. Nga ana tjetër, mendoj se më mirë që ndodhi kështu, pra, që Daliç u largua atëherë nga Dinamo. Ndoshta ishte fati i tij që iku në atë moment, pasi nëse do të vazhdonte, atëherë s’do shkonte dot te Kroacia. Me lidhjen që krijuam, ai edhe sot mund të ishte trajner i Dinamos, gjithnjë nëse ne nuk do të sulmoheshim si klub. Si rrodhën ngjarjet më pas, ishte një fat edhe për Daliç.

Së fundmi, çfarë po ndodh me Dinamon. Kur do të ringrihet klubi i dytë më i trofeshëm në vend?

Edhe sot që flasim, Dinamo është pa ambiente ku mund të stërvitet. Mund të jetë ekipi më i persekutuar në historinë e futbollit shqiptar. Gjithçka fillon nga infrastruktura dhe në këtë moment është e kotë të flasim apo të bëjmë premtime. Kompleksi nuk është më i Dinamos, por i shtetit dhe FSHF-së. Është absurde që ekipit nuk i është dhënë një fushë. Ky është realiteti shqiptar.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"