EKSKLUZIVE/ Rrëfehet uruguaiani Fernandez: Kurbejo më bëri puç te Luftëtari, tani po jetoj në Laç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2017 | 23:13

EKSKLUZIVE/ Rrëfehet uruguaiani Fernandez: Kurbejo më bëri puç te Luftëtari, tani po jetoj në Laç

Misteri ka marrë fund. Ekuacioni i vështirë me dy të panjohura (në këtë rast me dy trajnerë) është zgjidhur. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-trajneri i Luftëtarit, Daniel Fernandez ka shpjeguar aventurën e shkurtër në Gjirokastër dhe gjithçka ka ndodhur prapa kuintave. Ai shpjegon si u gjend në Shqipëri dhe tregon se fajtori i vetëm për këtë situatë ishte Luis Kurbejo, bashkëpunëtori i tij uruguaian.

daniel fernandez

Ku ndodheni aktualisht, u larguat nga Gjirokastra? Arritët t’i zgjidhnit problemet me kontratën?

Aktualisht ndodhem në qytetin e Laçit dhe po jetoj aty. Kam disa miq të futbollit dhe më kanë këshilluar të qëndroj aty. Kam kontaktuar me një zyrë avokatie, të cilët janë duke punuar për të zgjidhur situatën time.

Çfarë nuk shkon me kontratën tuaj dhe cilat ishin problemet. Klubi nuk ju pagoi apo ka diçka më shumë se kaq?

Nuk kisha më vend në Gjirokastër. Klubi nuk më pagoi dhe sigurisht që s’kisha ndër mend të qëndroja më aty. Për këtë fakt duhet të largohesha.

Tani çfarë do të bëni? Do të prisni zgjidhjen e kontratës, apo do të ktheheni në Uruguai?

Shikoni, fillimisht dua të shpjegoj problemet e para që pata me klubin dhe me Kurbejon. Që në ditën e parë që unë erdha në Shqipëri, gjërat nuk ishin ashtu siç i kishim parashikuar dhe parashtruar kur fola nga Uruguai. Klubi nuk u përgjigj siç duhej në asnjë aspekt. Mora vetëm një shumë parash në fillim dhe pastaj asnjë muaj pagë. Tani fillimisht dua të zgjidh problemet që u krijuan nga kjo situatë dhe pastaj do të shoh opsionet e së ardhmes.

Mund të na shpjegoni pse shkoi kështu aventura juaj me Luftëtarin? Pse i prishët marrëdhëniet me Kurbejon? Ju firmosët si trajner i parë apo si asistent i tij? Fillimisht ju prezantuan si trajner kryesor…

Dua ta shpjegoj një herë e mirë këtë situatë. Në fillim kur biseduam me drejtuesit e klubit, u vendos që do të isha unë trajneri kryesor i Luftëtarit. Në Shqipëri kishte mbërritur kurrikulumi im, të dhënat e mia dhe dokumentet e mia. Me Kurbejon fola që të vinim së bashku në këtë aventurë, por me të nuk kisha punuar kurrë dhe nuk e njihja në aspektin profesional. Ramë dakord që me eksperiencën time dhe dëshirën e tij, këtë punë ta bënim së bashku.

Ai dinte mirë gjuhën greke dhe kështu do të bashkëpunonim. Por, me kalimin e kohës, shumë gjëra ndryshuan. Nuk u sollën si profesionistë me mua dhe filluan ta anashkalonin pozicionin tim si trajner i parë. Kjo gjë solli edhe vendimin e presidentit për të më larguar mua. Kurbejo bëri një pakt dhe një grup me koordinatorin e klubit për të më larguar mua.

Fernandez Gjirokaster

Po ju pse e pranuat këtë situatë që në fillim? Folët me presidentin pse po ndahej kështu puna te Luftëtari?

Nuk fola me presidentin për shkak të gjuhës dhe Kurbejo menaxhoi gjithçka në lidhje me këtë aspekt që nga momenti kur erdhëm në Shqipëri. Kisha folur me të në Uruguai që do të ishte kështu: ai do të merrej me çështjet e jashtme dhe komunikimin, ndërsa unë me ekipin. Kur mësova më vonë që shumë gjëra nuk ishin thënë ashtu siç duhet dhe nuk ishin në përputhje me parimet e mia personale dhe profesionale, doja të flisja me presidentin. Mirëpo, ishte shumë vonë dhe nuk mora përgjigje. Nga ai moment problemet u përkeqësuan dhe askush nuk donte të më dëgjonte. Pyetja e parë që i bëra, ishte pse nuk më respektonte dhe pse nuk u qëndronte atyre gjërave për të cilat kishim rënë dakord që në fillim. Pastaj u sqaruam për një moment dhe më tha që kisha të drejtë dhe më respektonte si person dhe si profesionist.

Kush është personi që ju ka zhgënjyer më shumë në këtë situatë, ose saktësisht a jeni ndier i tradhtuar nga dikush në klub?

Nëse e ke fjalën për Kurbejon, sigurisht që do ta pranoj. Ai menaxhoi gjithçka shumë keq që nga fillimi ynë te Luftëtari dhe po përgatiste terrenin për të qëndruar i vetëm në klub. Ai më tradhtoi. Presidenti vendosi të më largonte mua për të mbajtur Kurbejon dhe kjo ishte një tjetër thikë pas shpine për mua.

Ju thoni se kishit probleme me gjuhën dhe kjo gjë u krijua për shkak të saj, por pse nuk biseduat më përpara me Kurbejon, apo menduat që gjërat nuk do të shkonin deri në këtë pikë?

Pata shumë besim te Kurbejo, sepse ai dinte gjuhën greke. Por ky nuk ishte problemi, sepse shumë lojtarë kuptonin spanjisht dhe anglisht. Kuptoheshim mirë me njëri-tjetrin. Pastaj gjërat erdhën deri aty sa më larguan nga shtëpia në të cilën qëndroja dhe nuk kisha marrë asnjë qindarkë për ta paguar. Për më tepër, as në ditën kur vendosën të më prishin kontratën.

Daniel-Fernandez-658x370

Pra, ju po thoni që nuk e keni firmosur ende prishjen me mirëkuptim të kontratës?

Jo. Nuk kam firmosur asgjë dhe nuk më kanë paguar asgjë. Më thanë thjesht rrugë të mbarë pa më dhënë asgjë. Kjo situatë tani është në duart e avokatëve të mi, të cilët do ta zgjidhin në gjyq. Kjo do të përfundojë në FIFA, sepse i di shumë mirë të drejtat e mia dhe detyrat. Klubi më duket se nuk i di.

Qëndruat dy muaj, nuk keni marrë asnjë pagë që nga momenti kur shkuat në Gjirokastër?

Jo. Unë mora vetëm një shumë parash në momentin që erdha në Shqipëri, por pastaj asnjë pagesë mujore.

Çfarë kontrate keni firmosur me Luftëtarin?

Kontrata ime përfundon në 31 maj të vitit 2018.

Mund ta dimë kush ju solli në Shqipëri, apo ndërmjetësi mes jush dhe klubit.

Njerëzit e Kurbejos. Ai dhe ata rregulluan gjithçka me klubin këtu.

Pra, ju u përzgjodhët nga Kurbejo për të ardhur këtu?

Po, por ai u paraqit me dokumentet e mia dhe me CV-në time në zyrën e Luftëtarit. Por unë punoja me eksperiencën time dhe Kurbejo e dinte këtë, deri sa një moment tregoi egon e tij për të qenë i pari dhe për të drejtuar klubin. Donin të më nxirrnin mua keq, bashkë me koordinatorin.

Nga klubi është thënë se iu dha koha e nevojshme për t’i zgjidhur problemet me ndihmësin tuaj…

Unë përdora çdo rrugë të mundshme për ta zgjidhur këtë situatë, por me njerëz që nuk janë trajnerë profesionistë dhe mendojnë që janë Murinjo nuk mund të flasësh. Unë doja të flisja me presidentin, por aty ndodhi më e çuditshmja, sepse ai më largoi mua dhe mbajti Kurbejon. Pastaj atë e largoi më vonë për rezultate të dobëta.

Kur thoni koordinatori, për kë e kishit fjalën?

Për një Vangjelis (i referohet drejtorit të klubit). Që në momentin kur ai mori postin në klub, fliste vetëm me Luisin dhe menaxhonin gjithçka bashkë. Nuk konsultoheshin fare me mua.

Pse pranuat të punonit me Kurbejon kur mendoni se ishte i tillë?

Unë duhet të bëja punën time, në momentin që pranova të vija këtu. Ishte klubi që gaboi duke i dhënë më shumë të drejta Kurbejos sesa mua. Ai nuk kishte licencë për të drejtuar një skuadër futbolli, prandaj erdhëm të dy bashkë. Unë e njihja shumë pak si person, por ai i ndihmuar nga njerëzit e klubit më bënë “puç”.

Po për formacionin dhe për lojtarët që luanin?

Gjithçka e vendoste Kurbejo. Mua nuk më merrnin më asnjë këshillë. Gjithçka e bënte ai me bashkëpunëtorët e tjerë. Të gjithë e panë se çfarë vendimesh merrte dhe rezultatet që mori skuadra.

Keni ndër mend të dëgjoni ndonjë ofertë nga klubet shqiptare, apo do të ktheheni në vendin tuaj?

Kam oferta edhe nga Shqipëria, por dhe nga Spanja. Për momentin nuk do të rikthehem në Uruguai, por do të gjej ndonjë punë në Europë.

Pse nuk këmbëngulët të dilnit në një konferencë për ta shpjeguar këtë situatë?

Unë nuk jam njeriu i konferencave, por i punës. Doja të punoja për të ndryshuar këtë ecuri negative, por nuk më lanë. Fajtori i vetëm në këtë histori ishte Kurbejo dhe njerëzit e tij.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"