EKSKLUZIVE/ Rrëfehet drejtoresha e Tiranës, Deborah Keçi: Ky është viti i rezultateve, ja plani për skuadrat bardheblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 18:06

EKSKLUZIVE/ Rrëfehet drejtoresha e Tiranës, Deborah Keçi: Ky është viti i rezultateve, ja plani për skuadrat bardheblu

Në tetor të 2020-ës Deborah Keçi mo ri drejtimin e Tiranës, klubit më të madh shumësportësh në vendin tonë. Pas një viti që i ka shërbyer më shumë si vëzhgim, drejtoresha e bardhebluve tashmë është fokusuar te rezultatet për të cilat i është dashur të marrë vendime të rëndësishme.

Debora Keci

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Deborah flet për eksperiencën e saj te Tirana. Ajo prek dhe sqaron disa pika dhe probleme shumë të rëndësishme duke nisur që nga modifikimi i emrit te skuadra e basketbollit të meshkujve, ndryshimi në drejtimin tek ekipet e volejbollit apo sherri në kampionatin kombëtar të boksit.

242791018_4702415896449414_5415714533076710009_n

Deborah, si do ta përmblidhnit këtë periudhë 1- vjeçare në drejtim të Tiranës? Jeni e kënaqur me rezultatet?

Menjëherë sapo erdha në klub e dija shumë mirë që sfidat do të ishin të mëdha dhe do të duhej një punë kolosale. E dija që në sport, sado që të punohet asnjëherë nuk do të jetë mjaftueshëm, megjithatë e kam marrë me shumë dëshirë, përgjegjësi dhe pasion këtë detyrë.

E kam thënë gjithmonë që pasioni do të jetë kryefjala e punës sime dhe duhet të jetë edhe kryefjala e sportit në Shqipëri. E kam marrë Tiranën në një periudhë të vështirë, në periudhë pandemie dhe pasigurie, ku gjëja e fundit që njerëzit mendonin ishte sporti. Megjithatë, vitin e parë e kam pasur si test për ta parë situatën reale se ku ndodheshin ekipet, që do të thotë më shumë kam vëzhguar sesa vepruar. Pra, viti i kaluar nuk ishte për të fituar, por për të bërë planin e veprimit për këtë sezon dhe për të vendosur objektivat e realizueshme. Ndërsa ky sezon do të jetë i rezultateve.

Ju shikojmë rregullisht, prezente në pallatet e sportit…

Unë jam tifozja më e flaktë e Tiranës, ndonëse kam ardhur me pak zhurmë duke u etiketuar si goca durrsake në krye të klubit, kjo edhe për faktin që ndoshta nuk kam qenë ndonjëherë sportiste bardheblu. Por e kam thënë që për sa kohë do të jem në krye të këtij klubi, do të jem tifozja dhe mbështetësja më e flaktë. Do të punoj për këtë klub emblemë që i përket qytetit, tifozërisë dhe ne të gjithëve.

Skuadra e basketbollit të meshkujve rikthehet me një merkato aktive dhe me shumë ambicie. Çfarë prisni në këtë sezon prej tyre?

Prej disa vitesh shumë skuadra si Goga, Teuta apo Vllaznia kanë investuar duke bërë që konkurrenca të jetë e lartë. Ndërsa Tirana kishte mbetur me financim vetëm nga buxheti i bashkisë.

Basketbolli5

E kam thënë shpesh dhe do të vazhdoj ta përsëris që sporti të ecë përpara, të zhvillohet, të ketë rezultate dhe të jetë konkurrues nuk mjafton vetëm mbështetja e pushtetit lokal apo vendor, apo e qeverisë, që të themi të drejtën ka qenë e jashtëzakonshme dhe më e larta ndër vite. Sado e madhe të jetë kjo mbështetje, asnjëherë nuk do të jetë e mjaftueshme nëse nuk afrohen investitorët privatë. Vizioni im, i klubit dhe i trajnerit ka qenë për të pasur një ekip me bërthamë shumë të mirë me lojtarë shqiptarë dhe sigurisht pretendentë.

Keni bërë disa afrime të rëndësishme te skuadra e meshkujve, por a do të futet përsëri Tirana në merkato?

Do të shohim ecurinë e fazës së parë, se ndoshta mund të mos kemi nevojë. Mund të bëjmë edhe ndonjë afrim të huaj, Maksimumi një ose dy lojtarë, të cilët do të jenë cilësorë. Me këtë rast dua të bëj një falënderim shumë të madh për sponsorin gjeneral “Neptun”. Këtu dihet që sponsorët afrohen për dashamirësi dhe pasion sepse nuk kanë asnjë lloj benefiti financiar. Kështu që falënderoj shumë Neptun-in, por edhe sponsorët e tjerë që kanë vendosur t’i japin një dorë skuadrës.

Skuadra këtë sezon vjen me emrin e ri Tirana Neptun…

Kam dëgjuar me shumë keqardhje që ndoshta tifozët janë revoltuar disi që ekipi ka marrë emrin Tirana Neptun. Në të gjithë botën funksionon në këtë formë, të mos shkojmë shumë larg, mjafton të shikojmë rastin e Sigal Prishtinës. Tifozëve dua t’u them që Tirana nuk e humbet absolutisht identitetin e saj sepse kjo ishte edhe frika e tyre. Tirana nuk ka asnjë lloj ndryshimi dhe do të jetë gjithmonë e tifozëve, e ndërtuar me sportistë të dalë nga akademia bardheblu. E gjithë kjo është bërë për t’i shërbyer sa më shumë ekipit. Çdo vendimmarrje bëhet për të mirë të klubit.

Po nga ekipi i basketbollit të femrave çfarë prisni?

Kemi një skuadër me një potencial shumë të mirë. Kemi lojtare të reja në moshë, vajza që janë pjesë e Kombëtares dhe mosha mesatare e ekipit është 18-19 vjeç. Sigurisht që kanë punë përpara për të bërë duke nisur që nga trajnerja e mirënjohur Mirza Alibegaj dhe nga sportistet, për ta ngritur nivelin dhe për të fituar sigurinë në arritjen e rezultateve.

Duke kaluar te volejbolli, shikojmë që të dyja ekipet vijnë me trajnerë të rinj këtë sezon…

E nisa disi me polemika në volejboll, pasi në këtë pozicion sado punë që të bësh do të dalësh ndoshta e keqe për dikë dhe nuk mund t’i kënaqësh të gjithë. Këtë sezon unë e nisa me vendimmarrje për të ndryshuar të dy trajnerët si te meshkujt ashtu dhe te femrat. Por dua të sqaroj që fakti që unë marr vendimin për të bërë ndryshim nuk ka absolutisht lidhje me atë që kanë kontribuar trajnerët për historinë e Tiranës. Ne akoma vazhdojmë të bëjmë sport me emocione dhe një trajner që ka qenë për 20 vite mendon se duhet të vazhdojë të jetë përjetësisht.

Volejboll Tirana

Në vendimmarrje duhet të jesh më i ftohtë dhe ta mbash larg pjesën emocionale. Në të gjithë botën sporti matet me rezultate, kështu që në këtë pikë kjo nuk ka asnjë lidhje me respektin dhe me atë që kanë dhënë trajnerët për historinë e klubit. Unë kam bërë disa zgjedhje, ndërsa do të jenë rezultatet dhe fusha që do ta tregojnë nëse janë zgjedhje të mira apo të gabuara. Askush s’është i pazëvendësueshëm, këtë duhet ta kuptojnë të gjithë, si trajnerët ashtu edhe sportistët. Nëse Tirana nuk do të ketë rezultate me këto lëvizje, sigurisht që do të kërkojmë sërish diçka të re.

Prej disa javësh Tirana ka nisur rikonstruksionin e sallës “Farie Hoti”. Kur pritet të jetë gati shtëpia e re bardheblu?

Në fund të tetorit shtëpia bardheblu do të jetë gati për të gjithë sportistët e Tiranës. Kjo është një nga punët që më bën më shumë krenare. Është minimalja që duhet të bëjë çdo drejtues që ulet në karrige. Nuk dua t’i drejtoj gishtin askujt, por duhej të ishte bërë shumë më tepër. Dua që të lë një shenjë dhe diçka të prekshme, që të them se kjo është dhurata ime për sportistët e klubit. Jam shumë e lumtur që së shpejti do të kemi një sallë të re moderne, ashtu siç e meritojnë sportistët, pasi është diçka elementare.

Le të ndalemi pak te ngjarjet e shëmtuara në kampionatin e boksit, ku pamë të sulmohej trajneri i Tiranës. Cili është qëndrimi juaj?

Për këtë gjë Klubi i Tiranës ka përgatitur një relacion. Për atë që ndodhi në Shkodër ka disa pika kyçe që duhet folur sepse kam dëgjuar që përpiqen ta kthejnë historinë sipas interesit. Për mua përgjegjës për atë që ndodhi është presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, pavarësisht se kush e nisi sherrin dhe kush u përfshi në të.

Sherri i boksit

Gjëja minimale për organizimin e një eventi kombëtar sportiv është siguria në sallë, që këtu mbaron çdo lloj diskutimi. Që në momentin ku mungon siguria në sallë, unë nuk dua të merrem fare se kush është fajtori për sherrin. Nuk mundet kurrsesi që në një sallë me 200 veta të jenë dy policë që pinin cigare jashtë. Siguria është detyrë minimale dhe primare e federatës, si përgjegjësja për aktivitetin.

Ekipi i boksit

Çfarë ju thanë trajnerët nga bisedat që keni pasur për atë që ndodhi?

Me sa më kanë treguar, ky është një rast i përsëritur dhe në çdo event boksi kemi pasur ngjarje të tilla. Nëse një president federate nuk përmbush kushtin elementar të sigurisë në sallë, për mua duhet ta lëshojë karrigen. Nuk mundet që kurrsesi një sportist të shkojë dhe ndeshet me frikë, pasi në Shkodër ndodh gjithmonë e njëjta gjë.

Nuk dua ta përgjithësoj të gjithë tifozërinë shkodrane, se ndoshta mund të jetë një grup i vogël, por në Shkodër ndodhin gjithmonë episode të tilla. Nuk mundet që të dalin tifozët dhe t’i bëjnë presion arbitrit për dhënien e vendimit. Këto që them i kam të gjitha të dokumentuara me pamje filmike. Po përdoret preteksti se i paska provokuar trajneri. Ka një ndryshim të madh mes fjalëve dhe dhunës fizike. Nuk mundet që një ekip të drejtojë presidentin e Federatës Shqiptare të Boksit. Mjafton vetëm të shikojmë numrin e aktiviteteve të boksit të zhvilluara në Shkodër, në krahasim me qytetet e tjera.

Duke kaluar te sportet e tjera, në atletikë, shtangë, mundje, etj keni mbledhur më të mirët…

Tirana i ka mbledhur më të mirët sepse është klubi më i mirë. Është e vërtetë që në sporte individuale kemi shumë sportistë elitarë. Në shumicën e sporteve jemi kampionë absolutë si në rang ekipor ashtu edhe në nivel individual. Unë jam gjithmonë për një sport cilësor dhe me shprehjen ‘pak por saktë’.

Gega Smajlaj Tirana

Elita e sportit në Shqipëri është pjesë e Tiranës për shkak të mbështetjes së jashtëzakonshme të bashkisë, që arrin t’i paguajë dhe t’i trajtojë. Por dua të besoj dhe t’ia bëj disi edhe qejfin vetes, për shkak të ndryshimeve që janë bërë në klub, shikoj një dëshirë të sportistëve për të ardhur te Tirana.

Prej një viti i prekni sportet nga afër, si do ta gjykoni nivelin e tyre përgjithësi?

Në përgjithësi niveli është i ulët. Shikoj sportistë të kategorive të para në sporte të ndryshme, që nuk stërviten dhe nuk kanë një përkushtim si profesionistë. Unë bëj sport amator për qejf dhe shpeshherë stërvitem më shumë se një profesionist. Por për këtë ka disa shkaqe, pasi këtu sportistët bëjnë edhe punë të tjera duke qenë se nuk mund të jetojnë vetëm me këtë trajtimin ushqimor. Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është mungesa e trajnerëve.

Calja

Mendoj që Shqipëria është në një krizë trajnerësh. Kur flas për mungesë trajnerësh, me gjithë respektin dhe dashamirësinë për trajnerët ekzistues që kanë kontribuar dhe janë ikona të sportit, trajningu është bërë shkencë më vete. Puna e trajnerit evoluon dhe zhvillohet. Një trajner nëse nuk ka dëshirën për të mësuar dhe për t’u përmirësuar mbetet në vendnumëro. Shikoj që trajnerët këtu kanë ngecur.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"