EKSKLUZIVE/ Rrëfehet Daja: E vërteta me Jani Kaçin dhe lojtarët e Skënderbeut (e plotë)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2018 | 21:00

EKSKLUZIVE/ Rrëfehet Daja: E vërteta me Jani Kaçin dhe lojtarët e Skënderbeut (e plotë)

“Po, i doja lojtarët e Skënderbeut në Vlorë, por unë nuk kam bërë menaxherin me asnjë”. Ilir Daja vendos të thyejë heshtjen dhe ekskluzivisht për “Panorama Sport” rrëfehet në prag të startit të kampionatit. Nga “pengjet” në merkato te fillimi me vonesë i përgatitjeve dhe deri te reagimi për deklaratën e ikonës së futbollit shqiptar, Jani Kaçi, që pak ditë më parë tronditi opinionin sportiv.

daja

Profesor Daja, si shkoi faza përgatitore në Greqi?

Përveç faktit që e nisëm pak me vonesë, për të pritur edhe kompletimin e ekipit, mendoj që për ato arsye që bëhet një fazë përgatitore, shkoi mirë. Por, na munguan ndeshjet miqësore me ekipet e forta, për të parë edhe gjendjen reale se ku aktualisht jemi, qoftë për të marrë informacionin direkt në një ndeshje të fortë për individët, qoftë edhe për atë çfarë ata kishin punuar. Pra, për të koordinuar manovrën mbrojtëse dhe sulmuese.

A ju kanë bindur lojtarët që keni pasur në dispozicion këtë fazë?

Ka lojtarë që kanë shtuar pluset në vlerësimin e tyre, ashtu siç ka edhe lojtarë që kanë shtuar minuset nga kjo fazë e ngjeshur, pasi kemi punuar me tri seanca në ditë, ku njëra ka qenë teori dhe dy të tjerat kanë qenë praktikë. Ngarkesat kanë qenë maksimale, sepse kemi pasur probleme me programimin e fazës përgatitore, pasi shumë lojtarë kanë ardhur nga një gjendje pushimi pasiv prej rreth 1 muaj e gjysmë kohë, që kur ka mbaruar kampionati. Ishte shumë e vështirë që brenda kësaj periudhe të shkurtër dyjavore të gjenim se kush do të ishte intensiteti dhe ngarkesat e duhura, në mënyrë që në këtë javë të parë të kampionatit të hyjmë me mundësitë më të mira të mundshme.

Kishte ndonjë lojtar që tejkaloi pritshmëritë tuaja?

Për lojtarët me eksperiencë pak a shumë kisha një njohje, por tjetër gjë kur i ke faktikisht në stërvitje dhe kur pothuajse nga mëngjesi deri në darkë merr informacion për mënyrën se si shkrihen me njëri-tjetrin dhe krijojnë frymën e grupit. Pastaj, edhe në aspektin tekniko-taktik, qoftë edhe për të shtuar komponentët shumë të rëndësishëm, siç janë ata psiko-fizik, do të thosha që ata lojtarë që tashmë kanë një standard në kampionatin shqiptar, pritshmëria ishte nga njohja që kemi. Pozitivisht kanë reaguar disa lojtarë të rinj, por sigurisht nuk po i përmend me emra, pasi lojtarët e rinj në Shqipëri, jo vetëm në Vlorë, por kudo, në momentin që prezantohen nëpër media, nganjëherë e kanë si një bonus negativ, jo pozitiv. Pra, nuk ulen me këmbë në tokë për të vazhduar dhe për t’u përmirësuar nga dita në ditë. Preferoj të mos i përmend me emra.

Janë afruar lojtarë si Batha, Torasa, Kale etj. Jeni i kënaqur apo prisnit diçka më tepër nga merkato?

Kemi punuar në grup, pasi kështu kam bërë me çdo ekip që kam qenë. Nuk jam nga ata trajnerë që bëjnë edhe menaxherin, por jam trajner që i shoh lojtarët se çfarë prodhojnë në seancat stërvitore. Por, natyrshëm që në atë grup për afrimin e lojtarëve, vulën përfundimtare e kam vënë vetë. Afrimet kanë qenë ato të duhurat për kohën që kemi pasur në dispozicion, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve që mund t’i shërbenin Flamurtarit kanë qenë me kontratë me ekipe të tjera.

Disa lojtarë të Skënderbeut si Osmani, Muzaka, Radas, Mici etj., të cilët u përfolën se do të vinin në Vlorë, nuk erdhën. Çfarë ndodhi dhe a jeni i zhgënjyer?

Doja t’i kisha në ekip, por unë nuk bëj rolin e menaxherit me asnjë lojtar, jo vetëm këtu te Flamurtari, por edhe në klubet e tjera, ku kam punuar. U kemi bërë ofertë lojtarëve që kanë mbaruar kontratën me klubet e tyre, por nuk është gjetur gjuha e përbashkët dhe përderisa nuk janë pjesë e Flamurtarit, nuk kam qejf të bëj asnjë koment.

A do të ketë afrime të tjera dhe më konkretisht në cilin repart?

Nga dita e sotme mbetet afërsisht dy javë deri në mbylljen e merkatos dhe besoj se kemi nevojë që të përforcohemi akoma. Nuk po i citoj vendet apo repartet ku kemi më shumë nevojë, sepse pas pesë ditësh starton kampionati dhe nuk dua që t’i jap një informacion të shtuar kundërshtarit. Ne si staf, por edhe me drejtuesit e ekipit, po punojmë që në atë role ku ka probleme, të shtojmë rivalitetin. Ky është edhe fokusi i drejtimit të punës së merkatos për këto dy javë që kanë mbetur. Ajo që do të ishte më e mira, por do të shikojmë sa do ta realizojmë praktikisht, është fakti që të kemi lojtarë të dubluar në çdo pozicion, pasi kampionati është i gjatë. Dëmtimet janë të pranishme, kartonët gjithashtu, në mënyrë që të kemi sa më pak “kokëçarje”, qoftë për startin e kampionatit apo edhe për vazhdimësinë.

A është gati Flamurtari për startin e kampionatit?

Ne jemi përgatitur për ta sjellë ekipin në një formë sa më të mirë të mundshme që në startin e kampionatit, por nuk ka asnjë trajner që në një mungesë kaq të gjatë prej 1 muaj e gjysmë, të lojtarëve me pushim pasiv, të futen në formë maksimale që në javën e parë të kampionatit. Për etikë po të thosha këtë nuk do të isha i vërtetë, por do të futen me maksimumin e mundësive që zotërojnë në këtë moment.

Me Teutën ndeshja e parë, si e shikoni?

Do të flas në nivel paragjykimi, sepse nuk është më si më parë. Teuta është riformatuar, ashtu sikundër edhe ne kemi bërë ndryshime të mëdha. Dihet që në Durrës luhet futboll i qetë, pasi vetë stadiumi, vetë fusha, si dhe ekipi i Teutës, të lejojnë të luash një futboll korrekt. Por, nëse do të thosha më shumë, do të isha shumë i paragjykuar në mendimin tim me veten, pasi në fund fare informacioni më i madh që do të marrim, do të jetë ai nëpërmjet fushës së lojës.

Cilat janë objektivat e Flamurtarit për këtë sezon?

Unë e kam thënë që në prezantimin e parë, që Flamurtari vetë si klub, si qytet, objektivin e ka gjithmonë në AND-në e tij. Pra, kërkon gjithmonë të marrë maksimumin, por sigurisht në që fund të mbylljes së merkatos do të dalim me objektivat më konkrete për këtë sezon futbollistik.

Një prej ikonave të futbollit korçar, Jani Kaçi, ka deklaruar pak ditë më parë se Skënderbeun e braktisën njerëzit pa moral dhe pa karakter. Keni ndonjë koment për këtë?

Mund të them se nuk e ka pasur me mua Jani Kaçi. E para, pasi nuk ka cituar asnjëherë emrin tim dhe e dyta, e di shumë mirë që ai ka respekt për mua, ashtu sikundër kam edhe unë për të. Kështu që nuk kam çfarë të komentoj kur nuk është përmendur emri im. Të gjithë kanë të drejtë të shprehen dhe jo më një figurë si Jani Kaçi

ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"