EKSKLUZIVE/ Rrëfehet Bushiç: Nuk mërzitem nëse Daja s’më jep shiritin, jam nervoz kur luan Kroacia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2018 | 18:47

EKSKLUZIVE/ Rrëfehet Bushiç: Nuk mërzitem nëse Daja s’më jep shiritin, jam nervoz kur luan Kroacia

Tomislav Bushiç mendon se sezoni i ri duhet të jetë i Flamurtarit kampion. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi u shpreh i kënaqur për rinovimin, ndërsa vlerësoi emërimin e Ilir Dajës si trajner. Kroati tregon se nuk do të ketë asnjë qejfmbetje nëse nuk do t’i besohet më shiriti i kapitenit nga kreu i ri i pankinës.

Bushic

Bushiç, më në fund u zyrtarizua rinovimi me Flamurtarin…?

Jam shumë i kënaqur që rinovova kontratën me Flamurtarin, pasi këtu ndihem shumë mirë. Qyteti i Vlorës, drejtuesit e klubit, tifozët dhe të gjithë më kanë respektuar shumë. Në përfundim të sezonit të kaluar nuk e dija nëse do të rinovoja më me Flamurtarin apo jo, por kur më telefonoi Behari, u kënaqa shumë.

Trajner nuk është më Shpëtim Duro, por Ilir Daja…

Unë mendoj se Shpëtim Duro dhe Ilir Daja janë të dy profesorë shumë të mirë. Jam shumë i bindur që Daja është një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri. Duro ka një tjetër taktikë, ndërsa Daja ka taktikën e tij. Jam i mahnitur për punën që ka bërë Daja te Skënderbeu dhe Tirana. Të dyja këto ekipe nën drejtimin e Dajës kanë luajtur futboll shumë të mirë. Të njëjtën gjë besoj se do të bëjë edhe te Flamurtari.

Për sa u përket objektivave, mendoni se mund të fitoni trofe këtë sezon?

Ne këtë sezon do të kemi një skuadër të re. Ekipi ende nuk është kompletuar dhe tani na mbetet që të shikojmë cilët lojtarë do të vijnë te ne. Mendoj se sezoni i ri do të jetë një shans për Flamurtarin që të ndërtojë një ekip të mirë dhe të synojë titullin kampion.

Kanë rinovuar disa lojtarë nga sezoni i kaluar, si i vlerësoni?

Presim edhe lojtarë të tjerë dhe do të fillojmë me stërvitjen. Jemi duke u kompletuar dalëngadalë dhe, nga bisedat që kam bërë me drejtuesit, mendoj se do të bëhet më e mira. Kanë rinovuar 5-6 lojtarë që janë futbollistë punëtorë dhe djem korrektë. Ata kanë luajtur në të gjitha ndeshjet për fanellën dhe Flamurtarin me gjithë shpirt. Edhe këtë vit do të jemi të gjithë si grup. Është një gjë shumë e rëndësishme që të kesh një grup të fortë si ekip.

Prisni të rikonfirmoheni kapiten i Flamurtarit?

Nuk e di, por unë jam shumë i kënaqur që kam mbajtur shiritin e kapitenit të Flamurtarit. Për këtë vit nuk e di çfarë mendon profesori, por për mua nuk ka problem. Nuk ka rëndësi nëse do të jem unë kapiteni apo një lojtar tjetër. Unë i respektoj të gjithë dhe na duhet të japim maksimumin në fushë. Uroj që të kem një sezon pa dëmtime, jo siç ka ndodhur vitin e kaluar.

Pak ditë më parë shpërndatë një video, teksa djali juaj, Toni, shpërtheu në lot kur Modriç humbi penalltinë ndaj Danimarkës…

Unë edhe djali shikojmë ndeshje gjithmonë bashkë. Jam shumë nervoz kur luan Kroacia. Bashkë me djalin jemi tifozë të çmendur të Kroacisë dhe Luka Modriçit. Luka humbi penalltinë dhe djali kishte shumë emocione. Futbolli nuk është vetëm një punë sport, por edhe shumë emocione. Ne në Kroaci kemi një ekip shumë të fortë, shumë të mirë dhe gjithë Kroacia është me këtë grup të shkëlqyer futbollistësh.

Djali juaj do të ndjekë rrugën tuaj, do të bëhet futbollist?

Po, patjetër që po. Është 9 vjeç dhe luan futboll. Është në një ekip në Kroaci dhe është mirë.

Në çfarë pozicioni luan Toni?

Luan sulmues krahu (qesh).

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"