EKSKLUZIVE/ Rrëfehet Asani: Ëndërroj Kombëtaren. Kam idhull Dibalën, por ja pse festova si Toti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2018 | 23:38

EKSKLUZIVE/ Rrëfehet Asani: Ëndërroj Kombëtaren. Kam idhull Dibalën, por ja pse festova si Toti

Jasir Asani ka dhënë një kontribut të rëndë sishëm në suksesin që arriti dje Partizani në Laç. Ndonëse nuk shënon shumë, ai shërben për shokët dhe krijon panik te kundërshtarët. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas fitores, Asani pohon se me Dalipin ekipi është më i lirshëm, pasi me Starovën kishin frikë.

Ai shprehu besimin se ekipi e arrin vendin e dytë, si dhe tregon ambientimin e tij me të kuqtë dhe dallimit mes futbollit shqiptar dhe të Maqedonisë, ku ka luajtur më parë. Asani tregon idhullin e tij, si dhe tregon arsyen pse festoi si Françesko Toti pas ndeshjes në Laç. Asani në rrëfimin e tij tha se ëndrra e tij si fëmijë ka qenë të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë dhe ka besim se do ta realizojë shumë shpejt atë.

asani tifozet

Jasir, Partizani po tregohet i pandalshëm në javët e fundit. Çfarë ka ndryshuar tek ekipi me ndryshimin e trajnerit?

Po stërvitemi shumë mirë dhe me ardhjen e Dalipit në krye të ekipit jemi çliruar për të luajtur më shumë futboll. Kështu, gjithkush mundohet të luajë fort dhe të tregojë klasin e tij në fushë. Të gjithë mundohen të japin maksimumin për të fituar. Me Starovën dëshira për të luajtur ishte më e vogël, pasi kishim frikë. Një gabim dhe duhet të kthehej ekipi në mbrojtje. Dalipi na ka dhënë më shumë fuqi, ndaj e meriton këtë sukses si trajner i Partizanit.

Pas suksesit në Laç jeni të tretët. A është i mundur vendi i dytë?

Secila ndeshje e mbetur deri në fund është si finale për ne. Besoj se vendi i dytë është i mundshëm dhe e kemi filluar mbarë për ta arritur atë. Do të jetë shumë e vështirë, por me punën që bën secili lojtar në stërvitje dhe në ndeshje duke dhënë maksimumin, besoj se do ta kapim vendin e dytë.

Shënoni pak, por shërbeni për shokët. Ju shqetëson mungesa e golit?

Normal, çdo lojtar ka qejf për të shënuar, ndaj së shpejti do të vijnë edhe golat e mi. Gjithsesi, rëndësi ka që të fitojë ekipi.

asani

Me lojën që zhvilloni, merrni shumë goditje, siç ndodhi edhe në Laç. Ju ka ndodhur më parë kjo gjë edhe në Maqedoni?

Më ka ndodhur shumë shpesh, por ky është futbolli. Gjithçka e quaj kalimtare.

Cili është lojtari që është treguar më i ashpër me ju në Shqipëri?

Janë të shumtë lojtarët, por nuk mund të veçoj me saktësi njërin prej tyre. Në Shqipëri të gjithë lojtarët mundohen të japin maksimumin për klubin ku bëjnë pjesë. Ndaj, iu u uroj suksese, pasi unë e konsideroj thjesht si një ndeshje futbolli.

Sa jeni përshtatur tashmë me futbollin shqiptar?

Jam përshtatur shumë mirë. Më ka ndihmuar ekipi shumë që të përshtatem sa më shpejt. Tani po eci shumë mirë edhe në kampionatin shqiptar.

A shikoni ndryshime mes futbollit që keni luajtur në Maqedoni dhe këtij në Shqipëri?

Normal që ka ndryshime, pasi në Maqedoni niveli është pak më i ulët. Gjithsesi, kampionati është i bukur atje, pasi ka skuadra që luajnë futboll të bukur. Në Shqipëri është ndryshe, pasi niveli i futbollit është rritur ndjeshëm. Sipas meje, Kategoria Superiore është më lart se kampionati në Maqedoni.

Keni ndonjë idhull në futboll?

Po, më pëlqen shumë Dibala. Ai është idhulli im dhe lojtari më i mirë në botë.

Mendova mos është Toti, pasi pas ndeshjes në Laç festuat si ish-kapiteni i Romës duke bërë “selfie” me tifozët…

Edhe Toti më ka pëlqyer si lojtar, por e thashë se idhull kam Dibalën, mbase edhe nga që luajmë në të njëjtin rol. “Selfien” me tifozët pas ndeshjes e bëra në shenjë respekti ndaj tyre, pasi ata i kemi në çdo ndeshje përkrah. Shpresoj që t’i gëzojmë ata me fitoret tona, të cilat do të vijnë njëra pas tjetrës.

A e mendoni si mundësi që një ditë të luani me ekipin Kombëtar shqiptar?

Normal, të gjithë lojtarët me gjak shqiptari kanë dëshirë që të luajnë për Kombëtaren shqiptare. E ëndërroj që fëmijë, por me ndihmën e shokëve të ekipit dhe të klubit do ta kap edhe Kombëtaren shqiptare. Së shpejti do ta realizoj ëndrrën time që të luaj për Kombëtaren e madhe të Shqipërisë, pasi me U-21 e kam provuar.

Po pas Partizanit keni ndonjë klub të huaj që dëshironi të bëheni pjesë?

Tani për tani jam te Partizani, me të cilin firmosa kontratë katërvjeçare në fillim të sezonit. Nuk kam ndonjë ekip konkret, ndaj jam i fokusuar vetëm te Partizani. Është herët për të folur për atë.

Vazhdoni të jeni i lirë (beqar) edhe pas ardhjes në Shqipëri? (

Qesh) Çfarë përgjigje të jap… Jam i lirë dhe nuk kam askënd. Momentalisht po jap maksimumin për klubin që përfaqësoj.

Bashkëshorten preferoni ta zgjidhni nga Shqipëria apo vendlindja juaj në Maqedoni?

Nuk e di. Ende s’kam menduar se nga do të jetë nusja ime. Ka kohë për atë gjë.

Keni ndonjë ushqim të preferuar këtu në Tiranë dhe a ju mungon diçka nga shtëpia?

Jo, nuk kam ndonjë ushqim të preferuar. Më mungon familja ime.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"