EKSKLUZIVE/ Rrëfehet Arsen Hajdari: Tirana do ketë fatin e Partizanit, ja sekreti i golit nga mesi i fushës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2020 | 17:33

EKSKLUZIVE/ Rrëfehet Arsen Hajdari: Tirana do ketë fatin e Partizanit, ja sekreti i golit nga mesi i fushës

Besëlidhja arriti të mërkurën në “Elbasan Arena” që të kualifikohet në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Ky sukses u arrit falë fitores 3-0 që mori para dy javësh në stadiumin e Lezhës dhe golit të Arsen Hajdarit në Elbasan duke e çuar rezultatin përfundimtar në 4-3 për lezhjanët. 

Beselidhja458

Goli i sulmuesit shkodran të Besëlidhjes, Arsen Hajdari, në “Elbasan Arena” kishte vlerën e dy golave pasi për t’u kualifikuar Partizanit i duheshin 5 gola.

Përveç vlerës për ekipin, goli i Hajdarit ishte i veçantë edhe për nga mënyra e realizimit. Në një rrëfim për “Panorama Sport”, 30-vjeçari shkodran tregon historinë e tij prej një dekade si futbollist profesionist, gëzimet, shqetësimet dhe aventurat që ka përjetuar. Ai ka edhe një mesazh për Tiranën, kundërshtarin e radhës për Besëlidhjen në Kupë.

Arsen, fillesat tuaja si futbollist ku dhe kur i keni? 

Unë që i vogël jam aktivizuar me moshat e Vllaznisë dhe më pas si futbollist i saj. Ëndrra ime që në fëmijërinë e hershme ka qenë fanella e Vllaznisë dhe këtë dëshirë falë të gjithëve atyre që më kanë ndihmuar, inkurajuar dhe falë pasionit tim ia dola që ta vesh zyrtarisht. Ndaj, për këtë jam shumë i kënaqur.

 Pjesën më të madhe të karrierës e keni zhvilluar te Vllaznia, por edhe te Besëlidhja, si jeni ndierë në këto dy klube?

Jo për kompliment dhe as për tifozllëk, por kuptohet te Vllaznia jam ndierë shumë mirë, aty kanë qenë edhe ëndrrat e mia, ashtu siç e theksova edhe më lart. Te Besëlidhja është hera e dytë për mua, pasi fillimisht këtë fanellë e kam veshur gjatë sezonit 2014-2015 dhe për këtë jam mjaft i kënaqur si për herën e parë, ashtu edhe tani. Edhe te Besëlidhja kam qenë në kushte komode, por këtë sezon do ta mbaj mend gjatë për emocionet që ndjeva kur u kualifikuam duke lënë jashtë kompeticionit të Kupës Partizanin, skuadrën kampione në fuqi të Shqipërisë, dhe për më tepër isha unë ai që shënova gol me vlerë.

Ju jeni ndeshur disa herë me Partizanin kur keni qenë pjesë e Vllaznisë, mbani mend i keni shënuar ndonjë gol apo ruani ndonjë kujtim emocional?

Me thënë të drejtën, nuk e di. Nuk mbaj mend nëse i kam shënuar Partizanit, dua të jem i sinqertë. Por, emocione kam pasur edhe pozitive edhe negative, sipas rezultateve që kemi marrë.

Duke iu kthyer sfidave me kampionët, a e kishit menduar kualifikimin kur mësuat shortin ndaj Partizanit?

Ndonëse Partizani i këtij sezoni është ende skuadra kampione në fuqi, nuk e ka atë forcën e frikshme të një kampioni. Këtë ata e ka treguar në kampionat ndaj e kishim menduar edhe kualifikimin. Nuk është surprizë për ne, pasi Besëlidhja e ka treguar veten ndaj tyre edhe para 3 sezonesh, por trajneri Elvis Plori ka ndërtuar një skuadër shumë të mirë, agresive, që di të sulmojë dhe të mbrohet shumë mirë.

BESELIDHJA

Shorti ju ka vënë përballë Tiranës, mendoni se edhe ajo do të ketë fatin e Partizanit? 

Ne objektivat madhore i kemi në kampionat, por tani po luftojmë në të dyja frontet dhe besoj se do të kemi rezultat. Të eliminosh Partizanin, nuk është e lehtë, tani jemi të barabartë me të gjitha skuadrat e Superiores. Ndaj, edhe kundër Tiranës do të luftojmë si të barabartë dhe për kualifikim.

Ndryshe nga Partizani, me Tiranën ndeshjen e parë e keni jashtë, a mendoni se ndryshon gjë kjo? 

“Ne do të luftojmë ashtu siç di Besëlidhja e këtij sezoni. Mjafton që ne dimë të shënojmë edhe jashtë kundër të mëdhenjve dhe kjo na bën optimistë, të tjerat do t’i tregojë koha.

 Ju i shënuat Partizanit për 5 minuta dhe nga një largësi e madhe, pothuajse nga mesi fushës, a ishte një goditje spontane apo e shënjestruat portën? 

Pasi arrita që ta rrëmbeja topin nga futbollistët e Partizanit, në ecje e sipër vura re portën të boshatisur dhe menjëherë e godita topin shumë fort. Nga përvoja ime këta topa nëse shkojnë në kuadrat, janë shumë të vështirë të llogariten nga portieri dhe për rrjedhojë përfundojnë në rrjetë.

Si u ndiet kur e patë topin në rrjetë? 

Pse ta fsheh, gëzimi ishte shumë i madh, jo se i shënova Partizanit, por ky gol ishte kualifikimi i padiskutueshëm. Jemi në Shqipëri dhe dihet se si manipulohen gjërat, vetëm këtë frikë kemi pasur.

Keni ndonjë rezervë në adresë të gjykimit?

Shumë. Gjykimi ka qenë i njëanshëm, vetëm për penalltinë nuk kam vërejtje, ishte. Golat ju i patë, nuk janë shënuar me sulme të mirëfillta, por me goditje standarde dhe me një penallti.

Së fundmi, ashtu siç e theksuat edhe ju, objektivat madhorë i keni në kampionat, por jeni në vend të dytë dhe për me tepër 5 pikë larg kreut. A mendoni se do ta kapërceni Kastriotin? 

Kuptohet se ne po luftojmë për Superioren. Ndaj po punojmë për këtë gjë dhe vëmendjen kryesore e kemi aty. Vendin e dytë nuk e mbajmë nga paraqitja jonë në fushën e blertë, por më shumë nga faktorë që nuk varen nga ne, përfshi edhe fatin. Në raport me skuadrën kryesuese dhe me rivalet direkte për ngjitje, ne jemi superiorë pasi u kemi marrë maksimumin e pikëve. Kjo nuk kërkon ndonjë analizë të madhe, faktet flasin vetë nga të gjitha pikëpamjet.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"