EKSKLUZIVE/ Rrapo Taho: Peng që nuk u arratisa, ju tregoj bëmat në Suedi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2020 | 0:30

EKSKLUZIVE/ Rrapo Taho: Peng që nuk u arratisa, ju tregoj bëmat në Suedi (E PLOTË)

Rrapo Taho propo zon që FSHF të marrë shembullin e kampionatit të vitit 1997, kur edhe pse gara rifilloi pas trazirave, për sezonin pasardhës asnjë ekip nuk ra nga kategoria. Ish-futbollisti i shquar i Flamurtarit mendon se kampionati shqiptar duhet të ketë 14 skuadra. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Taho prek edhe historitë e kaluara. Ai tregon si përfundoi duke kërcyer vallëzim me Kreshnik Çipin në Suedi në vitin 1991, si urdhëruan drejtuesit e Flamurtarit për të hequr në hotel fishat e kanaleve erotike, por edhe shoqërimin e ekipit nga dy femra agjente, që më vonë e kuptuan që po i ruanin të mos arratiseshin.97734616_705339960253229_7810386847976128512_n

Detaje të pathëna më parë, që në këtë periudhë pandemie kanë provokuar memorien e ishlojtarëve që u shpallën kampion me Flamurtarin 29 vite më parë. Fillimisht ishte Edmond Lutaj që hapi “lojën” e më pas foli Eqerem Memushi dhe tashmë në një rrëfim të jashtëzakonshëm ishmbrojtësi Rrapo Taho.

Mbani mend në karrierën tuaj si futbollist dhe si trajner që të jetë ndërprerë ndonjëherë kaq gjatë kampionati?

Jo, jo, nuk mbaj mend asnjëherë. Nuk ka ndodhur fare një gjë e tillë. Kampionati mund të jetë ndërprerë me ndonjë javë, kur ka pasur ndonjë festë apo ndonjë ditë zie. Është shtyrë për një javë, jo se është ndërprerë me muaj të tërë si tani. Është diçka e veçantë këtë herë.

98210213_1279978862206864_1242075632578330624_n

FSHF ka vendosur për rifillimin e kampionatit më 3 qershor, por pritet edhe miratimi i autoriteteve shëndetësore. Është kohë e mjaftueshme për ekipet?

Lojtarët kanë qenë gjithmonë në dispozicion dhe janë stërvitur individualisht. Kushtet që ata thonë për t’i plotësuar janë të drejta, pavarësisht si janë sot situatat. E mira është tani që kampionati të fillojë sa më shpejt. Jemi drejt stabilizimit të kësaj gjendjeje dhe mendoj që pas dy javësh do të ishte normale. FSHF dhe Ministria e Shëndetësisë janë në diskutim dhe këto raste bëhen për t’iu shmangur ndonjë situate jo të mirë shëndetësore. Por federata duhet të gjejë mundësinë për ta rinisur kampionatin sa më shpejt. Natyrisht që duhet të ketë edhe një mendim të përbashkët me Ministrinë e Shëndetësisë.

Trajnerë dhe drejtues klubesh kanë thënë se nuk mund të vazhdohet në këto kushte kur lojtarët kanë mbi dy muaj pa stërvitje. Jeni dakord me këtë ide?

Është shumë e vështirë nëse do të jetë ky mendim i përgjithshëm i klubeve, edhe pse data e kampionatit tashmë është vendosur. Unë pajtohem me vendimin e Holandës, me ndryshimin që të vazhdojë deri në fund, por të mos njihen të gjitha verdiktet e kampionatit.

97377508_612190419506569_6134463168530874368_n

Si të mos njihen verdiktet?

Të mos njihet ekipi kampion apo dalja nga kategoria, që për ne si Flamurtar do të jetë favor. Por, nuk ma merr mendja se do të ndodhë. Megjithatë, duhet të kemi një rrugëzgjidhje. Kanë mbetur edhe 10 ndeshje për t’u luajtur, kështu që gjykoj se kampionati duhet që të përfundojë, pasi janë edhe Kupat e Europës. Duhen përcaktuar ekipet që do të marrin pjesë në Europë patjetër.

Vetëm në vitin 1997 ka ndodhur që kampionati rifilloi pas trazirave dhe asnjë skuadër nuk ra nga kategoria…

Në vitin 1997 pati vështirësia, pasi u bë me sistem grumbullimi në Tiranë. Natyrisht që u ndërpre kampionati, por edhe ne kemi bërë stërvitje atëherë. Unë në ato vite kam qenë trajner te Flamurtari dhe pavarësisht problemeve, kemi bërë stërvitje paradite me frikë, gjithmonë në kohën e plumbave. Me sakrifica, por e kemi bërë. Le të ndiqet ajo procedurë e kampionatit të vitit 1997. Le të mbyllet si kampionat edhe këto 10 javë, por të mos zbresë nga kategoria asnjë ekip. I njëjti fenomen është. Atëherë ishte kohë lufte me armë e me plumba, ndërsa tani është me armik të fshehtë.

Në këtë periudhë pauze ka pasur edhe propozime për rritjen e numrit të klubeve. Mendoni se skema me 10 ekipe është ideale?
Unë mendoj që duhet të rritet. Kampionati duhet që të bëhet patjetër me 14 ekipe, të mos them me 16… Por, me 14 ekipe është më normale. Kështu e kemi pasur. Atëherë kishte rivalitet, ndërsa tani nuk po shohim ndonjë ndryshim të madh. E mira është që të jetë me 14 ekipe. Pse mendoni kështu? Sepse janë shumë ekipe me emër të madh si Berati, Elbasani, Kavaja, që janë qytete me tradita në futboll dhe nuk na vjen mirë që ndodhen në këtë situatë. Bashkitë duhet ta ngrenë me të madhe këtë problem me federatën, që të shtohet numri i ekipeve. Ne kemi hedhur mendimin dhe idenë tonë që të rritet numri i skuadrave në kampionat.
flamurtari
E prisje këtë situatë te Flamurtari, që tashmë është drejt rënies nga kategoria?
Ne nuk e prisnim dhe nuk e dimë se si erdhi kjo gjendje. Nuk duhet t’ia hedhim fajin presidentit, por që gjithmonë atij i bie në kurriz. Por, natyrisht edhe bashkia duhet që të kishte marrë masat sa më shpejt. Ne nuk kemi rrugë tjetër tani, nuk kemi zgjidhje. Detyrimisht kemi dalë nga kategoria. Se si do të vazhdojë më pas, nuk e dimë. Përgjegjësia bie mbi stafin e Flamurtarit. Presidenti dhe bashkia mbajnë përgjegjësi për rënien e ekipit nga kategoria.

Të rikthehemi pak në vitin kur Flamurtari doli kampion dhe luajti në Suedi ndaj Goteborgut. Ju provokuan me filma erotikë në hotel?
(Qesh) Ashtu ishin stacionet televizive atje, jo se na i vendosën ata për të na dëmtuar. Por, masazhatori ynë, Asllanaj, na tha: “Provokacion, na i kanë vënë kastile që ne të prishim regjimin”. Atëherë stacionet televizive në Suedi kishin filma erotikë, por jo se na e kanë bërë qëllimisht ne.
edmond lutaj
Gjithsesi, ish-lojtari i Flamurtarit, Lutaj, ka thënë se ekipi e gdhiu duke parë këta filma…?
Po, po, natyrisht që kam parë edhe unë (qesh). Por, ishim të gjithë bashkërisht, secili në dhomat e tyre. Drejtuesit tanë kërkuan që të hiqej fisha e kanaleve erotike në dhomat e lojtarëve, por disa nga këta djemtë tanë e kërkuan dhe i vendosën sërish. Megjithatë, edhe pse i pamë ata filma, ne dolëm mirë në fushë. Barazuam në takimin me Goteborgun, por nuk pati prishje regjimi.
lutaj
Çfarë kujtoni tjetër nga ai udhëtim në Suedi?
Kemi bërë shumë shaka atje. Më kujtohet që pasi mbaruam ndeshjen 0-0, dolëm të kënaqur. Pas ndeshjes shkojmë për t’u argëtuar në lokalet e natës. Kur shkojmë te lokali ynë, atje ishte një mbrëmje për moshën e tretë. Ishin turistë pensionistë. Na pëlqeu muzika. I them Kreshnikut unë: “Ore po na kënaq kjo muzika…”. Pastaj u ngritëm dhe vallëzuam të dy, unë dhe Kreshniku. Kur mbaruam, na duartrokitën të gjithë. Ishte një gjë e veçantë, por po të ishin këta drejtuesit tanë të regjimit, do të thoshin: “Çfarë është kjo”, do ta cilësonin një gjest të keq për sistemin tonë. Por ishin vitet 1990-1991 dhe ishte lëshuar çdo gjë, nuk ishte propaganda e keqe më.

Pas asaj ndeshjeje me Goteborgun nuk u kthyen në Shqipëri emra si Edmond Lutaj, Gramoz Murataj dhe Bashkim Shaqiri. E mbani mend momentin e ndarjes?
Po, ishte koha që do të zbrisnim nga autobusi për të shkuar në aeroport. Po shikonim se na mungonin tre veta, por thamë mos ishin nëpër dhoma. Shkuam në dhoma, nuk ishin aty. Nja dy shokët tanë e dinin, por nuk e shprehnin. Na vajti mendja, por jo për tre veta. Pritëm gati 20 minuta. Madje, në atë ndeshje na shoqëronin dy femra. Ato ishin police dhe kujdeseshin për ekipin tonë. Në fund e kuptuam që ato ishin agjente të kësaj pune, për të na ruajtur ne. Morëm në telefon drejtuesit tanë, por na erdhi përgjigjja që shokët tanë kanë kërkuar strehim politik. Pastaj u nisëm për në Shqipëri.

Ju personalisht e shkuat në mendje që mund të qëndronit në Suedi si tre shokët?
Unë asnjëherë nuk e kam menduar, të them të drejtën. Ishim edhe familjarë në atë periudhë, me fëmijë. Kurse ata ishin djem të rinj dhe beqarë. Unë dhe shokët e mi kemi pasur fatin e mirë që kemi dalë jashtë shtetit që 18-19 vjeç. Por, atëherë është bërë propagandë e tillë dhe kishe frikë se po të qëndroje, të internohej familja. Ishin shumë faktorë që nuk qëndroje dot. Edhe prindërit më thoshin: “Ki kujdes, se po mbete andej, do na marrësh në qafë dhe do na çojnë në fshat në internim”. Por, edhe ne i ruheshim njëritjetrit, pavarësisht se ishim në një ekip dhe ishim shokë e miq. Por, tani pas shumë kohësh që ulemi dhe diskutojmë, i themi njëri-tjetrit se si ka mundësi që nuk qëndruam ne në Suedi?! “Po pse nuk the ti”, më thonë ata tashmë. Unë i them: “Po pse nuk the ti…”. E kështu vazhdon ky muhabet. Me një fjalë asnjë nuk e gjente kurajon për ta thënë: “Ore, do qëndrojmë”. Edhe mund të qëndronim po të thoshte ndonjëri, por ne ruheshim nga njëri-tjetri, pasi po ta thosha unë, nuk i dihej, mund të dilte fjala dhe merrja veten në qafë.

Domethënë jeni bërë pishman që nuk qëndruat kur e mendoni sot me gjakftohtësi këtë ide?

Po, po, jemi bërë. Por, siç e thashë, ishin rrethana dhe kohë të tjera.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"