EKSKLUZIVE/ Rroga e majme, Odise Roshi firmos në Turqi. “Raketa” i bashkohet kolonisë shqiptare (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2021 | 14:11

EKSKLUZIVE/ Rroga e majme, Odise Roshi firmos në Turqi. “Raketa” i bashkohet kolonisë shqiptare (E PLOTË)

Një “raketë” shqiptare në Turqi! Nuk është titulli i një paralajmërimi për luftë, por kalimi i mesfushorit të Kombëtares shqiptare në futbollin turk.

ROSHI

“Panorama Sport” ka siguruar ekskluzivisht foton e mesfushorit të Kombëtares, teksa nga dashamirës të gazetës është parë në aeroportin e Stambollit gjatë pasdites së djeshme. Pritet që mesfushori sot të paraqitet në skuadrën e Ligës së Parë turke, Boluspor. Burime të sigurta i treguan gazetës se mesfushori do të firmosë një kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon, duke përfituar në total 250 mijë euro në vit.

ROSHI NË TURQI

Odise Roshi është një futbollist i lirë këtë verë. Prej disa javësh, ai është i lirë, pasi përfundoi kontratën me skuadrën nga rajoni i Çeçenisë, Akhmat Grozni. Futbollisti i Kombëtares deklaroi pak kohë më parë për gazetën se Turqia është një destinacion i mundshëm për të ardhmen e tij.

rOSHI

Dje, “Panorama Sport” ka siguruar një fotografi të mesfushorit, duke u akomoduar në aeroportin e Stambollit, në Turqi. Lidhur me këtë, burime të besueshme të gazetës kanë bërë me dije se destinacioni i tij ishte skuadra e Bolusporit.

DETAJET E FUNDIT DHE VIZITAT

Odise Roshi pritet që të transferohet në skuadrën ku Gentjan Selmani dhe Dejvi Bregu e presin për të formuar trion shqiptare. Gazeta ka mësuar se për mesfushorin fierak do të ketë një kontratë të majme, ku 30-vjeçari pritet të bëhet ndër më të paguarit në skuadrën e Ligës I, Boluspor.

Në karrierën e tij, Roshi së fundmi ishte i huazuar te Diosgiori në Hungari dhe në momentin e përfundimit të kësaj kontrate, u rikthye tek Akhmat Grozni vetëm për të tërhequr dokumentacionin. Me skuadrën çeçene Roshi qëndroi pesë sezone, tri të plotë dhe dy vite nga një gjysmë sezoni, duke numëruar 95 ndeshje dhe 11 gola në Superligën ruse. Më herët Roshi ka qenë pjesë e Rijekës në Kroaci për dy sezone dhe më parë, 3 vite te FSV Frankfurt në Gjermani i transferuar nga Këlni, ku zhvilloi dy sezonet e para jashtë Shqipërisë.

roshii

“RAKETA”

Roshi pësoi një dëmtim që e la jashtë fushës për disa muaj. Tanimë, Turqia do të jetë një pikë rinisjeje për mesfushorin e Kombëtares, i cili me fanellën kuqezi ka zhvilluar 61 ndeshje dhe ka shënuar pesë gola. Mesfushori ka qenë një ndër lojtarët më rezultativë për Kombëtaren, ku së bashku me Sokol Cikalleshin kanë udhëhequr shpesh kuqezinjtë.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"