EKSKLUZIVE/ Risia e Gegës te Partizani, formacionin “e bëjnë” lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2018 | 23:18

EKSKLUZIVE/ Risia e Gegës te Partizani, formacionin “e bëjnë” lojtarët

Partizani zhvilloi një minifazë përgatitore në Ohër, për të qenë në formë para dy ndeshjeve të Europa Ligës ndaj Mariborit. Gjatë grumbullimit, trajneri Skënder Gega zgjidhi edhe çështjen e kapitenit, pozicion që kishte mbetur pezull pas largimit të Idriz Bathës. Gega u kërkoi lojtarëve që të votonin për kapitenin dhe portieri Alban Hoxha arriti të zgjidhej me shumicë votash, duke marrë konsensusin e të gjithë ekipit. Por, nëse në këtë rast ka pasur konsensus, Gega u ka kërkuar futbollistëve edhe diçka tjetër.

Partizani

Burime të “Panorama Sport” pranë klubit të kuq kanë bërë me dije se trajneri i ka dhënë çdo lojtari një letër të bardhë, duke i kërkuar që të skicojë formacionin ideal të Partizanit dhe lojtarët për çdo rol. Në një situatë të tillë, futbollistët kanë mbetur pak ngushtë, pasi u duhej të vendosnin për veten e tyre, por edhe shokët e skuadrës, megjithatë e kanë plotësuar edhe këtë kërkesë të trajnerit dhe kanë vendosur për formacionin.

Por, për çudinë e të gjithëve, lojtarët që ishin vendosur më shumë herë në formacionet që vetë futbollistët kishin bërë në pozicionet se si e shikonin ata veten, ose shokët e skuadrës, kanë qenë në fushë në ndeshjen e parë ndaj Mariborit. Trajneri ka marrë për bazë idetë e ekipit dhe e ka hedhur në fushë pa asnjë dyshim këtë formacion. Të kuqtë bënë një paraqitje të mirë dhe humbën me rezultat minimal.

Ajo që ra në sy në ndeshjen e parë ishte mungesa e Bardhit në formacionin titullar, që mesa duket nuk është preferuar në masë nga shokët e skuadrës. Por, ndryshe nga ndeshja e parë, në takimin që do të luhet nesër trajneri i të kuqve ka vendosur që të bëjë disa ndryshime në 11-shen bazë, i detyruar edhe nga mungesa e Belicës.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"