EKSKLUZIVE/ Ringritja e Luftëtarit vjen me Xhumbën dhe Haxhin, Hysi: Ju tregoj planin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2021 | 19:37

EKSKLUZIVE/ Ringritja e Luftëtarit vjen me Xhumbën dhe Haxhin, Hysi: Ju tregoj planin

Zgjati pak muaj aventura e AF Luftëtarit në Kategorinë e Tretë. Bluzinjtë u ngjitën direkt dhe tashmë janë duke punuar për sezonin 2021-2022. Objektivat janë të qartë edhe për Kategorinë e Dytë, ndërsa do të synohet direkt kalimi në Kategorinë e Parë. Rrugëtimi këtu do të jetë disi më i vështirë, megjithatë klubi po merr që të gjitha masat.

Luftetari kampion logo

Një pjesë e mirë e grupit do të ruhet, por nuk do të mungojnë as afrimet cilësore. Është Mustafa Hysi ai që shpalos projektin dhe ndryshimet që do të ketë në strukturë. Në një bisedë me “Panorama Sport”, drejtori teknik rrëfen:

mustafa hysi

“Pas bisedimeve dhe konsultimeve të njëpasnjëshme me kryetarin e bashkisë, Flamur Golemi, kemi arritur në emëruesin e përbashkët që, AF Luftëtarit t’i bashkohen emrat e njohur të futbollit gjirokastrit. Altini, një nga ‘pinjollët’ e fundit të familjes Xhumba, do të jetë drejtori teknik i AF Luftëtarit.

lUFTETARI

Altin Xhumba dhe Altin Haxhi kur ishin të dy pjesë e Luftëtarit në vitin 1995

Ai është një aset i shtuar për ekipin dhe kontributi i tij nuk ka munguar kurrë, edhe pse nga ish-ët është lënë në harresë”, tha fillimisht Hysi që sqaron dhe pozicionin e tij në vazhdimësi.

VAZHDIMËSIA

Më tej, Hysi ka shpjeguar projektin dhe si do të jetë skuadra gjirokastrite sezonin e ardhshëm. “Kryetari i bashkisë më ka besuar vendin e administratorit të AF Luftëtarit, i cili do të jetë modeli për t’u marrë shembull. Për të gjithë opinionin gjirokastrit, dua të theksoj se do t’u jepet fund miqësive dhe ryshfeteve te moshat. Fëmijët e grup-moshave nga U-7 deri në U-19 nuk mund të paguajnë lekë për udhëtime dhe fjetje.

mystafa hysi

Do të ketë thjesht një tarifë mujore, pasi të gjitha akademitë e moshave në dijeninë time kështu funksionojnë. Jam dhe mbetem ‘partizan’ i mosabuzimit me fëmijët. Do të ketë ‘revolucion’ tek akademia. Drejtuesit e mëparshëm, emrat e të cilëve s’dua t’i përmend, i ‘degdisën’ trajnerët e moshave. Gazmend Bimi aktualisht stërvit më shumë se 30 fëmijë në Dropull. Do ta rikthejmë tek AF Luftëtari”, nënvizoi Hysi.

DONATORËT

Sapo lajmi i shpërbërjes së Luftëtarit mori dhenë, ata që fanellën bluzi, por edhe të ekipit kombëtar e kanë përfaqësuar me dinjitet, u ndien keq. Ish-i i Luftëtarit, Altin Haxhi, është një prej atyre që e ka vuajtur “poshtërimin” e fanellës bluzi. Aktualisht drejtor teknik i akademisë së klubit të madh bullgar, CSKA Sofje, Haxhi shumë shpejt pritet t’i dhurojë AF Luftëtarit dy kontejnerë lëvizës për ekipet e moshave.

pjimage (2)

Është administratori Mustafa Hysi ai që e bën të ditur për gazetën këtë. “Në kohën më të afërt do të udhëtoj në Bullgari për të takuar Altinin, ish-lojtarin dhe mikun tim. Nuk është pak të kemi dhe ne dhoma zhveshjeje të këtij lloji. Jo vetëm Altini, por edhe shumë miq e dashamirës të futbollit gjirokastrit na janë afruar dhe do t’i afrohen kauzës sonë, ngjitjes së Luftëtarit aty ku i takon”, përfundoi Hysi.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"