EKSKLUZIVE/ Rikthimi te Maqedonia e Veriut dhe urimi nga Naingolan, rrëfehet Agim Ibraimi: Me Kukësin dua që… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2021 | 15:27

EKSKLUZIVE/ Rikthimi te Maqedonia e Veriut dhe urimi nga Naingolan, rrëfehet Agim Ibraimi: Me Kukësin dua që… (E PLOTË)

Gjermani-Maqedoni e Veriut 1-2, 31 mars 2021. Në fushë nga minuta e parë ishin katër shqiptarë (Enis Bardhi, Ezgjan Alioski, Visar Musliu dhe Arijan Ademi), ndërsa nga stoli e nisën edhe Egzon Bejtullai, Ferhan Hasani dhe Agim Ibraimi. 

Ibraimi

Pas kualifikimit për herë të parë në finalet e një Europiani, Maqedonia arriti një triumf historik në fushën e katër herë kampionëve të botës.

E mërkura e 31 marsit do të mbahet mend gjatë edhe nga kapiteni i Kukësit, Ibraimi, pavarësisht se nuk arriti të aktivizohej ndaj Gjermanisë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, fantazisti rrëfen të veçantat e natës magjike në Duisburg, sekretet e kombëtares ku bën pjesë, fjalimin e kapitenit Goran Pandev, por edhe dëshirën që ka në këtë fund sezoni.

Agim, duket ende e pabesueshme që Maqedonia e Veriut mposhti Gjermaninë…

Po, është e vërtetë. Kam diskutuar për këtë me shokët e ekipit edhe para ndeshjes. Pra, nëse ne mund të bënim një mrekulli në Duisburg dhe për më tepër ndaj një Gjermanie kampione bote, që kishte 20 vite që nuk humbte në fushën e vetë një ndeshje kualifikuese. Ishte një fitore e madhe, historike dhe e papërsëritshme. Kjo ia ka rritur të gjitha vlerat futbollistëve që aktualisht mbajnë veshur fanellën e Maqedonisë.

Çfarë kishit biseduar me shokët para kësaj ndeshjeje?

Të them të drejtën, dukej që Gjermania na kishte nënvlerësuar. Si të thuash, na kishte lënë paksa anash… Ekipi ynë e kishte të qartë, që pa bërë një lojë në grup ndaj kësaj skuadre të madhe, nuk mund të shpresonte në asgjë. Maqedonia luan mirë ndaj rivalëve me shumë emër, pasi edhe motivi është më i madh kundër tyre. Me bindje ju them, se nuk ekzistonte ndjenja e frikës te ne. Pra, meqë është Gjermania dhe ne duhet të mbylleshim në mbrojtje. Kishim një ndjesi pozitive, që ndoshta dukej si një çmenduri. Po ju zbuloj se para ndeshjes kapiteni ynë, Pandev, na mblodhi dhe na tha: “Unë besoj në mrekulli, kështu që duhet të futemi të luajmë siç dimë ne, sepse do të ndodhë patjetër diçka e mrekullueshme sot. Të besojmë të gjithë te kjo…”.

Kohët e fundit më shumë është folur për polemikat e kapitenit Pandev me presidentin e Federatës së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini, por duket sikur nuk kanë ndikuar aspak në skuadër apo jo?

Jo, ekipi është në unitet. Edhe Pandev bashkë me krerët e Federatës do ta gjejnë gjuhën e përbashkët për paqartësitë që kanë. Nuk shoh diçka alarmante.

Ju nuk luajtët asnjë minutë, por ishit pjesë e stolit në këtë takim. Është edhe ky një tregues se pse Maqedonia ka kapur këto nivele?

Personalisht kam qenë pjesë e kombëtares së Maqedonisë në ditët më të këqija të saj. Mesa kujtoj, kemi qenë vite më parë në vendin e 122 apo 132 në renditjen e FIFA-s. Duke luajtur në kohët më të vështira, mbaj mend që atëherë mundoheshim të krijonim harmoni në skuadër, në mënyrë që të arrinim rezultate. Prej asaj kohe, Maqedonia nisi të konsolidohej. Ishte një rrugëtim që futbollistët ia dolën të shkonin te ky sukses dhe shkak kryesor ishte harmonia, pasi kualitetet nuk kanë munguar kurrë në skuadër.

Ibraimi

Vetëm ky është sekreti i kësaj skuadre?

Gjëja më kryesore dhe më e sigurt e kësaj Maqedonie është se 90 % e futbollistëve janë aktiv në klubet nga vijnë për momentin. Kjo mendoj se bën diferencën tani, sepse në vitet 2012-2013 mbaj mend që disa ishin aktiv dhe të tjerë jo me ekipet e tyre. Kjo i dha një ngritje të madhe aktualisht Maqedonisë, pasi ndikoi edhe klima shumë e mirë në grup. Me meritë jemi në këto nivele, pasi kemi lojtarë si Bardhi në Spanjë, Alioski në Angli apo Arjan Ademi dhe Ristovski që janë me Dinamo Zagreb në çerekfinale të Ligës së Europës. Pa harruar këtu Pandev, që përtej moshës, luan me dinjitet në Serinë A.

Rikthimi juaj në kombëtare përkoi edhe me këtë sukses. Sa krenar ju bën fakti që jeni pjesë e një ekipi, që ka shumë lojtarë të tjerë shqiptarë?

Pa diskutim që mua më bën mirë ky rikthim. Ekipi është super dhe gjatë gjithë kohës kemi mbështetur njëri-tjetrin. Kjo u pa edhe në ndeshjen e fundit, ku të gjithë ishim grup. Kushdo që luan, qoftë edhe një minutë, jep atë maksimumin e vet. Unë ndiej respekt maksimal nga ana e të gjithëve në Maqedoni, duke filluar nga stafi, federata dhe tifozët. Ne jemi futbollistë dhe nuk duhet të bëjmë dallimin se nga jemi dhe si jemi. Sot nuk luan as mosha dhe as kombësia, por ajo që tregon në fushë. Rezultatin e tregon fusha dhe të gjithë pa marrë parasysh nëse janë shqiptarë, maqedonas apo turq, suksesi është i përbashkët.

Ju e shihni veten pjesë të rëndësishme të ekipit?

Natyrisht, kjo as që diskutohet. Unë kam 12 vite që luaj për Maqedoninë, por aktualisht mua më kënaq fakti që po kaloj një formë të mirë. E rëndësishme është që ta mbyll këtë sezon duke qenë në maksimumin tim me Kukësin dhe të vazhdoj me gola. Pastaj, pse jo të mos jem në Europian. Nëse me jepen edhe 5 minuta apo 10 minuta, unë do të bëj maksimumin tim. Këtë e di trajneri, por unë jam i gatshëm.

E ndieni se trajneri do të besojë te ju, duke ju grumbulluar në finalet e Europianit?

Patjetër. Igor Angelovski më njeh mirë, sepse në fillimet e mia ka qenë edhe zv.trajner i ekipit. Gjithmonë më ka mbështetur. Ka bërë një sukses madhështor në krye të ekipit dhe ai meriton vetëm më të mirën pas këtij rezultati të paparë ndonjëherë në historinë e Maqedonisë.

Mes atyre që ju uruan në fotot e postuara pas ndeshjes në rrjetet sociale, ishte edhe mesfushori belg, Raxha Naingolan…

Po, e kam mik dhe gjithmonë kemi qenë bashkë kur luanim të dy te Kaljari në Serinë A. Edhe kur ika nga Italia, i kam ruajtur kontaktet me Naingolan. Të njëjtën gjë mund të them edhe për ishkapitenin historik të Kaljarit, Daniele Konti, si dhe drejtorin sportiv aktual të klubit. Kam lënë shumë miq në Itali. Natyrisht këtu luan pak rol edhe karakteri. Unë gjithmonë mundohem të jap më të mirën në fushë, por edhe jashtë saj, ku dua të jem me një karakter të drejtë. Me Naingolan kemi qenë gati çdo ditë bashkë në Itali. Ia urojmë sukseset njëritjetrit gjithnjë…

Ibraimi

Ka pasur ndonjë mesazh tjetër që ju ka bërë përshtypje pas ndeshjes?

Edhe pse unë nuk kam qenë në fushë ndaj Gjermanisë, po bënim shaka me djemtë e ekipit, duke u thënë se edhe pse nuk kam luajtur, kam marrë me qindra “SMS”. Mendo të luaja dhe të bëja gol, çfarë do të ndodhte… (qesh).

I kërkuat fanellën ndonjë prej yjeve të Gjermanisë pas ndeshjes?

Jo, sepse tani edhe nëse do të dëshiroja unë, nuk na lejohet të ndërrojmë fanellat me rregullat e reja prej Koronavirusit. Kemi qenë gjithë kohës në mbikëqyrjen e zyrtarëve të UEFA-s dhe prandaj nuk mund të afroheshim me rivalët tanë. Thjesht i kam marrë dorezat portierit tonë, Dimitrievski, për t’i pasur si kujtim nga kjo ndeshje. Në shtëpinë time kam bërë një koleksion me sende të rivalëve dhe prandaj këtë herë zgjodha të merrja dorezat e portierit tonë.

Cila është premioja që Federata e Maqedonisë ju premtoi pas kësaj fitoreje historike?

Nuk kemi ende diçka të konfirmuar, edhe pse qarkullojnë shumë shifra. E dimë pak a shumë sa, por sinqerisht nuk mund ta them me saktësi.

Nga pjesë e një momenti magjik në Gjermani, tashmë jeni rikthyer në Shqipëri dhe të dielën luani me Kukësin kundër Skënderbeut. Një realitet tjetër apo jo?

Me lojërat e mira në ekipin ku je, bën që të jesh edhe në Kombëtare. Nëse nuk do të jepja maksimumin te Kukësi, atëherë nuk do të isha sot pjesë e Maqedonisë. Unë në çdo skuadër ku kam qenë, jam munduar të jem maksimalisht i sinqertë dhe të sakrifikoj. Ka pasur raste kur kam luajtur i dëmtuar edhe te Kukësi. Rëndësi ka që të fokusohemi tek ekipi dhe të fitojmë ndaj Skënderbeut. Dua të kem sukses me Kukësin dhe më pas të shkoj në Europian me Maqedoninë.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"