EKSKLUZIVE/ Rikthim pas shumë kohësh në fushë, Bogdani: Ja çfarë bëmë pas ndeshjes (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2020 | 14:40

EKSKLUZIVE/ Rikthim pas shumë kohësh në fushë, Bogdani: Ja çfarë bëmë pas ndeshjes (E PLOTË)

Shtatë vite më parë, Erjon Bogdani pati shënuar golin e fundit me Kombëtaren shqiptare. Të premten, bomberi rekordmen i kuqezinjve realizoi golin e barazimit, pikërisht përballë ekipit të veteranëve italianë dhe ish-shokëve të skuadrës së tij. Pas turneut të bamirësisë, Erjon Bogdani, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka rrëfyer emocionet e rikthimit në dhomat e zhveshjes, ritakimin me miqtë dhe ngacmimet nga Françesko Koloneze, ish-lojtari i Interit.BOGDANI

Bogdani, u rikthyet që të luani në tokën e ish-“Qemal Stafës”. Çfarë ndjesie ishte?

Ishte vërtet kënaqësi e madhe që luajtëm në një stadium të tillë, të ri në Shqipëri. Mbi të gjitha, për faktin se bëhej fjalë për një kauzë të rëndësishme që i takonte popullit shqiptar, për të shprehur edhe një herë të gjithë së bashku solidaritetin kundrejt njerëzve të prekur nga tërmeti.

Realizuat një gol prej bomberi të vërtetë me veprimin brenda zonës. Si ishte ai moment dhe festimi?

Ehh… Ishte si një rikthim në kohë. Madje, me shokët që i kisha përballë dhe me të cilët kam luajtur në një skuadër.

Çfarë kujtuat me shokët italianë para dhe pas ndeshjes?

Biseda normale, të përgjithshme, të zakonshme, për jetën, familjet respektive.. Ata flisnin shumë për ndryshimet që ka bërë Shqipëria, si dhe nuk mungonin komplimentet për stadiumin e ri.

Cilat ishin opinionet e tyre për Shqipërinë?

Normale që pozitive, sepse ndryshimi është i dukshëm. Vihet re, sidomos për ata që vijnë nga jashtë. Sigurisht që kishin edhe falënderime për mikpritjen që gjetën këtu te ne.SHQIPERIA E LEGJENDAVE

Çfarë ju thanë ish-shokët për golin?

Si italianët (qesh). Thanë fillim që ishte faull. Pastaj në pozicion jashtë loje (qesh), pastaj për kohën që kishte mbaruar ndeshja.

Nuk kishit një përgjigje për ta?

Patjetër që po. I thashë Kolonezes që t’i kam bërë golat përditë në stërvitje e ndaj s’e kam problem të ta shënoj edhe në ndeshje (qesh). Vërtet emocione shumë të bukura. Madje edhe ngacmime gjatë ndeshjes, se më thoshte që nuk do prekësh top asnjë sekondë.

Goli i fundit, ai i rekordit me Kombëtaren, para thuajse 7 vitesh në 6 shkurt 2013. A e kujtoni?

Po e kujtoj, por edhe pse jo 100%. Kujtoj që më ka ardhur një top në mes të fushës, kam bërë lidhjen e lojës duke pasuar në anësore, në të majtë. Unë vrapova drejt zonës, por tani nuk e kujtoj se cili më krosoi dhe shënova me kokë 1-0 për Shqipërinë. E bëra edhe unë komentatorin (qesh).

… Dhe një gol prej bomberi ndaj Italisë, ku pavarësisht peshës, instinkti brenda zonës ishte prezent…

Po, qëndron, por duke kaluar vitet dhe duke u zbehur (qesh).

Bogdani, si ishte ndjesia në dhomat e zhveshjes kur u ritakuat me shokët si dikur?

Ishte vërtet një gjë shumë e bukur. Batuta dhe të qeshura si dikur, duke kujtuar kohët që kemi kaluar duke luajtur së bashku për vite me radhë. Për këtë dua që të falënderoj Sindikatën e Futbollistëve dhe presidentin e saj, Andi Lilën, për këtë organizim. Uroj të ketë shërbyer për të ndihmuar sadopak njerëzit që kanë nevojë.

Pikërisht për organizimin dhe sidomos për listën e lojtarëve të Shqipërisë, ka pasur kritika nga Agustin Kola, Rudi Vata, Altin Haxhi etj., që nuk janë bërë zgjedhjet me meritë. Ju si mendoni?

Jo, nuk kam një koment për çfarë është thënë. Mirëpo, atyre dhe shumë futbollistëve të tjerë që kanë luajtur për Kombëtaren nuk u mohohet kontributi që kanë dhënë për përfaqësuesen. Shumë vende e kanë një ekip legjendash.

A ishte ky organizim një pikënisje për të pasur edhe Shqipëria një të tillë?

Shpresoj vërtet që të jetë një pikënisje dhe me çfarë lexova edhe në intervistën e gazetës suaj në numrin e djeshëm nga Shulku, FSHF-ja po e diskuton diçka të tillë. Shpresoj që të bëhet sa më shpejt realitet.

Pas kaq vitesh, si ishte ta nisnit një ndeshje nga stoli dhe çfarë menduat kur nisi loja?

Pas kaq shumë vitesh, ishte mëse e domosdoshme që ta nisja nga stoli (qesh). Megjithatë, sapo nisi shpresoja që të isha vendimtar në ato minuta që do të zbrisja në fushë. Festë pas ndeshjes në klubet e natës.

Traditë e zakonshme, apo më e lehtë sepse nuk kishit trajner për t’i dhënë llogari të nesërmen?

Po, edhe kjo mund të jetë (qesh). Në fakt, nuk ishte festë, por qëndruam akoma me njëri-tjetrin pas ndeshjes. Madje, duke e marrë edhe trajnerin Shulku në klub (qesh).

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"