EKSKLUZIVE/ Revolucion i madh te Dinamo! Nga lëvizjet në staf te lojtarët, priten ndryshime rrënjësore pas dështimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2022 | 20:52

EKSKLUZIVE/ Revolucion i madh te Dinamo! Nga lëvizjet në staf te lojtarët, priten ndryshime rrënjësore pas dështimit

Me humbjen në derbin me Partizanin, blutë “vulosën” rënien në Kategorinë e Parë dhe tani pritet vetëm fundi i kampionatit për ndryshimin radikal në skuadër, siç kanë paralajmëruar trajneri Rodolfo Vanoli dhe drejtuesit e klubit.

DINAMO

Ndryshime që do të prekin si grupin e lojtarëve, por edhe stafin teknik të Dinamos.

“Panorama Sport” mëson se në klubin e Dinamos ka nisur që tani puna për skuadrën e sezonit të ardhshëm, që duhet të jetë e kompletuar në çdo aspekt.

XHAFA – Trajneri Rodolfo Vanoli është i konfirmuar në stolin e Dinamos. Të paktën për momentin.

Ai ka kontratë edhe për dy sezone të tjera me blutë dhe tashmë do të ketë detyrën për të ndërtuar një Dinamo të re, që të mos e vënë në diskutim rikthimin në Superiore.

Burime të gazetës bëjnë me dije se pjesë e ndryshimeve do të jetë edhe stafi i italianit, të cilit do t’i bashkohen bashkëpunëtorë nga vendi përtej Adriatikut, por edhe ndonjë shqiptar.

Një emër që përflitet për t’iu bashkuar projektit të Dinamos së re është ai i Fjodor Xhafës, ish-sulmuesit të shpallur kampion me blutë, aktualisht pjesë e klubit të Flamurtarit në akademi.

Gjithçka mbetet për t’u parë, nëse Fjodor Xhafa do të afrohet vërtet dhe pastaj cila do të jetë detyra e tij te Dinamoja.

Nëse ky bashkëpunim realizohet, me siguri do të jetë i mirëpritur nga tifozët, të cilët kërkojnë dinamovitë në klub.

LARGIMET – Pesë ndeshjet e muajit maj ndoshta do të jenë edhe si një test për shumë lojtarë dhe pritet që trajneri italian të aktivizojë më tepër elementë të rinj.

Revolucioni është i pashmangshëm dhe në fakt ai ka nisur nga trajneri Vanoli, i cili gëzon besimin e klubit. Italiani, me vendimet e fundit, ka lënë të kuptohet se cilët janë lojtarët që nuk bëjnë pjesë në planet e tij.

Dy emrat e parë të listës së atyre që do të largohen janë zbuluar tashmë. Për Sofranak ka pak kohë që dihet qëndrimi i Vanolit, e ka bërë të ditur edhe publikisht.

Ndaj Partizanit malazezi nuk ishte as në stol, po ashtu edhe braziliani Denison. Ky i fundit nuk preferohet nga trajneri dhe me qëndrimin e italianit, largimi i tij është i sigurt.

Janë vetëm dy emrat e parë të kësaj liste, që në fakt pritet të jetë e gjatë. Më të rrezikuarit për t’u larguar janë lojtarët me moshë të madhe, pasi Vanoli është një trajner që parapëlqen të punojë me të rinjtë.

Në anën tjetër, edhe ky grup lojtarësh presupozohet se do ta ketë të vështirë që të luajë në Kategorinë e Parë, edhe pse bëhet fjalë për një emër të madh si Dinamo.

Dhe këtu fjala është për lojtarë si Ibraimi, Lilaj, Imami, Siljanovski, Demiri, Rexhinaldo apo ndonjë tjetër.

TË TJERËT – Ata që do të qëndrojnë te Dinamo nga skuadra aktuale do të jenë të paktë. Portieri Simoni, mbrojtësi Mija, mesfushori Fejzulla apo Rimal Haxhiu e ndonjë tjetër janë ndër emrat e parë që mund të futen në listën e atyre që do të qëndrojnë.

Por duhet theksuar se situata është shumë e komplikuar, duke qenë se në mes janë kontratat e firmosura nga lojtarët me klubin, apo edhe ndonjë shitje e mundshme, siç mund të jetë rasti i portierit Simoni.

Gjithçka mbetet për t’u parë deri në fund të majit, e sigurt është se largime do të ketë shumë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"