Ekskluzive/ Replikoi në stërvitje, Mema pezullon anglezin Ngo (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2018 | 23:01

Ekskluzive/ Replikoi në stërvitje, Mema pezullon anglezin Ngo (E PLOTË)

Zyrtarisht sipas klubit me probleme në gju, por Majkëll Ngo është pezulluar 24 orë nga stërvitja e Tiranës. Vendimi erdhi pas një fërkimi që anglezi ka pasur me trajnerin e Tiranës, Ardian Memën gjatë së martës.

ngoo

Ka qenë anglezi ai që ka thënë disa fjalë më tepër dhe pas ngjarjes Atinga-Imami, dhe pas një debati me trajnerin, dje futbollistit të sulmit i është komunikuar një pezullim 24-orësh. Ishte vetë trajneri Ardian Mema ai që i ka komunikuar vendimin, si grupit dhe vetë futbollistit në veçanti. Mema para stërvitjes së djeshme ka folur 15 minuta në fushën e “Skënder Halilit” dhe më pas së bashku me një nga fizioterapistët, Tedi Maqellarën, i ka komunikuar vendimin e tij sulmuesit anglez.

Vendimi zyrtar ka qenë se Majkëll Ngo, meqenëse ka replikuar me trajnerin Ardian Mema do të dënohet 24 orë larg skuadrës, pra nuk u stërvit të mërkurën me ekipin, por do të jetë sot në stërvitje. Dënimi mund të kishte qenë edhe më i rëndë nga ana e trajnerit, por anglezi ka kërkuar falje dhe në këto kushte, Mema e ka kaluar me kaq këtë ngjarje, sigurisht, duke i referuar presidentit Refik Halili çështjen, i cili ka fuqi të tjera vepruese.

ardian mema

NGO – Anglezi menjëherë sapo ka marrë vesh për dënimin është njoftuar edhe për punën që do të bënte në seancën e djeshme stërvitore. Ai u fut në palestër për rreth 40 minuta dhe mori ngarkesë fizike, ndërsa më pas bëri edhe një xhiro vrap rreth fushës së “Skënder Halilit”. Pjesën e fundit të stërvitjes e ndoqi në pankinë së bashku me stafin mjekësor.

KLUBI – Zyrtarët e klubit të pyetur dje nga “Panorama Sport” bënë me dije se lojtari ka një problem të vjetër në gju dhe nuk është stërvitur me grupin. Gjithsesi, Ngo jo vetëm që ishte shumë mirë, por për gjatë gjithë kohës mbante të veshur këpucët me taka, ndryshe nga lojtarët që dëmtohen dhe gjithmonë veshin atlete vrapi. Burime shumë konfidenciale në stafin bardheblu bënë me dije se lojtari është pezulluar 24 orë, për shkak të reagimit që lojtari bëri ndaj stafit të ekipit. Gjithsesi, dënimi këtë herë është vetëm njëditor, por në gafën e dytë nuk ka më tolerime.

OLSI AVDIAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"