EKSKLUZIVE/ “Rënia e Flamurtarit dështimi im, pres deri më 31 korrik”, Idrizi: Të vijë kush e bën më mirë se unë, do paguaj borxhet dhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2020 | 23:55

EKSKLUZIVE/ “Rënia e Flamurtarit dështimi im, pres deri më 31 korrik”, Idrizi: Të vijë kush e bën më mirë se unë, do paguaj borxhet dhe…

Sinan Idrizi deklaron se rënia e Flamurtarit në Kategorinë e Parë është dështim i tij. Por nga ana tjetër, administratori shprehet se është krenar që qytetit nuk i ka marrë nga taksat asnjë dollar në këto 6 vite. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Sinan Idrizi thotë se beteja e humbur në fushë nuk mund të fitohet në tavolinë. ‘Nuk është normale të lësh një ekip të bjerë një kategori më poshtë pasi është menaxhim i të gjithë qytetit dhe jo menaxhim i një biznesi privat. Nga njëra anë e them me zë të lartë që qytetit nuk i mora një dollar nga taksat e tij, por nga ana tjetër, është një dështim imi. Dështimi është imi! Nuk ka më histori këtu, jo bashkia, jo kjo, jo ajo. Të gjithë i bënë punët mirë, të gjitha ishin përralla, nuk kishte Flamurtari asnjë detyrim për të paguar. Nuk di kujt t’i them o vëlla. I kam thënë disa herë atij që komenton nga ‘Facebook’ për detyrimet që ka (i referohet Shpëtim Gjikës). Nëse nuk e bën të më thotë, nuk është i tiji, është i institucionit të bashkisë, të më thotë që ta di kush e bën”, shprehet fillimisht administratori.Sinan-Idrizi

Sinan Idrizi takoi kryeministrin Edi Rama gjatë fundjavës në Vlorë. Por a i ka kërkuar administratori ndihmë kryeministrit për të ndërhyrë te FSHF për rritjen e numrit të skuadrave me qëllim që ekipi të mos bjerë nga kategoria? “Të hyjë Rama mik te FSHF për të rritur numrin e ekipeve në Superiore? Nuk e paskeni njohur Ramën. Jo, mos e kërkoni ta bëjë kurrë as Rama dhe as unë këtë. Një betejë e humbur në fushë nuk fitohet në tavolinë. Harroje këtë! Vërtet jam dështak, por nuk jam zvarranik unë”, tha Idrizi.

GARA

Sinan Idrizi deklaron se në javët e mbetura Flamurtari do të respektojë garën dhe se nuk do të tolerojë asnjë ekip. “Në këto 6 vjet mund të më thuash 1001 të meta, por për batakçi, për shitje e blerje ndeshjesh, nuk ma thotë dot askush. Rezultatet në kohën që kam qenë unë te Flamurtari i kemi më tepër se zhgënjyese, por nuk ka shanse që ne të kemi toleruar një ndeshje. Do të luajmë si në një kampionat normal sikur nuk ka përfunduar asgjë. Nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj kujtdo ekipi që vjen dhe ikën. Nuk luajmë për asnjë, luajmë vetëm për fanellën tonë. Unë nesër (sot) do të bëj një mbledhje me skuadrën, pikërisht për këtë gjë. Do të luajnë të gjithë këta djemtë tanë të akademisë së Vlorës që ankohen lart e poshtë që nuk kanë pasur hapësira te Flamurtari dhe të gjithë të tjerët. Do të japim maksimumin me aq mundësi sa kemi, por tolerimin harrojeni”, u shpreh administratori.Idrizi-750x430

E ARDHMJA

Sinan Idrizi deklaron se do të rishikojë qëndrimin e tij më 31 korrik kur i përfundon edhe kontrata. Por nëse nuk do të afrohet asnjë tjetër, thotë se do të vijojë ta financojë ekipin edhe në Kategorinë e Parë. “Dështuan nga ana sportive, por më 31 korrik kur të hapet historia për menaxhimin e Flamurtarit për sezonin e ri, ose ta mbajë bashkia, ose ndonjë privat që ka shumë mundësi, por dua të mos e gjejë me borxhe. Unë kam thënë se nëse nuk vjen dikush të japë ofertën dhe nëse ka ligj sporti unë do të hyj, në të kundërt jo. Kam dështuar, ka të tjerë që e bëjnë më mirë këtë punë. Por nëse nuk del askush dhe nëse ligj sporti nuk kam, unë do ta financoj Flamurtarin, nuk e lë kështu. E lë unë ekipin në një kategori më poshtë dhe të mos reagoj? Jo, nuk e bëj. Nëse ka dikush që e bën, unë nuk do të jem. Nëse nuk ka të tjerë, do të jap ofertën e parë. Nëse nuk vjen dikush, vitin tjetër unë buxhetin ia garantoj 100% Flamurtarit. Problemi është që pa ligj sporti unë nuk kam të ardhme, pasi do të dëgjojmë të njëjtën histori. Kemi ardhur për bërë një projekt të madh, kemi 6 vjet që po presim për një ligj sporti që nuk po bëhet dot”, deklaroi Idrizi.

TAKIMI

Administratori Sinan Idrizi thotë se sot do të takojë kryetarin e bashkisë, Dritan Leli, për të zgjidhur çështjen e zhbllokimit të llogarive bankare, pasi kërkon të zerojë detyrimet. “Do takoj nesër (sot) kryetarin e bashkisë. Do t’i shkoj në zyrë për të diskutuar për çështjen e bllokimit të llogarive bankare pasi unë dua të bëj pagesat, ta lë klubin më 31 korrik me zero detyrime. Unë e di që kryetari do të më thotë se këto detyrime nuk janë në sistem, por si do ta zgjidhim këtë gjë? Thonë se kjo është jashtë limitit, ajo është jashtë limitit, por ai që e ka firmosur duhet që t’i dalë zot. Do t’i them kryetarit kemi këtë problem, janë bllokuar kontot, tani si do të bëhet? Do t’i them Lelit që ky burri që ka firmosur, është komentator dhe nuk merr gjë përsipër? Unë e di që ka qenë kryetar i bashkisë. Ka pasur dëshirën të bënte një ekip të madh, një ekip legjendë. Puna e tij… Tani kam dy konto të bllokuara për këtë rast. Unë kam plot detyrime dhe borxhe të miat për të paguar. Tani të vijë dikush ta zgjidhë se unë dua të paguaj lekët. Çudi e madhe kjo punë! Nuk janë të mëdha. 4 mijë e 800 euro një dhe 7 mijë e ca euro një tjetër. Hajde zhbllokojeni!idrizi

Unë nuk i paguaj e kam thënë burrërisht këtë, sepse pasi paguaja unë thoshin që hajde se nuk ka paguar gjë ky. Tani, Këshilli Bashkiak në bazë të kontratës, më 15 janar të vitit 2015 ka nxjerrë një fond prej 200 milionë lekësh për të shlyer detyrimet e vjetra të Flamurtarit. Tani të lutem, kush do t’i paguajë këto, apo t’i lëmë kështu siç janë? Ore nuk dua asnjë lek unë. Po hajde po e marrim të mirëqenë se kam gënjyer unë. Nuk kam pasur asnjë detyrim as të Gjokës, as të Bajevskit, të askujt. Janë të gjitha gënjeshtrat që kam sajuar unë. Kam parë ëndrra me sy hapur dhe kam bërë ca pagesa kot unë. Por të lutem, janë dy raste tani që kanë ardhur nga Përmbarimi. Si do ta zgjidhim këtë histori? Ka ndonjë që ka detyrim për vulën e tij dhe firmën e tij? Më 31 korrik ikën, mbyllet kjo histori. Tani hajde çfarë do të bëni? Ose po nuk janë të vërteta këto, atëherë të shkojmë ta zgjidhim në gjyq. Të vijnë ata që kanë administruar Flamurtarin që nga miku im Shpëtim e të tjerët e të na thonë që këto nuk janë kontrata të rregullta, janë mashtrime dhe të hedhin në gjyq këta të tjerët”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"