EKSKLUZIVE/ Refuzojnë të zbresin në stërvitje, dy futbollistët duan largimin nga Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 22:42

EKSKLUZIVE/ Refuzojnë të zbresin në stërvitje, dy futbollistët duan largimin nga Partizani

Partizani ndodhet prej thuajse dy javësh në Slloveni, në periferi qytetit të Mariborit, ku po kryen fazën përgatitore në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Konferencës ndaj Saburtalos.

SEMBENE

Jo gjithçka shkoi mirë përpara nisjes, pasi trajnerit Dritan Mehmeti iu desh të linte plot katër lojtarë në Tiranë, për shkak të mungesës së dokumentacionit dhe mospajisjes me viza qëndrimi.

Bëhet fjalë për dy kongolezët, Matondo dhe Bintsuka, si dhe senegalezët Maget dhe Sembene.

Pa dyshim mungesa e madhe në fazën përgatitore është Matondo, i cili që nga ardhja e tij në janar u shndërrua në titullar të padiskutueshëm.

Kongolezi, ashtu si Bintsuka, po stërvitet me ekipin U-19 të Partizanit, me klubin, që ka një fije shprese se ditën e sotme mund të ndizet drita jeshile mbi pajisjen me vizë dhe dërgimin e tyre në Slloveni.

MAGUETE GUEJE

Nëse dy kongolezët po trajnohen, ndryshe ndodh me Sembene dhe Maget.

Ky i fundit, pavarësisht se mori minuta në fund të sezonit dhe u stërvit rregullisht me ekipin e parë nën drejtimin e Mehmetit, kërkon të largohet, për t’u kthyer fillimisht në atdhe e më pas për të parë mbi mundësi të tjera, ku të aktivizohet rregullisht.

Maget dhe Sembene kanë kontratë me Partizanin deri në verën e vitit 2025, por të dy i kanë kërkuar klubit ndërprerjen e dyanshme të kontratës.

Drejtuesit i janë përgjigjur negativisht dhe pas kësaj të dy kanë bërë lëvizjen e radhës.

Maget dhe Sembene prej ditësh refuzojnë të zbresin në stërvitje, në shenjë proteste për vendimin e klubit.

Për disa ditë ata u stërvitën me ekipin U-19, por tashmë kanë marrë këtë vendim drastik. Dëshira e tyre për t’u larguar lidhet pa dyshim me mosaktivizimin.

Sembene u dërgua në ekipin U-21 nga Mehmeti, ndërsa Maget u mbajt në ekipin e parë, por u aktivizua vetëm në ndeshjet e fundit të sezonit, pasi ai e kishte marrë vendimin për të mos vazhduar. Për Maget muaj më parë është interesuar edhe Bylisi, por kjo pistë tashmë me siguri ka rënë.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"